Nga Gani MEHMETAJ – Kosovë
Turqia për pesëqind vjet okupimi ka vrarë pesë herë më shumë shqiptarë se sa Serbia për 100 vjet gjenocidi. Kujtimet për krimet serbe ende janë të freskëta, por as kujtimet për krimet turke nuk i kemi harruar. Ta duash Turqinë e Serbinë, të kesh nostalgji për Jugosllavinë, duhet të jesh i sëmurë mentalë, i shitur, tregtarë flamujsh, shpirt skllavi dhe kope delesh.
Janë disa kategori skllevërish mentalë që e mbrojnë me zjarrmi Turqinë, ndërsa dikur e mbronin me të njëjtën zjarrmi kriminale Serbinë (Jugosllavinë). Të parët ishin dhe janë hoxhallarët të blerë nga Serbia e jugosllavia dje, të blerë nga Turqia e Serbia sot. Të dytët janë kopeja e besimtarëve- dele që u besonin hoxhallarëve dje, kur u thoshin se me shqiptarin katolik na ndajnë shtatë bjeshkë, kurse me serbin (shkaun) vetëm një cipë e hollë qepe!
Besimtarët –kope u besojnë edhe sot hoxhallarëve, kur u thonë se Vatikani e Evropa Perëndimore janë armiqtë tonë, kurse sipas tyre Turqinë, Rusinë e Serbinë i kemi më të afërt.
Nuk është vështirë t’i kuptosh shqipfolësit –luftëtarët e Turqisë me pagesë në rrjetet sociale që shkumëzojnë si të tërbuar kundër atyre që përpiqen t’ua hapin sytë besimtarëve- viktima të hoxhallarëve, por është vështirë t’i kuptosh ata fatkeq, që s’kanë asnjë interes, ndërsa e lavdërojnë Turqinë si të shkalluar, lëpihen marrëzisht për shtetet arabe që e mbështesnin dhe e mbështesin Serbinë.
Asnjë qeveri turke a serbe nuk u ka kërkuar falje shqiptarëve për krimet e shtetit të tyre. Ndërkaq, një pjesë e bashkëkombësve të mi digjen për Turqinë e Jugosllavinë, si dashnorja budallaqe për dashnorin që i sheh me përbuzje e neveri.