Ballina Personazh REXHEP RAMË BALIDEMAJ I MARTINAJVE, NJË BURRË I LARTË NDËR KOH’NA

REXHEP RAMË BALIDEMAJ I MARTINAJVE, NJË BURRË I LARTË NDËR KOH’NA

1.    

I riu 18 vjeçar Rexhep Rama i Balidemajve në vjeshtë ‘38 e kapërceu Adriatikun. Nga Gjimnazi i Shtetit i Shkodrës shkoi në Akademinë Ushtarake në Milano – Itali. Zgjedhja e tij ishte traditë e trollit, e kullës, e botëformimit të tij. Pushkën e kishte për fis si i kelmendas, i plavë-gucias, i martinaj. Sportin e kishte për shpirt. Zgjuarsinë e kishte genetike, natyrale, librore, jetësore, me etje e dritë.

Drejt Perëndimit. Si pro-perëndimor. Kështu shkoi Rexhep Rama qyshse në “Kohën e Zogut”. Me marrë kulturë perëndimore. Me u vesh ushtarak i lartë. E çonin sytë e shpirtit, mendja e zemrës, hapat e rritës së tij. Shpesh ndrronin sistemet, pushtimet, regjimet, po ai nuk ndryshoi në qënien e shpirtin e tij, në familjen e tij, në udhën e tij.

Rexhep Rama ishte e mbetet shqiptar pro-perëndimor, si fisi i tij kelmendas. Nji fis i madh, me emblemë si principata e Kastriotëve të Skënderbeut, fis me kontat e vet, fis me aleanca me Papatin e Romës e Perandorinë Austriake në Kryengritjen Kundërosmane (1689) të prirë nga ipeshkv Pjetër Bogdani, etj. Nji fis me qytetërimin e vet të lartë në ngulimet etnike nga bregdeti në Alpe, me historinë e vet lavdimadhe në shekuj.

Rexhep Rama është rrënja-degë selcian, i një prej katër vllaznive të mëdha të fisit historik të Kelmendit.

Është trojenik i Kelmendit të Rrafshit në luginat e Gucisë, Plavës, Gërbajës, etj.

Është i fshatit Martinaj.

Pema gjeanologjike i shkon deri në 26 breza shqiptar etnik, deri në shek. XII, tek të parët e fisit të tij që Enciklopedia Gjermane (1854) i cilëson si një “nga fiset e vjetra ilire”.

Gjithnji në gjak, në mendime e ecje, i ka gjallnue e shembullue fisi i vet kelmendas. Dhe tek emrat. Gruaja e tij, Milica, nji zonjë grua, e mbante si të dytë emnin Vera. Njisoj si të nanës së Kelmendit (Kelmecia) – të parit të fisit Kelmend, e cila kishte dy emna: Vera (Shota).

Rexhep Rama i ka trojet e moçme në fshatin etnik shqiptar Martinaj. Skej liqenit e qytetit të Plavës. Krejt afër qytetit të Gucisë, në juridiksionin administrativ të saj. Martinajt janë bash ndërmjet tyne. Gjeografikisht. Etnikisht. Historikisht. Si privilegj i Zotit, si pjesë e shtyllës vertebrore, si pjesë e palcës së tyre etno-historike. Këto dy qytete ilire i pat’ ringrit edhe vet perandori romak me origjinë ilire, Konstandini i Madh. Deri në kohën e copëtimit etnik me të padrejtit kufinj gjeo-politik të 1913-tës, Gucia – thirrej ndryshe dhe “Qytet i Kelmendit”, që n’ato kohna të LSHP kishte mbi 400 shtëpi, mbi 11 mijë banorë, mbi 50 dyqane edhe për qeleshe (plisa), për argjendari, etj.

2.

Jo rrallë, disa mëkatar’, me shtysa nga klucje klanpolitike ose prej paditunisë etno-kulturore, jargin mbrapshti me verbëri kombëtare tue i quajt Martinajt e vendorigjinës së Rexhep Ramës e çikës së tij, Liri Berisha – ish Zonja e Parë e Shqipërisë (1992-’97) si një “vend sllav”, “popull sllav” e pavërtetësi të tilla poshtalake. Kjo po më ban me u ndal pak si zgatshëm në do fakte ma të fundit, të shek. XXI, të dekadës së dytë të tij:

Së parit, sotpërsot, Martinajt, si fshat i madh shqiptar, janë në bashkësi lokale administrative me Gucinë, kit’ komunë krejt të re (157 km2), e cila – pas Ulqinit e Tuzit, vjen e treta për nga popullsia shqiptare në shtetin e vogël të Malit të Zi.

Së dyti, vet Martinajt janë një nga pesë fshatrat nën Malin e Zi me popullsi mbi 500 banorë shqiptarë.

Së treti, Martinajt janë fshati i dytë ma i madh për nga territori e popullsia etnike shqiptare në krejt Alpet Shqiptare nën Malin e Zi.

Sipas rregjistrimit shtetëror malazez të vitit 2011 Martinajt kanë 172 shtëpi e 532 banorë (nga të cilët 501 janë shqiptarë etnik), kurse Vuthajt e Gucisë kanë 644 shqiptarë, ndërsa Dakajt e komunës Rrozhajë 362 shqiptarë. Të gjithë fshatrat e tjerë në Malin e Zi me mbi 90 për qind të popullsisë shqiptare, përndryshe 49 të tillë, të mëdhenj e ma së shumti të vegjël, krejt të vegjël, janë në Ultinën Bregdetare, si në Ulqin e Tuz, në Tivar e Podgoricë.

Martinajt, edhe në këto tre vitet e fundit të këtij shekulli euro-atlantik janë tue u përballë me shovinizmin shtetëror malazez të Podgoricës e Çetinës, pasi ia kanë zgrap shkallimisht para njëzet vitesh një pjesë të madhe të bjeshkëve të saj tue ia kalue padrejtësisht komunës fqinjë të Andrejavicës. Tjetër. Iu kanë ndërtue në Kodër Jerina – në vendbanimin e princeshës së hershme ilire Jerina, një deponi antiekologjike, jetë e tokë helmuese, qëllim shpopulluese për banorët e atyhit, ku vendgrumbullohen çartanisht mbeturina të keqsjelluna nga komunat përrreth deri dhe nga Berana largavijë. Ce tre vite Mitropoliti i Kishës Ortodokse Serbe për Malin e Zi e Bregdetin, peshkopi ultranacionalist i Çetinës, Amfilohije Radoviq, vjen shpesh në Martinaj me suitën e tij me veladon të zi dhe toga me policë e ushtarë me shkopinj, armë e pranga, sepse po don shtrengueshëm me e ngrit aty një kishë ortodokse sllave ku nuk ka astenji banorë të vetëm të besimit ortodoks, don me e vnue kapicën e zezë malazeze mbi varret e shqiptarëve të vrarë përgjakshëm nga sllavët ardhacakë, etj.

Martinajt, martinasit e atyshëm, ende po burgosen e dënohen nga shteti malazez vetëm pse i kërkojnë aktivisht të drejtat e tyne kushtetuese, euro-atlantike; ende po privohen nga punësimet, shërbimet komunare, etj.; ende po luftojnë, sakrifikojnë e sfidojnë si heronj të gjallë për me jetue e vdek si shqiptar etnik, me gjuhë, virtyte, tradita e kulturë shqiptare, me pasardhës shqiptar.

