Një jo-vend (ou-topos) ose një vend i lumtur (eu-topos). Platoni, që në vitin 400 para Krishtit, kishte utopinë e parë të madhe të historisë të filozofisë perëndimore. Ëndrra e një shoqërie të përsosur në botën e përsosur. Por është Thomas More, ai i cili në vitin 1516 krijoi neologjizmin “utopi” nga greqishtja, “një shoqëri e idealizuar nga parimet e komunitetit që jeton me bujqësi, prodhon për konsum dhe jo për tregun, ku shfuqizohen prona private dhe paratë”. Sot, Utopia “është një vend i lumtur, por i pamundur”.
Për disa nga këto vende flitet në librin “Utopia, Dreaming the Impossible” të Carlo Bevilacqua, që tregon pesë vjet udhëtim të fotografit në komunitetet e lira dhe që janë pasqyruar në faqen “Il Sole 24 ore”.
Itaka, Nju Jork
400 kilometra në veriperëndim të Nju Jorkut, Itaka është një shembull i zhvillimit urbanistik të qëndrueshëm, i njohur ndërkombëtarisht. Ai bazohet në ruajtjen e tokës, ndërtimit të shtëpive duke respektuar mjedisin, përdorimin e energjive alternative dhe një program aktiv trajnimi që synon edukimin mjedisor. Banorët kontribuojnë çdo javë tre orë vullnetarisht për mirëmbajtjen e vendit të tyre.
Damanhur, Torino
E themeluar në vitin 1975 rreth 50 kilometra në veri të Torinos, lindi nga frymëzimi i Oberto Airaudi, i cili në moshën 24-vjeçare, nisi në mënyrë të fshehtë, ndërtimin e një tempulli të madh nëntokësor. Më vonë, pasi u zbulua dhe u sekuestrua nga autoritetet, mori lejen për përfundimin e punimeve shumë vite më pas. Damanhurianët që në 35 vjetët e fundit jetojnë dhe punojnë pranë kompleksit, u kanë dhënë jetë nismave të shumta.
Freedom Cove, Vankuver
Në bregun perëndimor të ishullit të Vankuver, në gjirin e mbrojtur të Cypress Bay ndodhet “The Bower” një shtëpi lundruese shumëngjyrëshe. Shtëpia është ndërtuar nga artistët Catherine King dhe Wayne Adams. Ky projekt përfshin 12 shtëpia dhe kopshte lundruese të lidhura mes tyre.
Mandaron, Alpet franceze
Është qendra spirituale e aumismit (sekt fetar i konsideruar nga ndjekësit e saj si feja universale e epokës së re) – ndodhet 50 kilometra nga Kana në Alpet franceze. Është themeluar në vitin 1969 në vendin ku studiuesi i praktikave orientale, Gilbert Bourdin, ka ndërtuar tempuj dhe skulptura të ndryshme, ndër të cilat një Buda 22 metra të lartë dhe një statujë të ‘Krishtit kozmik” 21 metra, që ka një shpatë dhe një mburojë.
Është një qytet eksperimental i projektuar në shkretëtirën e Arizonës nga arkitekti italian, Paolo Soleri. Ndërtesat dhe hapësirat publike ku jetojnë dhe punojnë banorët përfaqësojnë vetëm një pjesë të projektit fillestar. Projekti frymëzohet nga koncepti i Arkoligjisë* që Soleri e shpjegon me këto fjalë: “Koncepti i Arkologjisë mishëron idenë e një ndryshimi të madh mes vetëdijes dhe qëndrimit, perceptimin e faktit që mënyra jonë e jetesës ndoshta nuk është e qëndrueshme dhe ndoshta dhe joetike”.
Christiania, Kopenhagën
Qyteti Christiania është krijuar në vitin 1971 në zemër të Kopenhagës nga një grup hipi që pushtuan dhe më pas ristrukturuan ndërtesat e braktisura në një bazë të marinës daneze. Më shumë se 40 vjet nga lindja e tij, mbetet eksperimentimi më i madh social në qendër të Europës. Për shumë kohë nuk ka pasur një status ligjor. Vetëm në vitet e fundit, marrëdhëniet me administratat janë përmirësuar.
*Arkeologjia është një neologjizëm i përbërë, i formuar nga fjalët “arkitekturë” dhe “ekologji” i përdorur nga Paolo Soleri në vitet 60 të shekullit XX.