Ballina Diaspora ALI SHQIPNIA ME IDEALET E ËNDRRAT E TIJ I KALOI KUFIJTË E...

ALI SHQIPNIA ME IDEALET E ËNDRRAT E TIJ I KALOI KUFIJTË E KOHËS

Nga Avdyl DEDUSHAJ – New York, SHBA

Në ditët e para të nantorit 1960 e kam pá për herë të parë dajën tim, Ali Mus Lushaj. Atë kohë sapo e kishim kaluar kufirin me Malin e Zi, që i ndante tokat etnike shqiptare. Isha 10 vjeç. Po rrinim ulur në stolat e mencës të Degës të Punëve të Brendshme në qytetin e B.Currit. U hap dera.
Brenda hyri në polic i shoqëruar nga një burrë i hajshëm, i gjatë.

-Ky asht Alia, vllau yt – iu drejtua polici nanës time.

U përqafuam. Ne, thmive, na i hodhi duart krahëve e na tha me dashuri:

– Hajde shkojmë te shtëpia…

Mbas tre ditësh ne na nisën për udhë. Na percollën deri te agjensia e udhëtarëve. Do të shkonim për në Shkodër. Para se të hynim në autobuz daja Ali na përshendeti dhe fjalët e tij të fundit më kujtohen qartë edhe sot:

– Kisha pas qef me nejtë këtu me ne, po shteti ka rregullat e veta…

Mbas disa viteve qëndrimi emigrant politik në Shqipëri u vendosëm përfundimisht familjarisht në qytetin e Elbasanit.

Pushimet verore çdo vit i kalonim te dajët e mi në qytetin e Bajram Currit, në rrethin e Tropojës. Me dajën Ali rrinim më rrallë. Ai shkonte shpesh me shërbime apo rrinte gjatë në punë dhe kthehej në shtëpi në mbrëmje vonë.

Unë e pyesnja shumë herë:

– Ee dajë, kur do të mbarojnë këto shërbimet e tua?

Ai, pothuaj gjithmonë, me jepte të njëjten përgjigje:

-Do ta zhvillojmë Shqipninë…

Kjo ishte përgjigjja e tij. Ky ishte idealizëm i tij.

Daja Ali, të djelave kur kishte pushim, na mirrte e dilnim sëbashku.- Hajde se do u jap nga një lang boronice – na thoshte. Atë e përshendesnin mjaft njerëz kur dilnim në bulevardin e qytetit. -Tungjatjeta Ali Lushaj…Ai ua kthente përshendetjen me përzemërsi.

Me kalimin e viteve, kur dilnim në qytet me dajen Ali, shihja se njerëzit e përshendesnin ndryshe:

-Tungjatjeta, Ali Shqipnia…!

Dhe ai jua kthente përshendetjen i qetë.

Ali Lushaj nuk ishte ma Ali Lushaj. Ai, tashma ishte “Ali Shqipnia”.

Ky mbiemër simbolik përcakton qartë idealet që e udhëhoqën atë në jetë dhe në punët e tij këtë njeri atdhetar idealist, i përkushtuar për Shqipërinë e tij, që e donte kombin e tij të bashkuar në një Shqipëri të vetme.

Dhe e ruajti këtë sinonim deri në vdekje. Ai, si gjithë malësorët e Tropojës, i ruajti idealet patriotike. Ai e kishte teserën e partisë, po ai i ruajti idealet e patriotizmit e të atdhedashurisë.

Daja im, Ali Mus Lushaj, para së gjithash ishte një shqiptar i ndershëm, atdhetar, punëtor. Flamuri Kuqezi ishte para teserës së kuqe. Ideali për një Shqipëri të Bashkuar ishte para teserës së tij, edhe kur ishte partizan i Brigadës III-S deri në Kosovë e në Sanxhak dhe deri në vitet ’90 kur në moshën e tretë të veteranit kontribuonte për UÇK-në, për çlirimin e Kosovës, pasi shtëpinë e tij në kodër të qytetit të Bajram Currit, tek gështenjat, e kishte kthye në bazë lufte, me armatime për Luftën e Kosovës.

Më 1978, daja Ali Mus Lushaj edhi në Elbasan. Unë ia shpreha pakënaqësinë për vendin e punës që më kishin dhënë, pasi më kishin caktuar në një fshat të largët, që nuk kishte as rrugë makine.

Ai m’u përgjigj:

-Do ta zhvillojmë vendin kudo…

– Gjithmonë me këtë përgjigje, o daja Ali, – i thashë.

Ne, të dy, folëm gjatë për çfarë ndodhte në atë kohë në vendin tonë.

Ai, në shumicën e rasteve ishte i një mendimi me mua.

Mbas përmbysjes së diktaturës, Ali Shqipninë, dajën tim, kisha 13 vite pa e takuar, pasi unë erdha në Amerikë, në New York. E takova më 2002. Ndejtëm disa orë bisedë me dajën Ali, por ato orë m’u duken minuta.

Midis të tjerave, daja Ali, për të më ngucë më tha për Kullat Binjake:

– Ua rrëzuan kullat e mëdhaja.

– Njeriut që i jep besë e të pret në besë nuk kie si t’i ruhesh,..- i thashë.

– Edhe ti, me tersët tanë të regjimit, kini dashtë ta përmbysni Amerikën, po nuk iu eci…

Ai ndaloi pak e m’u kthye:

-Asnjëherë nuk kam menduar për përmbysjen e dikujt e le mbasanaj të shteteve. Gjithmonë jam munduar me forcën time të punoj për përparimin e Shqipnisë…

Ky ishte Ali Shqipnia, me andrrat e idealet që u drejtua në jetë e në punën e tij.

Ali Lushaj, Ali Shqipnia, ishte njeri simbol i vlerave morale, i idealeve të atdhedashurisë, i njeriut të drejtë që pasqyronte vetëm respekt e mirësi. Ai punoi me bindje e shpresë se një ditë Shqipnia do të jetë vend i zhvilluar. Ali Shqipnia me idealet e ëndrrat e tija i kaloi kufijtë e kohës.

Më 2013 isha në Valbonë dhe fjeta një natë në hotelin më të mramë, atje ku buron Valbona.

Pyetëm: sa na kushton për të fjetur?

 – Për 4 veta 40 €– na thanë.

– Mirë, – ua shprehëm dakordësinë.

Gjatë mbramjes i tregova pronarit të hotelit:

-E kam pasë dajën Ali Lushaj kryetar të kooperativës në zonën tuaj, në koperativën e Dragobisë që përfshinte dhe Valbonë, Çerem…

-Oo, po, po, – pohoi pronari.

Ai na shoqëroi deri tek dhoma, qëndroi te dera dhe m’u drejtua mua:

– Më jepni veç 20 € me që e paske dajë Ali Lushajn. Më ka folë baba se ka kenë burrë i drejtë dhe puntor i madh…

Ali Lushaj, daja im, atë natë më kurseu 20 €, megjithëse kishte shumë vite që ishte larguar, banorëve të Valbonës iu kishte mbetur në zemër si njeri i drejtë e punëtorë…

New York, 13 korrik 2017

______
Në foto: Dajë e nip – Ali Lushaj dhe Avdyl Dedushaj, 6 nëntor 1983.