Një poete 20 vjeçare, Fortuna Balidemaj – Mehaj lind e rrit në Martinajt e historisë, tek vëllimi i saj poetik “Dritë në zemër” me frymë të lartë kombëtare i guf vargu epik: “Luftoj me djallët / Me bajlozin e zi / Ta mundi këngën e qyqeve /…“Këtej janë varret e stërgjyshëve”/ dhe i jep shqiptarisht, si apel e sfidë, amanetet e trollit, që “do t’i shkruaj në Flamurin Kuq e Zi”.

3.

Rexhep Rama, djalë i ri mbi 23 vjeçar shtatlart e mendjekthjellt, pasi kreu studimet e larta në Akademinë Ushtarake në Milano i thanë të qëndronte aty si pedagog. Iu duhej për mendjen, virtytet e vlerat e tij. Nuk e pranoi ofertën e rrallë. I faleminderoi ata. U rikthye në Shqipëri, në Shkodër – kryeqytetin vilajet e sanxhak të Veriut Shqiptar që deri në shek. XIX i përfshinte dhe Plavë-Gucinë e Martinajt e tij.
Ishte viti ’42. Luftë ishte. Në Itali e pat’ nxanë Lufta ’39 e pushtimit fashist të Shqipërisë. Dhe Lufta e Dytë Botërore e gjeti atje. Rexhep Rama ishte kundër kufijve antishqiptar të viteve 1878, 1913, 1919. Nuk donte të ishin të ndamun ndërveti as Valbona e Limi. As Gucia e Plava me Vermoshin, Pejën, Sanxhakun (Tregu i Ri). As Shkodra me Shkupin e Mitrovicën. As Çamëria me Kosovën. E donte Shqipërinë në kufijtë e vet të vërtetë, trojenik, të kahmotshëm.

Në monografinë memorie e memorial “Profesor Rexhep Ramaj model i intelektualit të përsosur 1920-2006” shkrue nga dy miq të tij prej të vërteti, nga prof. dr. Qemal Shalsi e akademik Gudar Beqiraj – asokohe kryetar i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, gjejmë lexueshëm një tjetër dimension të kulmtë të këtij oficeri akademist: “Në vitin 1942, kthehet në Shkodër dhe menjëherë udhëton drejt Kosovës ku dha ndihmesën e tij për çlirimin e Kosovës deri në 1944, kur u kthye në Tiranë” (f. 15).
Me kit’ akt të lart’, Rexhep Rama (Balidemaj), ky luftëtar i lirisë, i përnget palcë e kockë trollit e genit të vet. I mendjes në strategjinë ushtarake. I pushkës në Luftën Partizane. Pushka tek një mendje e ditun bahet edhe ma e fort në hise, krismë, drejtësi, lavdi. Ai shkoi kryeudhë në luftë për kombëtarizëm, për liri e pavarësi; për Martinajt e origjinës dhe Shkodrën e rritës së tij, për Guci-Plavë e Kombin e tij. E përditshmja amerikane “The Sun” e 28 korrikut 1907 artikullon: “Nga të gjitha fiset shqiptare, Guciajt konsiderohen se janë më krenarët dhe më luftarakët. Malësorët e Plavës e të Gucisë, mbahen si më të pashmit e më besnikët mes tyre për çdo premtim që bëjnë…”.

 4.

Mjeshtri i Madh e Mësuesi i Popullit, Rexhep Rama, ndje’ krenari deri në amshimin e breznitë e veta për Martinajt e Plavë-Gucinë, kit’ trevë të rritur dhe të mbetur në luftë…Kjo krahinë, shpesh herë, në Antikitetin Ilir, nën pushtimin Romak e atë Otoman, ishte “Provincë e Pavarur”. Autoktone. Autonome. Në vite lufte të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit (LSHP) thirrej “Arbnia e Vogël”. Kësokohe, në Luftën e Nokshiqit – e njoftun dhe si Lufta e Luginës së Epërme të Limit (4 dhjetor 1879-11 janar 1880) u ngrit për herë të parë në një betejë frontale Flamuri Kombëtar Shqiptar i Skënderbeut. Kjo Luftë e Madhe u udhëhoq nga Ali Beg (Pashë) Gucia e Haxhi Zekë Byberi me LSHP kundër vendimeve të Shtatë Fuqive të Mëdha (Anglia, Austro-Hungaria, Franca, Gjermania, Italia, Rusia, në bashkari me Perandorinë Otomane), të cilat në Kongresin e Berlinit (1878) kërkuan dorëzimin e territorit etnik shqiptar të kazasë së Gucisë (Plavë-Guci) për Principatën shovene të Malit të Zi të Krajl Nikolla I.
Në kit’ luftë me përmasa ndërkombëtare, pas mundjes shkalafitëse të ushtrisë malazeze, mbetën aty, në fushëbetejë, dhe katër flamuj të Rusisë. Historia po dëshmo: kjo luftë e jashtëzakonshme ishte Parathanie e Shpalljes së Pavarësisë Shqiptare më 1912 në Vlorën e Flamurit e të Ismail Qemalit.

“Nju York Daily Tribune”, gazetë amerikane e 20 prill 1903, dokumenton:“Erdhi momenti kur banorët e Plavës e Gucisë do të shkruanin historinë. Ishte periudha pas vendimeve të Kongresit të Berlinit më 1878. Vendimet e tij u pritën me indinjatë nga popullsia dhe liderët shqiptarë, të cilët të organizuar në Lidhjen e Prizrenit, arritën t´u bënin ballë me sukses përplasjeve të shpeshta e të pabarabarta me ushtrinë malazeze, duke bërë që praktikisht në vitet 1878-1912, të gëzonin de facto statusin e një republike të pavarur vetëqeverisëse, duke mos lejuar madje as guvernatorët osmanë të ushtronin funksionet e tyre administrative dhe duke sfiduar nga ana tjetër hapur edhe vendimet e Fuqive të Mëdha. Pas Konferencës së Londrës më 1913, këto rajone përfundimisht shkuan në aneksim të Principatës të Malit të Zi”.

Plavë-Gucia, sëbashku me 70 kullat e Martinajve (selcianët Balidemaj, vukeljanët kelmandas në tri vllazni: Hasangjekaj – dera e Bajraktarit, Prelvukaj e Lecaj) treguan qëndresë të jashtëzakonshme kundër ofensivës ushtarake-luftarake të Mbretërisë së Malit të Zi. Pati sakrifica të pashembullta. Nga tetori 1912 i pushtimit barbar e deri tek nëntori 1913 i aneksimit territorial të Plavë-Gucisë pati një masakër tragjike të përgjakshme, e (pa)njoftun në histori si “Masakra e Previsë”, ku siç përjeton kanga e popullit:

“ Shtatëqind vetë janë pushkatue

Asnjë gjallë nuk ka pshtue…”.

Kjo është një nga masakrat ma të mëdha në historinë e globit prej se nga koha e Krishtit e Muhametit. Një masakër e kryer nga vet Mbretnia e Malit të Zi të Krajl Nikollës së Parë, nga ky shtet i vogël artificial ballkanik e “protektoriat” disashekullor i Rusisë së Madhe.

Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në Hagë duhet ta shqyrtoj kit’ masakër të jashtëzakonshme kundërshqiptare, pasi i përmban pesë elementë të dënueshëm botnisht: Genocid. Terror. Krime kundër Njerëzimit. Krime Lufte. Spastrim Etnik. Atë ditë kur bota e sotme planetare do të mësoj plotërisht e shkencërisht rreth kësaj masakre të madhe do të shohim se shqiptarët e Plavë-Gucisë e të Martinajve do të jenë në krye të listës botërore si ndër ma të diskriminuarit në glob nga fqinjët e vet ballkanik slave ardhacak, nga shteti i Malit të Zi multietnik.

5.

Trepça, vendbanim nga ma të vjetrit në krahinën e Plavë-Gucisë, që e cek dhe albanologu Franc Nopç, kah shek. XVIII, e mori emnin tjetër popullor e zyrtar: Martinaj, në nderim e përkujtim të një kryetrimi selcian. I njoftun si Martini i sakrificave e i sfidave. Ai u vra në pabesi, tradhtisht, fill pas pjesmarrjes aktive në Kryengritjen Antiosmane të Kelmendasve në aleancë me Austriakët (1689).

Ky Martini ishte i pari i vllaznisë selciane Balidemaj të Rexhep Ramës.

Bali Dema i Martinajve u shqua si udhëheqës i suksesshëm i kryengritjeve kundër Tanzimatit. Historiani Rexhep Dedushaj pohon se “mu për këtë Ali Beg Gucia e zgjodhi për zavendës të vetin gjatë luftërave për mbrojtjen e Plavës me Guci në vitet 1879-1880”, i cili “shkëlqeu sidomos në betejat që u zhvilluan në Gërçar, Martinaj dhe Vizitor, duke e mbrojt Gucinë nga hordhitë e Teodor Milanit, në ato ditë të ftohta dimri” Ai ishte një kryeluftëtar legjendar që u kthye në legjendë. Ai mbeti mbiemër i një vllaznie të madhe e të fortë selciane, mbiemri ma i hershëm i Rexhep Ramës.

Në luftë për mbrojtjen e trojeve të veta etnike, krahas mashkujve, u shquan edhe femnat martinase. Gazeta amerikane “Nju Jork Times” e 21 majit 1911 dhe gazeta franceze “Le Petit Journal” e 28 maj 1911 e cilësojnë luftëtaren prijtare Jerina, çikën e bajraktarit të Martinajve, si “Zhan D’Arka Shqiptare”. Një krahasim tejet madhor, pasi Zhan D’Ark (1412-1431) është Heroina Kombëtare e Francës, e cila në vitin 1909 u “Lumturua” dhe më 1920 u shpall “Shenjtore e Krishtërimit”.

Hakmarrja shovene bio-politike e mbretërisë malazeze goditi prapë, pabesisht e egërsisht, në derën e madhe të Bali Demës, në Balidemaj. Vasoviqët e ardhun nga Andrijavica ia vranë atij dy nipa trima: Bajram Haxhi Balidemaj dhe Arif Avdyl Balidemaj në Masakrën genocidiale të Previsë, sëbashku me disa martirë martinas si Buti Kasem Çukaj, Hysen Delia, Nezir Cufi, Zekë Haxhia, Salih Kasem Çukaj e të tjerë. Kësokohe u dogjën 11 shtëpi në Martinaj nga kapiteni Vuksan Dragoviq, antar i Gjykatës Ushtarake në të pushtuaren kapiteni Plavë-Guci.

Në v. 1943 vritet në Cecun afër Previsë luftëtari martinas, Demë Reku i Balidemajve, nga dora e çetnikëve të Gjorgje Llashiqit.

 6.

Djemtë e Martinajve u bënë digë e pathyeshme në mbrojtje të krahinës të Gucisë e Plavës që nga Majat e Vizitorit e deri në Vermosh, prandaj sllavët i sulmuan përflakshëm e përgjakshëm ata. Historiani Rexhep Dedushaj dëshmon: “Pas masakrave të shkijeve në mars të vitit 1919, Martinajt shpërngulen në Shkodër. Një pjesë kthehet më vonë e të tjerët Zogu i vendos në Gurëz, ku janë edhe sot me mbiemrin Martini”.
Dhe së fundit edhe dy fakte që flasin madhërishëm për trollin genetik të Rexhep Ramë Balidemajt:

Një gazetë amerikane “Nju York Daily Tribune” (20 prill 1903) nga përtej Atlantikut i ban të ditur botës: “Guciajt janë trima e të pathyeshëm: Nëse s´i përmend ata, s´ke thënë asgjë për Shqipërinë”.

Fisha ynë i madh tek kryevepra e tij “Lahuta e Malcies”(Zarë, 1925) hyjnon: “M’u ndër vise të Gucis / Ora e bardhë e Shqyptaris! /.

7.

Rexhep Rama pati nderin me e krye Akademinë Ushtarake në Milano dhe pati fatin me krye edhe “Akademinë e Luftës” në Kosovë. Rast i rrallë për një ushtarak të lartë.

Pra, si të thuash, i kishte dy akademi të plota, si vazhdim e lartësim i njana tjetres.

Ai kthehet më 1945 në Tiranë.

Djaloshin 25 vjeçar nga Martinajt e Gucisë e qytetar i Shkodrës e çuan në qytetin bregdetar të Vlorës, në Divizionin Ushtarak të atyhit.

Ali Ohri i shtresës së aristokratike kombëtare shqiptare të Pavarësisë nga Sanxhaku i Ohrit, oficer i lartë i Gardës së Mbretit Zog e bashkëluftëtar i Abaz Kupit, themelues i kalorësisë moderne shqiptare, i përndjekur e i mbijetuar i rregjimit komunist, “Chamberlan” prej v. 2003 e mbasandejna ministër i Oborrit Mbretnor të Mbretit Leka Zogu I derisa ndrroi jetë (2010), ishte moshatar, shok e koleg me Rexhep Ramën qyshse në Akademinë Ushtarake në Milano. Ai, në monografinë “Profesor Rexhep Ramaj…”(f. 15-16) i skalit kujtimet e tij: “Rexhepi kishte dëshirë të mësonte shumë dhe gjithçka. Gjithnjë lexonte dhe studionte. Kur e takoja ishte ose duke lexuar ose duke shkruajtur. Dëshira për studim nuk i mungoi kurrë. Kjo punë iu ba zakon…Rexhepi në shkollë (Itali) ia zbardhte faqen jo vetëm vetes, po edhe shokëve të tij. Ai dallonte mbi të tjerët”

 8.

Në hyrje të Akademisë të Sporteve (ish IKFS) ballon emni i një prej pedagogëve të saj, Rexhep Rama.

Ai i kreu studimet në IKFS.

Ishte i dyti universitet i tij.

Arriti të jetë ndër pedagogët e tij shembëlltar prej atëherit e dekteri më sot. Jepte boks e mundje, po dhe ngritje peshe e skermë. Emni po i jeton në breza studentësh, në memorien e kohës.

