Ballina Bota Një mikeshë e vjetër e shqiptarëve në Shtëpinë e Bardhë

Një mikeshë e vjetër e shqiptarëve në Shtëpinë e Bardhë

Nga FRANK  SHKRELI – SHBA

Këshilltari i ri i dhe i treti mbrenda një viti i Presidentit Trump për Sigurimin Kombëtar, Xhon Bolton emëroi të hënën Mira Ricardel si zëvëndëse të tij.  Në një njoftim për median, Z. Bolton tha se zgjodhi pikërisht Mira Ricardel si zëvëndëse të tij në Këshillin e Sigurimit Kombëtar, “Për arsye të përvojës së saj të gjithanëshme, përfshirë çështjet e sigurisë kombëtare që kanë të bëjnë me aleancat tona, me mbrojtjen kombëtare, me sigurinë e teknologjisë, me ndihmën e jashtme dhe me kontrollin e armëve”, u shpreh Këshilltari i ri i Sigurimit Kombëtar i Presidenti Trump, Xhon Bolton.  “Njohuria e saj politike dhe përvoja e saj në depaartamente të ndryshme të qeverisë federale e bëjnë atë një anëtare të rëndësishme të Këshillit të Sigurimit Kombëtar”, shtoi Z. Bolton në njoftimin për emërimin e Mira Ricardel në këtë detyrë të rëndësishme të sigurimit kombëtar.

Emri i Mira Ricardel është i njohur mirë në radhët e komunitetit shqiptaro-amerikan, veçanërisht në radhët e atyre që bënë lobizmin në favor të kauzave shqiptare në Washington, fund dekadën e 80-ave dhe në fillim të 90-ave, që ishte kulmi i këtij aktiviteti, sidomos në mbrojtje të Kosovës, por edhe të  demokratizimit të Shqipërisë dhe në mbështetje të drejtave të shqiptarëve anë e mbanë trojeve tona.

Karierra e saj politiko-ushtarake në Washington përfshinë përpilimin dhe zhvillimin e politikës së jashtme dhe të mbrojtjes në detyrat që ajo ka ushtruar në Departamentin Amerikan të Shtetit, në Departamentin Amerikan të Mbrojtjes, si zëvëndës sekretare për Euro-Azinë dhe ndihmës sekretare si dhe këshilltare kryesore e Sekretarit Amerikan të Mbrojtjes dhe aktualisht si Zëvëndës Sekretare e Departamentit të Tregëtisë, nga ku u ftua që të transferohej në Këshillin e Sigurimit në Shtëpinë e Bardhë.  Gjatë viteve, ajo ka punuar për tri administrata të ndryshme amerikane.

Përveç detyrave të ndryshme në nivele të larta të legjislativit dhe të ekzekutivit, Mira Ricardel ka shërbyer edhe si nën-drejtoreshë e entit jo qeveritar për të drejtat e njeriut, Freedom House në Washington.  Para se të fillonte punën për qeverinë federale, ajo kishte punuar për nja 10-vjet për kompaninë e madhe aeronautike Boeing.  Ajo është edhe anëtare e Komitetit për Punët e Jashtme, një ent privat që i dedikohet studimit të Politikës së Jashtme.  Përvoja e saj, mbi të gjitha, përqëndrohet në fushën e politikës evropiane dhe euro-aziatike, marrëdhëniet me NATO-n, forcat bërthamore, mbrojta e raketave dhe kontrolli armëve, në përgjithsi.

Fillimisht, unë dhe shokë të tjerë të komunitetit shqiptaro-amerikan e kemi njohur Mira Ricardel nga koha që ajo punonte për ish-Senatorin Bob Dole në fillim të 1990-ave.  Ishte gjatë asaj periudhe që Mira Ricardel filloi të mësonte dhe të interesohej për çështjet shqiptare, pasi Senatori Bob Dole ishte në atë kohë i mirë informuar dhe mjaft i interesuar për fatin dhe mbi gjëndjen e shqiptarëve në Ballkan, si në Kosovë ashtu edhe në Shqipëri.  Në të vërtetë, ajo që e bëri edhe më të lehtë komunikimin e përfaqsuesve të komunitetit shqiptaro-amerikan me Mira (Radieloviq) Ricardel — si përfaqsuese e njërit prej mbështetsve më të mëdhej të interesave të shqiptarëve në Senatin amerikan, Z. Bob Dole — kur morëm vesh se ajo rrjedhte nga një familje kroate dhe ishte mjaft e sensibilizuar mbi zhvillimet e asaj kohe në Ballkan.

