Nga Adem LUSHAJ – Deçan
Komuna e Deçanit është njëra ndër komunat që posedon resurse të shumta natyrore e që janë të favorshme për zhvillimin e turizmit, sidomos resurset që janë në masivin e Bjeshkëve të Nemuna.
Turizmi mund të ketë ndikime ekonomike, sociale, kulturore dhe mjedisore në komunitetet lokale dhe rajonale.
Siç është demonstruar nga Programi i Bashkësisë Ndërkombëtare për Mjedis (United Nations Environment Programme) dhe Organizatës Botërore për Turizëm (The World Tourism Organization-UNWTO) , investimet në turizmin e gjelbër dhe të qëndrueshëm janë mjet për të krijuar vende pune dhe për të zvogëluar varfërinë, duke përmirësuar njëkohësisht rezultatet mjedisore. Ndër faktorët e rëndësishëm për zhvillimin e turizmit janë edhe faktorët natyror, e ku në këtë mes hynë edhe Klima. Karakteristikat klimatike të Deçanit, janë të njëjta, sikurse me komunat tjera të Rrafshit të Dukagjinit. Deçani ka klimë kontinentale me ndikim të asaj mesdhetare. Gjatë vitit në Deçan ka 1.975 orë me diell. Viset e ulëta të Deçanit karakterizohen me temperatura relativisht të larta, me vlerë mesatare vjetore mbi 110C, me muajt më të nxehtë Gushtin dhe Korrikun, 21,70 C dhe 21,680 C dhe muajt më të ftohtë, Janarin -0,5 0 C. Në këtë klimë ndikon shumë, afërsia Bjeshkëve të Nemuna dhe rrymat e tjera të ajrit, si: në viset e ulëta karakterizohen me vera të nxehta dhe të thata, dimrat relativisht të ftohtë dhe me lagështi. Temperaturat ekstreme gjatë periudhës së verës, vijnë nga ndikimi i lëvizjes dhe presionit të lartë të ajrit, nga zonat subtropike, në drejtim të veriut, si ndikime të aktivitetit të ciklonit nga Oqeanit Atlantik dhe Deti Mesdhe, si dhe, gjatë dimrit nën ndikimin e anticiklonit Siberian. Lagështia mesatare e ajrit gjatë vitit është, 70,2 %, me rritje të dukshëm, prej verës kah dimri, për 17,5 %, se sa zvogëlimi prej dimrit në drejtim të verës. Zgjatja mesatare vjetore e zënies së diellit për shkak të ndikimeve orografike është më e vogël se sa mesatarja për Kosovën dhe është 1.972 orë nga e cila në Korrik 293, 6 orë ose 72,1% diell në vit. Sasitë e të reshurave janë ndër më të mëdha të Kosovë. Në viset e ulëta është 724,6 mm, në viset malore sasitë mesatare të reshurave arrijnë më tepër se 1.300 mm. Gjatë dimrit trashësia e borës në viset kodrinoro-malore arrin deri më 50 cm, kurse në viset më të larta (bjeshkë), është mbi 1m, kurse ne lartësitë e mëdha malore (alpine) qëndron gjatë tërë vitit.
Andaj, kushtet e këtilla klimatike mundësojnë zhvillimin e aktiviteteve rekreative sportive (skijimit ) gjatë sezonës së dimrit. Shi bie më së shumti në pranverë dhe vjeshtë, edhe atë mesatarisht, 900-1500mm. Shpejtësia mesatare e erës gjatë vitit është 16 m/sek., ndërsa ajo maksimale arrin deri më 26,5 m/sek. Më së shpeshti era fryn nga veriu dhe veriperëndimi.
Elementet kryesore klimatike që i përkasin komunës sonë janë: moti i kthjelltë, lartësia e lartë mbidetare e kompleksit të bjeshkëve, temperatura të freskëta gjatë verës dhe mjaft të ftohta gjatë dimrit, reshjet atmosferike (dëborë) të bollshme, të ujërave në sasi të mjaftueshme.