Një nga ish-studentët e tij (1962-’63) e koleg i tij në KKFS në Tiranë, prof. dr. Ilia Gaxho ujëvaro e kulmon me vlerësimet tij: “Profesor Rexhep Ramaj është figura më poliedrike që ka nxjerrë sporti shqiptar…Nuk u mposht asnjëherë atje ku punoi. Ishte me karakter të fortë, humanist dhe profesionist i përsosur. Me autoritetin, horizontin dhe ndershmërinë e tij kishte marrëdhënie shumë të mira me njerëzit, të cilët e donin shumë. Për erudicionin dhegjuhët e huaja që fliste, edhe të huajt flisnin me respekt…”(Libri “Profesor Rexhep Ramaj…”. f. 77-78).

Prof. dr. Guido Subashi shprehet për pedagogun e kolegun e tij (1960-’70) Rexhep Rama me një vlerësim tejet të lartë: “Me sjelljen e tij të ëmbël, të ngrohtë, miqësore e dashamirëse prof. Rexhepi na impononte autoritetin e tij me respekt të vetëdijshëm e të sinqertë. Mësimet me të, i prisnim me shumë dëshirë dhe endje, nuk komunikonte me ton të ashpër, përkundrazi të butë, por kërkues. Urdhrat dhe komandat i jepte me gjeste shprehëse dhe me pamjet engjëllore drejt nesh…”(Po aty. f. 78).

9.

Mësuesi i Popullit, Rexhep Ramaj, në moshë rreth të pesëdhjetave e kreu universitetin e tretë për juridik. Njohja e ligjit të jep forcë, të hap udhë, mbi të gjitha është kulturë jetësore e profesionale. Ai, kështu, u ba me tri shkolla të nelta.

 10.

Në vetëdijen e objektivat e tij ai donte me i dhanë sportit, shkollës e kohës shqiptare, po dhe me mujt me i qëndrue mirë në kambë e në ecje sistemit komunist në dekada.

Gjithë jeta iu ba shkollë dhe shkolla në ma të shumten kohë iu ba vet jeta e tij.

Nxanës në gjimnazin e Shkodrës.

Student në Akademinë Ushtarake në Milano.

Mësues në shkollën ushtarake “Skënderbej” në Tiranë.

Pedagog në Universitetin e Sporteve (IKFS). Mësues në shkollën Ekonomike në Tiranë.

11.

Zakonisht sportistët e mirë i ikin politikës së keqe, po nganjëherë politika me disa të këqija të saj i ndjek nga pas sportistët e mirë, veçmas në diktaturat e randa e ato të gjata. Rexhep Ramajt duket se i kanë ndodh’ te dyja. Mjafton me i kqyr lëvizjet e tij në detyra e funksione të ndryshme shtetërore si në ushtri, sporte, arsim dhe kushdo bindet për nji të tillë realitet në disa epoka historike të kombit. Edhe kur politika u mor me të ai nuk u mor me politikën. Ai e njifte kohën dhe vetëveten.

Dr. Muhamet Malo, Mjeshtër i Merituar i Sportit, filantrop e humanist i madh, pronari i suksesshëm i Euro-Lloto, TeleSport, teleferikut Dajti Expres e aksioner tek Credins Bank, president i Federatës Shqiptare të Mundjes, i dekoruar nga AFCES me Çmimin “Pjetër Bogdani”, mbi të gjitha njeri nobel – i mirë e me të mira, tek monografia “Profesor Rexhep Ramaj…”(f. 55) flet me shpirt për kit’ njeri të rrallë të sporteve shqiptare: “ai kishte një energji të atillë, sa që kur e shihnim, duhej të fluturonim që të ishim baraz me të. Them se të tillë shqiptarë është keq që i mungojnë këtij vendi”.

12.

Rexhep Rama, i Balidemaj, duket se u lind në Shkodren e historisë e të qytetnisë vetëm për Sportin Shqiptar. Zoti e genetika e tij i dhanë atij gjithçka duhej për t’u marrë me sporte dhe ai fitoi e dha gjithçka mundi për sportin në kohën e vet e për brezat. Ai u rrit me sportin dhe sportet e rritën atë. I ka C.V., i ka lartësi, i ka mbiemnin e tij.
Ai dhe Sporti nuk ishin dy, po nji e vetëm nji. Askush nuk mundi me i nda ndërveti: as vështirësitë gjithfarësh, të shumta, të shpeshta; as politika ma e acartë; as mosha e parë apo e tretë. Kurrkush. Kurrnjiherë.

Dje, sot e nesër, disa sporte ecin me emnin e tij, si themeli e naltime, në hapa ecjeje e në kuota arritjesh.

Gazetari e veprimtari Agron Sejamini, mjeshtër i grafikës digjitale shqiptare e i shkruarjes pastër të dhjetra portreteve në gazeta e libra, i ka thanë do fjalë plot meritë për meritat e Rexhep Ramajt: “Zoti e ka sjellë në jetë për të bërë sportin… Dhe ai këtë mision e besim e justifikoi. Ishte fat për Shqipërinë që në atë periudhë rilindjeje, kishte në gjirin e saj, Rexhep Ramajn. Një njeri i shkolluar dhe i përgatitur që do ishte luks mbase edhe për shtetet e zhvilluara perëndimore. Mbaruar Akademinë Ushtarake në Milano, i pajisur me njohuri të gjera dhe informacion shkencor për zhvillimin e sportit, zotërues i katër gjuhëve të huaja dhe mbi të gjitha një atdhetar i përkushtuar për të ecur sa më përpara kombi”.

13.

Rexhep Ramaj, i nderuari me “Urdhër Olimpik”, fjalaflet në kujtimet e tij: “Veprimtarinë sportive e kam fillue që në moshë të re. Veçanarisht si konviktor në gjimnazin e shtetit në Shkodër. Atëherë jam aktivizuar në atletikë, gjimnastikë, basketboll dhe në not. Në periudhat e pushimeve verore me grupe shokësh kam bamun skautizëm, turizëm e alpinizëm më shumë në bjeshkët dhe Alpet e Veriut…Në not kam marrë pjesë në stafeta dhe në notimet e gjata të kalimit të liqenit të Shkodrës. Basketbollin e kishim me shumë pasion, në fillim jam aktivizue me skuadrën e klasës pastaj në atë të shkollës që ishte njëkohësisht edhe e qytetit të Shkodrës…”(Vepra “Profesor Rexhep Ramaj…” f. 12).

Ishte e këtillë vet koha e Zogut që rriti talente të mëdha të sportit shqiptar, pasi në Ministrinë e Arsimit, ministri Mirash Ivanaj, kishte krijue një sektor të veçantë për sportet me drejtues prof. Luigj Shalën dhe pati hapa e fryte deri ndërkombëtare. Ishte dhe Shkodra vend me mundësi e hapësira për sportet. Në vitet 1934-’36 në gjimnazin e Shkodrës u ndërtue një kompleks sportiv që i kishte dhe tre fusha basketbolli, ndërkohë që në Tiranën kryeqytet ishte një e vetme tek Shallvaret.

Ishte dhe vet Rexhep Rama, pasionant, kontributor, aktiv, cilësor, i cili në pranverën ’36, mori pjesë e fitoi në gara e kampionate. Sportet i ushtroi edhe kur ishte në Akademinë Ushtarake në Milano.

14.

Rexhep Rama ishte shumësportësh e shumëvlerash.

Ai mori pjesë e zuri vende nderi në garat e atletikës (Tiranë, pranverë, 1945), në garat e para kombëtare të qitjes (Tiranë, 1946) etj.

Në skermë u shpall kampion kombëtar, etj.

Më 1947, tashma i rikthyer nga Vlora në Tiranë me detyrën e pedagogut në shkollën “Skënderbej”, iu mirëbesua të ishte përgjegjës teknik në organizimin nga Garnizioni i Tiranës i të parit Manifestim Gjimnastikor.

Deri kah Dekada ’50 u mor’ me ekipe sportive ushtarake në sportet basketboll, volejboll, etj.

Në v. ‘46 dha kontribut themeltar për ngritjen e klubit sportiv “Partizani”, etj.

15.

Rexhep Rama, më 1947, sëbashku me Sotir Polenën, Ali Kastratin, Luigj Shalën, Myftar Markun, organizuan kampionatin e parë kombëtar të boksit.

16.

Më 1947, krahas “punës të rrogës” iu caktue edhe detyra tjetër: ngritjen e ekipit të basketbollit për femna, ekipin e Tiranës, që e kreu suksesshëm tue pas përkrah edhe mjeshtrin Adem Karapici. Me kit’ ekip ia mbrrini me fitue pesë kampionate basketbolli për femna (1947-1952). Trajneri Rexhep Rama kishte konceptin e vlerësimin e tij për basketbollin si “sport emocionant, tërheqës, luftarak e spektakolar”.

Ai ishte trajner dhe seleksionist i ekipeve kombëtare shqiptare të basketbollit për meshkuj e femna në Ballkaniadat e viteve ’46, ’47 e ’48, që u zhvilluan në Tiranë, Sofje, Bukuresht.

17.

Prof. Rexhep Rama, sëbashku me Luigj Shalën, janë themeluesit e peshëngritjes shqiptare që më 1949 dhe, sipas Ilir Krajës, sekretar i përgjithshëm i FSHP (2009), e vendosën kit’ sport “në shina të forta, me arritje dhe rezultate të larta, bazuar në traditat dhe karakterin e fortë të shqiptarëve”.

 18.

Në v. 1947 në Rumani iu dha Rexhep Ramës titulli “Gjyqtar Ndërkombëtar”.
Ishte i pari gjyqtar shqiptar i FIBA-s. Përndryshe: vetëm pas dy dekadash, Federata Botërore e Basketbollit do ta jepte një titull të tillë, të dytë, për një tjetër gjyqtar shqiptar.

19.

Mbi tre vite ishte pedagog në shkollën ushtarake në Tiranë dhe ngriti aty në bashkari disa ekipe sportive me terrenet përkatëse: të basketbollit, skermës, qitjes…
Gjithashtu, kreu disa kualifikime ndërkombëtare për sportin si trajner e si gjyqtar. Ai ngado që ikte linte pas emnin e mirë dhe ngado që shkonte sillte shpresën e madhe për sportet…

20.

Rexhep Rama, si rrallkush, kishte sy e dorë në përzgjedhjen e elementëve të rinj që në vite ktheheshin në emblema të sportit shqiptar.

Kur shërbente ushtarak në Vlorë e pikasi dhe e përgaditi deri për portier të kombëtares shqiptare të riun italian Giacomino Poseli, i mbetur aty pas luftës së fundit.

Në Ballkaniadën e Futbollit (7-13 dhjetor 1946) Shqipëria u shpall kampione e Ballkanit, ku për fitoren ishte faktor i kyçtë dhe ky portier i përzgjedhur nga Rexhep Rama. Ky ishte i pari dhe i fundit portier i huaj deri në kapërcyell të shek. XXI.
Gjithato personalitete të sportit shqiptar si mjeshtrit e merituar të sportit Petrit Murzaku, Skënder Plasari…, gjyqtari i FIBA Virgjil Karaj, etj. ia dedikojnë shpirtnisht e botnisht, tërësisht a pjesërisht, udhën e arritjet e tyre sportive.

Rexhep Rama “i dha dorë” ish skënderbegasit Petrit Murzaku në marrjen me sportet basketboll, futboll, volejboll e boks saqë në San Peterburg (BRSS-Rusi) ia akorduan medaljen e artë “Trud” dhe e quajtën “kombinat sportiv”. Ai e cilëson atë jo vetëm trajnerin e parë, po edhe “trajnerin e jetës” dhe shton në vlerësimin e tij: “Është një pedagog dhe mjeshtër i madh. I pa lodhur, modest, serioz në çdo punë, model, i dashur, tejet komunikues, bashkëshort, prind dhe gjysh shembullor” (Vepra “Profesor Rexhep Ramaj…”f. 23).

Gjyqtari ndërkombëtar V. Karaj, sportist e jurist, e krahasimon Rexhep Ramajn si “kolos” e “senator” të sportit shqiptar, i cili “iu impononte respekt, kishte një objektivitet absolut në gjykim” dhe “mbi të gjitha ai nuk merrte përsipër të zgjidhte një gjë që nuk e kishte zgjidhur më parë në mendjen e tij”(Po aty, f. 43)

21.

Të gjitha këto arritje i pati vetëm në pesë vite të pasluftës, në ato vite të vështira të rindertimit të Shqipërisë së pasluftës kur Rexhep Rama veprimtaronte në Tiranë e në Vlorë për (ri)ngritjen e sporteve dhe arritje të larta sportive në veprimtari (ndër)kombëtare.

Dekada ’50 e gjen në detyrën e inspektorit në Komitetin e Fizkulturës të Tiranës e tevona si nevojë e kohës e meritë vetjake u zgjodh dhe kryetar i tij. Përgjatë kësaj kohe rrezatonte. Ishte në kulmin e moshës e të arritjeve. Në kryeqytet i dha sportit dimensione e lartësi, masivitet e cilësi.

Një nga personalitetet e sportit shqiptar, Nexhmi Kadiu, në monografinë “Profesor Rexhep Ramaj…”(f. 44) kallxo’ një episod nga koha kur KSHKFS ishte në vartësi të Ministrisë së Shëndetësisë. Asokohe, në analizë vjetore të sporteve, dr. Ibrahim Dervishi, ministër (1955-’56), ia dha fjalën Rexhep Ramës tue iu drejtue publikisht, krejt veçantë: “Fol o i gjatë, i rrallë, i mençëm”.

22.

Ishte viti 1949. Sportisti, trajneri e gjyqtari shqiptar, Rexhep Rama, u martua me dashuri me një çikë me origjinë të kahershme shqiptare, me Milicën, e lindur në Beograd.

Ajo ishte “një qytetare dinjitoze jugosllave”(f. 21), një “grua madhështore” (f. 39) si e mirëcilëson dhe i nderuari prof. dr. Qemal Shalsi, Mjeshtër i Merituar i Sportit,

Trajner Kombëtar, Nderi i Sportit Shqiptar.

Kjo martesë me Milicën (Vera) i shenjoi dhe largimin nga pedagog në Shkolla Ushtarake në Tiranë e çuarjen inspektor në KKFS të kryeqytetit shqiptar.
Ka i’ herë vala a dallgët e luftës së klasave nga larg, lart e afër, e goditën Rexhep Ramën, njeriun misionar të sporteve që siç e thoshin vazhdimisht bashkudhëtarët e tij: “e zbuste edhe gurin”, “kishte potencial për gjithçka”… apo siç thotë “Mësuesi i Popullit”, komentatori sportiv Ismet Bellova “e kishim idhullin tonë, ishte frymëzimi ynë”(f. 23).

Ahmet Golemi, gazetari e shkrimtari sportiv e sportisti boksier, që e kishte Rexhep Ramën pedagog, trajner dhe mik, e krahasimon atë me një “lartësi ambiçioze” tue thanë se “në optikën e shumkujt mbi maja (mali) si metaforë do t’i shkonte për shtat” këtij “kolosi” me kontribute nismë e traditë “në ndërtimin e themeleve të disa sporteve”…dhe, njëherash, ia skalit portretin me spektrim fizik, virtyt e vlerë me përshkrimin si “trup i derdhur e i lartë dhe karakter i drejtë e i papërkulur. Në të foluren, në ritet e mirësjelljes dhe të edukatës dhe deri në të ecurit e tij e lexon shpejt njeriun stoik…”, pasi ai ishte “Njeriu që i kanë hequr kapelen të gjithë…”.
Milica jetoi në shenjtërinë e vet, pa dit’ e pa dasht me i ba kujt keq dhe tue nda plot rrezatim mirësi, ndere, mirënjohje. Ajo (para)gjykohet keqas, dallash, atë ditë e sot, tash 65 vjet, në gjalljen e pasvdekjen e saj, si e huaj: herë si serbe, herë si malazeze, herë si boshnjake…Politika, kulisa klanpolitike, nganjëherë është e pashpirt dhe e pafytyrë si me kit’ fakt vegëz të prejardhjes së Mamicës (Verës). Kjo politikë e sulmoi jo vetëm shokun e saj të jetës, Rexhep Rama, po edhe fëmijët e saj, edhe dhëndrrin e saj Sali Berisha – politikan i niveleve (ndër)kombëtare, si dhe nipërit e mbesat e saj e, këto ditë tetori, deri edhe stërmbesën e saj. Sulme në katër brezni. Si rrallëkund në botë. Si rrallëkend apo, ndoshta, si askend në Shqipëri.

A nuk e kishte edhe Ismail Qemali “babai i Pavarësisë”, themeluesi e kryetari i parë i shtetit shqiptar modern, gruan e tij greke, Kleoniqi Anton Surmeli nga Adrineja, e lindur në Bullgari e vdek në Spanjë, e cila me status e protokoll të sodit ishte “Zonja e Parë e Shqipërisë”(1912-’14)?!

Prof. dr. Ilia Gaxho teksa kujton me nderim Rexhep Ramën e familjen e tij pohon realisht: “Fatmirësisht i kam pasur edhe komshi. Edhe në pallat familja e tij ishte shembullore. Me dashamirësi zgjidhte probleme. Bashkëshortja e tij, Milica, provoi represionin e diktaturës dhe mbeti gjithmonë bujare e plot gaz…”(Po aty. f. 77)

23.

Milica Rama në rrënjët e saj genetike rrjedh nga fisi shqiptar i Kuçit, nga treva etno-historike tredegëshe: Kuçi i Vjetër, Kuçi i Ri (Drekalët), Triepshi (Trieshët).
Ky fis i lashtë e i madh, sipas akademik Mark Krasniqit, “kishte shtrirje territoriale në juglindje të bjeshkëve Bërda deri në veri tek Bjeshkët e Komit, në perëndim nga lumi Moraça dhe dega e tij Malla Rijeka, nga jugu tek rrafshina Dolani (në veri të Podgoricës) dhe bjeshkët e anës së djathtë të lumit Cem, nga lindja deri në pellgun e epërm të lumit Vermosh”.

Etnia shqiptare e Kuçit dëshmohet dhe nga “Historia e Popullit Shqiptar”(Tiranë, 2002), “Fjalori Enciklopedik Shqiptar” (Tiranë, 2008), etj., nga historianë shqiptarë në Shqipëri, Kosovë, Malin e Zi, etj., nga albanologët Franz Baron Nopça, Karl Palç, Edith Durham, etj., nga vet vojvoda gjakatar Mark Milani i kultivuar, kulmuar e flakur nga sllavët e Malit të Zi e Krajl Nikolla i Parë.

Kuçi për herë të parë figuron tek emni i ndërtimtarit të Manastirit të Deçanit (1327-1335) françeskani Vita Kuçi, i ardhun nga Kotorri (degëzim i Medunit), tek emni i njërit nga pronarët e truallit të saj, Haka Kuçi, si dhe brenda rrethojave të manastirit është varri i një qytetari kuçiot, ndërsa në Tuz (1335) përmendet Pjetër Kuçi, etj.
Vojvoda Dre Kali (Drekali) i Kuçit të Ri, të cilin gojëdhanat e lidhin edhe me dinastinë e Skënderbeut, la pasaradhës genetik e fronësor Lalë Drekalin (me 1.500 luftëtarë nën armë), kont, hero i madh i kombit shqiptar.

Ky, Drekali i dytë, ishte një nga (krye)organizatorët i Kuvendit tek Manastiri i Moraçës (1608) në afri të Liqenit të Shkodrës, në trollin e Hotit, me krerë shqiptarë, serbë, malazezë e maqedonas; i Kuvendit të Kuçit (në dy seanca, 15 korrik e 3 shtator 1614), i mbledhur në kullën e tij, si i pari kuvend me përmasa të përgjithshme ballkanike; i Kuvendit të Prokuples (1616) e i Kuvendit të Belgradit (1620), me përfaqësues të shumtë nga trevat etnike shqiptare dhe nga vendet fqinjë.

Në shekuj Kuçi u sulmue nga të gjitha krahët sipas strategjisë serbo-malazeze-ruse, kryesisht nga malazezët e otomanët. Një pjesë e Kuçit u detyruan me iu nënshtrue pushtimit e aneksimit malazez, ndrruan identitet nacional e fetar. Një pjesë tjetër mbeti shqiptar trojenik, sidomos Triepshi në komunën e sotme urbane të Tuzit. Një pjesë e madhe u shpërngulën haptas bregdetit shqiptar deri në Kotorr, po kryesisht shtegtuan në Shqipërinë e Veriut përgjatë brigjeve të Drinit, Tarës, Limit, Sitnicës…deri dhe në Beograd, tue mbajt mbiemrat Kuçi, Berisha, etj.

Paraardhësit e Milica Ramës deri në shek. XVII ishin shqiptarë kuçiotë të fesë katolike, të cilët u përballën në luftë me otomanët e u bulatën prej tyre dhe një rrem u shkul nga Kuçi tue u kthye në shtetësi malazeze e në fe ortodokse diku në Kolashinin etnik shqiptar e me popullsi shqiptare e, prej atyhit, tevona, shkuan dekteri në Beograd e u njoftën atje si shtetas serb. Në Beograd kishte dhe të tjerë të vllaznisë së vet nga kah tjeter, udhë tjetër, të shkuem atje ma herët.

Milica, pas ardhjes së saj në Shqipëri (1949) u rikthye në identitetin e vet të moçëm shqiptar tue u ba në tanësinë e saj ma shqiptare e vërtetë se qindra mijë shqiptare të linduna e rrituna në Shqipëri e në treva shqiptare në Ballkan.

Në kit’ realitetim të ri të saj ndikoi edhe ajo që thotë sportisti, kryetrajneri e pedagogu i njohur Met Spahiu: “Profesor Rexhep Rama ishte në kuptimin e plotë të fjalës “burrë malësije për punë, mend e kuvend”…Në biseda nxirrnim mallin për vendlindjet tona…(Plavë-Gucia e Kosova). Unë pasionant, ai si zakonisht i matur dhe i ekuilibruar. Ishte me kulturë të madhe, po unë do ta vemë shumë në histori e gjeografi. Imtësisht me data e ngjarje, fliste për Kosovën, Malin e Zi dhe Çamërinë. Prej tij kam dëgjuar ato që nuk m’i kishin treguar të tjerët. Edhe Ballkanin e Evropën i njihte shumë mirë…Rexhepi marazin e kishte edhe me Enver Hoxhën, sepse ai kur shkoi në Jugosllavi për vizitë i ftuar nga Tito e takoi nanën e Miladin Popoviçit, ndërsa në Kosovë nuk vajti për të takuar kosovarët…”(Vepra “Profesor Rexhep Ramaj…”f. 65-66).

Sigurisht, Milica, nën kit’ tokë që nuk na ndie e në mbi qiell që na sheh, duhet me thanë mirësisht se e ka krye misionin e saj të shenjtë në kit’ e atë botë: si bashkëshorte e denjë e Rexhep Ramës, si nanë brilante e tre fëmijëve, Lirisë, Agimit e Vjollcës (me emna simbolik), si gjyshe engjëllore me shumë nipa e mbesa deri në katër breza genetik.

Mjeshtre e Merituar e Sportit, Marjeta Zaçe–Pronjari, deputete, ish Sekretare e Shtetit për Sportet, ndan me lexuesin kujtime të saj për Rexhep Ramën: “Do ta konsideroja edhe më tepër fat, njohjen me zonjën e bashkëshorten e tij, “Mama Milica” siç e thërrisnin mbesat e saj, që së bashku ishin një çift model, përsa i përket marrëdhënies se tyre, mënyrës së komunikimit dhe komportimit që ata përcillnin në familje e shoqëri. Ato cilësi, ata i pasqyronin në pamjen e tyre fisnike, të trashëguar fatmirësisht edhe tek fëmijët e tyre”

24.

Mjekësia dijenon se n’afro njëqind trilionë qelizat e trupit të njeriut gati 300 milionë të tilla vdesin në minutë e njejtësisht zëvendësohen e ripërtërihen ato, po në trupin e ditët e Rexhep Ramës (Balidemaj) kurrë nuk ka vdek astenjiherë qelizë e dashurisë e veprimtarisë për trianinë e tij të shenjtë: Familjen, Kombin, Sportin.

Në zemrën, mendjen e sytë e tij, në hapat fjalë e punë të tij, e kishte Shqipërinë Etnike, Natyrale, të Vërtetë. Ma shumë se kushdo tjetër kit’ realitet shpirtëror e jetësor të Rexhep Ramë Balidemajt e mirëdijnë ata që e kanë njoft nga afër apo ia kanë ndie zanin nga larg.

Ai, në kapërcyell të 80-viteve e përjetoi madhërisht Lirinë e Kosovës (1999). Ne shek. XXI priste një tjetër Ditë të Madhe, historike: Pavarësinë e Kosovës, shpalljen e saj Shtet i Pavarur e Sovran. Kjo ndodhi më 17 shkurt 2008. Atdhetari kombëtar Rexhep Rama Balidemaj kësokohe ishte në Amshim. Atje…e festoi hynisht…

25.

Rexhep Rama nuk kishte vetëm një shpirt të madh e jetë të mirë, po edhe një kulturë të lartë. Të tria janë brumë i përbashkët i një njeriu model. Ai, qyshce kur ishte në Gjimnazin e Shtetit në Shkodër ishte i dhanun pas Fishtës së Madh, mbajamend i vargjeve e nderues i figurës së tij. Në Akademinë Ushtarake në Milano, kujtojnë miqtë e tij, se ishte simpatizant i piktorit të madh shqiptar Ibrahim Kodra. Ai çmonte lart Kadarenë e Agollin…Sulejman Krasniqin, Ali Podrimjen…dhe gjithata poetë e shkrimtarë nga Kosova që iu botoheshin veprat në Shqipëri. Për sportet ishte lektor e referues i përhershëm tek specialistët e trainerët përmes teksteve, programeve, sesioneve dhe takimeve shkencore.

26.

E pat’ thanë parisieni i madh G. D. Moppasan para dy shekujsh: Në se nuk do të harrohesh pas vdekjes ose shkruaj gjëra me vlerë për t’u lexuar ose bëj gjëra të vlefshme për t’u shkruar”. Rexhep Ramës i përkasin të dyja. Është koha t’ia japim në motmote.
Ai ka shkrue shumë programe mësimore të edukimit fizik e ushtarak që Ministria e Arsimit ua ndante shkollave të mesme për proçesin mësimor. Atyne nuk iu vnohej emni i tij dijetar profesional, si autor real. Ashtu ishte koha e kriteret e saj. Po, ndër vite, shumkush me to ka marrë tituj e grada shkencore. Ani, s’ua kqyri e as nuk iu lypi të drejtë autori në referime e botime, as nuk i skuqi sy nesh. Mirë ia bani. Nuk kish kohë e as nevojë.

Ai nuk pati tituj e grada shkencore nga institucionet e shkencëbërjes, po në brezat e nxanësve e të studentëve të tij, të sportistëve të tij, në shumësi edhe të popullit sportdashës, nuk u thirr e as nuk u njoft ndryshe veç me titullin shpirtëror, popullor, meritor: “Profesor”.

Sigurisht, po ndodh dhe kjo tjetra. Ai ka plot gjana visare e vlera në jetën e veprimtarinë e tij për t’u shkruar nga të tjerët. Akademik Gudar Beqiraj e prof. dr. Qemal Shalsi e kanë kanë botue një monografi (2009). Ka dhe një film dokumentar. Ndër vite ka hyrë në dhjetra libra e qindra shkrime. Poligoni i qitjes i klubit sportiv “Studenti” në Tiranë, sipas një vendimi të do’kohshëm të Ministrisë së Arsimit e Shkencës, e mban emnin e tij. Në qitje organizohet dhe kupa “Rexhep Ramaj”…Ende koha po ia gdhen portretin, po ia jep meritat qytetarit të lirë e të mirë të Gucisë, Shkodrës, Tiranës, Vlorës, Milanos…Botës, njeriut të mirë e rekordmen në kohna e sporte.

27.

Rexhep Rama kishte tre universitete, po dinte dhe katër gjuhë të huaja.
“Mjeshtri i Merituar i Sportit” e “Nderi i Sportit Shqiptar” kujton se Rexhep Rama, në dy turne ndërkombëtar të boksit,si më 1958 në Armeni fliste në gjuhën ruse, ndërsa më 1950 në Gjermani ligjëronte në gjermanisht e me trajnierin gjerman me origjinë italiane i fliste në italisht (Vepra “Profesor Rexhep Ramaj…”.f. 60).

Mjeku patolog Safet Këlliçi në spitale të Tiranës dhe i ekipit “Studenti” tregon se në një udhëtim për në Turqi me ekipin e volejbollit meshkuj, Rexhep Rama fliste rusisht në pikat doganore në Maqedoni e Bullgari, ndërsa në Stamboll fliste anglisht. (Po aty. f. 66).

28.

Rexhep Rama ka krye detyra të ndryshme në institucione të larta të sportit shqiptar si Sekretar i Federatës për Sportet e Rënda dhe Qitjen në Komitetin Shtetëror të Kulturës Fizike e Sporteve. Antar i Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar dhe antar i Komitetit Ekzekutiv të tij për disa vite. Në tre mandate ishte President i Federatës të Qitjes. Mjeshtri i Sportit Fidel Ylli, deputet i PS për Qarkun e Beratit (prej 2009), ndër vite Kampion Kombëtar i Mundjes për të gjitha grupmoshat e Trajner Kombëtar i Mundjes, tue pasë një njohje për mirë e jep një vlerësim tejet të lartë: “Profesor rexhep Ramaj mbetet figura më e rrallë,më e madhja dhe më e shquara e sportit shqiptar.Kam kënaqësinë e madhqë kujtohet dhe vlerësohet me shumë respekt, sepse ishte i jashtëzakonshëm” (Monografia “Profesor Rexhep Ramaj…”. f. 58-59)

Rexhep Rama është nderuar me tituj “Mjeshtër i Madh” nga Presidenti i Shqipërisë (2008) dhe “Mësues i Popullit” si dhe me “Urdhër Olimpik”, etj.

29.

Në dimër 2003, vet i tretë: me Avdyl Sherif Dedushaj – i Vuthajve të Gucisë e Shaban Xhemë Mehaj – i Hotit të Plavës, në ndeje të mirë tek bar-restoranti “Debal Gardens” në Brooklyn, kuvenduam me pronarin e saj, Dema Balidemaj, prejce nga Dekada ’80 një biznesmen bukëpastër, një bajemirë i haptë e i hoptë veçmas për artistë zamëdhenj të kombit, njerëz të njohur të letrave shqipe e shoqërisë civile, mik familjar i lartësisë shqiptare Kadare, veprimtar e ndihmatar i Federatës Pan-Shqiptare “Vatra”, i Qëndres Shqiptare të Studimeve Amerikane e Britanike, etj.

Prej atëhrit e ruaj në “busullen morale” të trurit tim e shpesh herë e lëshoi si margaritar në biseda me kundërthënie, kahje e krahë me ndokënd këto fjalë të tij: “Rexhep Ramës të Balidemajve, kusherinit tonë, ia kishim ndie zanin për mirë në Martinaj të Gucisë, e këtu në Nju Jork, po asnjëherë nuk jemi takua bashkë vetëm me hapjen e Shqipërisë drejt Demokracisë kur ai erdhi në fillim të vitit 1994 për vizitë pune nga Shqipëria në Amerikë. Në këtë restorant organizuam një simpozium shkencor për 50 vjetorin e Konferencës së Bujanit. Atëherit e kisha një merak të madh: mos ia kishte dëmtue fytyrën e shpirtin ajo kohë e komunizmit. Ato ditë venerova, mësova e përjetova diçka shumë të madhe: Rexhepi kishte mbet’ i pastër. Ishte burrë. i lartë… “.

Ramiz LUSHAJ

 

Shkrue në Tiranë, 2014.

__________________

Disa nga burimet e literaturës:

1.-Prof. dr. Qemal SHALSI & akademik Gudar BEQIRAJ “Profesor Rexhep Ramaj model i intelektualit të përsosur 1920-2006”. Grand Prind. Tiranë, 2009.

2.- Ramiz Lushaj. Shqiptarët në Malin e Zi. Vepër në dorëshkrim.

3.- Agron SEJAMINI. Përtej madhështisë: personalitete te sportit. Tiranë. 2015.

4.- Ahmet Golemi. Vepra: “Plejada e olimpistëve” / Profile / Pjesa e parë. Tiranë, 2006.

5.- Feti Borova. Basketbolli në vendin tonë. Toena. Tiranë. 2006.

6.- Ilir Doko Sporti Shqiptar 1900-1946. MTKRS. Tiranë. 2010.

7.- Shpëtim Sala. Parathënie” tek monografia “Sporti Shqiptar 1900-1946. (fq. 15-23 të saj) / Etj.

8.- Gazeta RD, Tiranë. 25 shtator 2008 / Etj.

9.- Literatura historike: Gjergj Fishta. “Lahuta e Malcies”. Zarë, 1925 / Mark Krasniqi. Gjurmë e gjurmime. Prishtinë. 1979 / Franc Nopça “Nga Shala në Kelmend. Përkthim. Sarajevë. 1910 & Fiset e Malësisë së Shqipërisë Veriore dhe e Drejta Zakonore e tyre. EneaS – Botimet Albanologjike. 2013 / Elmaz B. Plava. Plava e gucia në Lëvizjen Kombëtare Shqiptare. Përshtati për botim e me ilustrime: Marenglen Verli /Botim i plotë: Marlin Barleti. Tiranë. 2001 / Rexhep Dedushaj: “Krahina e Plavë-Gucisë nëpër Shekuj”. New York, 1993 & “100 vjet luftë”. New York. 1999 / Lulash Palushaj. Malësia dhe fiset e saj – shënime historike. Boti Gjergj Fishta Lezhë. Pjesa I – 1996 & Pjesa e Dytë – 2010 / Gjon Vuksani. Kelmendi i lashtë dhe kështjella e tij: në kërkim të origjinës. Baron. Tiranë. 2012 / Kolë P. Berishaj. Malësia e Madhe. Etnografi. “Gjergj Fishta. Tiranë. 2001 / Gjovalin Gruda & Selman Sheme. Këlmendi – vështrim gjeografik e historic. Camaj-Pipa. Shkodër. 1998 / Lulash Palushaj. Malësia dhe fiset e saj – shënime historike. Boti Gjergj Fishta Lezhë. Pjesa _ – 1996 & Pjesa e Dytë – 2010 / Etj.

10.- Gazeta: “Nju York Daily Tribune”. SHBA. 20 prill 1903 / “The Sun” SHBA. 28 korrikut 1907 / “Nju Jork Times”. SHBA. 21 majit 1911 / “Le Petit Journal”. Francë. 28 maj 1911 / Fortuna Balidemaj “Dritë në zemër”. Klubi i Shkrimtarëve. Pejë, 2012 / Etj.

11.- Fortuna Balidemaj “Dritë në zemër”. Klubi i Shkrimtarëve. Pejë, 2012 / Etj.

_____
Në foto: Rexhep Rama Balidemaj dhe fshati i tij i lindjes, Martinajt në Plave-Guci.