Në atë periudhë, Mira Ricardel punonte për Senatorin Dole si ndihmëse legjislative dhe këshilltare për politikën e jashtme dhe të kontrollit të armëve.  Ndoshta për origjinën e saj si kroate, Senatori Dole e kishte caktuar gjithashtu që të shërbente si ndërlidhse e Senatorit Bob Dole me komunitetin shqiptaro-amerikan, gjatë një decade shumë të vështirë shqiptarët, sidomos për fatin e Kosovës.  Në këtë rol, ajo shërbente gjithashtu edhe si ndërlidhse midis individëve dhe grupeve të komunitetit shqiptaro-amerikan dhe senatorëve të tjerë –republikanë dhe demokratë — siç ishte ndër të tjerë, Kryetari i Komisionit të Senatit për Punët e Jashtme, Senatori Claiborne Pell, i cili mezi kishte pritur të vizitonte Shqipërinë menjëherë pas shembjes së komunizmit në Mars të vitit 1991, menjëherë pas rivendosjes së marrëdhënieve diplomatike midis dy vendeve tona mike.   Biznismeni i njohur shqiptaro-amerikan Xhim Xhema ishte mik i ngushtë i Senatorit Bob Dole dhe më kujtohet fakti se gjatë asaj kohe, në të vërtetë për disa vite, vinte nga Nju Jorku në Washington, të pakën dy tre herë në javë për takime me senatorë e kongresmenë me qellim për të bashkrenduar me ta politikën amerikane ndaj shqiptarëve dhe kauzave të tyre, në mbrojtje të të drejtave të tyre. Për të interesuarit, mund të lexoni më shumë hollësi në lidhje me aktivitetin e Z. Xhema, në këtë link http://telegraf.al/opinion/xhim-xhema-shqiptaro-amerikani-qe-i-qiti-telashe-te-medha-serbise-se-milloshevicit-1487593260

Por ishte Mira Ricardel, e emëruara dje si Zëvendës Këshilltare e Sigurimit Kombëtar ndërmjetsja midis Kongresit dhe komunitetit shqiptaro-amerikan kryesuar nga Xhimi Xhema dhe të tjerë udhëheqës të komunitetit shqiptaro-amerikan të angazhuar seriozisht dhe pa kurrfarë interesi personal në mbrojtje të çeshtjes shqiptare.  Në ish-zyrtaren e Kongresit amerikan, komuniteti kishte një kontakt të drejt për drejtë dhe të tanimë të mirë informuar për gjëndjen e shqiptarëve dhe shkeljet e të drejtave të tyre, dhe se ç’po ndodhte në fillim të 90-ave në Ballkan dhe parashikimet se ç’mund të ndodhte në vitet e ardhëshme në atë rajon.  Më kujtohet se ashtu siç ishte rasti edhe me të tjerë zyrtarë të ndryshëm amerikanë, Mira Rikardel shprehte pikëpamjet e saja, privatisht dhe zyrtarisht, kundër politikës së Beogradit në territorin e ish-Jugosllavisë, përfshirë Kosovën.

Megjithse kanë kaluar aq shumë vite qyshë nga fillimit të 90-ave dhe shumë gjëra kanë ndryshuar, fatbardhësisht, për më mirë për gjëndjen e shqiptarëve në trojet e tyre autoktone, mbeten ende çështje të pazgjidhura për shqiptarët, siç janë të drejtat e barabarta për shqiptarët në Maqedoni, për shqiptarët në Kosovën Lindore, në Mal të Zi dhe gjetkë.  Sipas disa të dhënave Mira Rikardel ende mbetet e interesuar për çështjet shqiptare edhe pas aq shumë vitesh, megjithse detyra të larta në administratat e më pastjame ka zgjëruar horizontin e saj përtej politikave të Ballkanit dhe natyrisht nuk shërben më si ndërlidhëse me komunitetin shqiptaro-amerikan. Por, megjithkëtë merret vesh se në fillim të prillit ajo është takuar me Haxhi Dautin, Kryetarin e Këshillit Kombëtar Shqiptar, i cili përdori rastin të falënderonte miken e njohur e të vjetër të shqiptarëve dhe zyrtaren e lartë të Ministrisë së Tregëtisë, Mira Ricardel. Për punën që ajo ka bërë gjatë karrierës së saj në detyra të larta në tri administrata të ndryshme të Shteteve të Bashkuara, ai e falënderoi atë për kontributin e vazhdueshëm dhe për ndihmën që ajo ka dhënë për çështjet shqiptare gjatë viteve, sidomos gjatë periudhës që punonte në Kongresin Amerikan, në fillim të 1989-1996, për luftën në Kosovë, për çlirimin e Kosovës dhe pavarësinë e saj, për ndihmesën e saj në arritjen e marrveshjes së Ohrit dhe për demokratizimin e Shqipërisë, përfshirë antarësimin e Shqipërisë në NATO.Mira Ricardel i takon një grupi zyrtarësh dhe ish-zyrtarësh amerikanë – të cilët po pakësohen dita ditës, qoftë për arsye moshe ose vdekjesh, me të cilët komuniteti shqiptaro-amerikan ka punuar ngusht gjatë 80-ave dhe 90-ave për mbështetjen e të drejtave të shqiptarëve në përgjithësi dhe për çlirimin dhe pavarësisë së Kosovës dhe për demokratizimin e vërtetë të Shqipërisë, në veçanti. Ndihma dhe mbështetja e Shteteve të Bashkuara për këto kauza dhe të tjera për shqiptarët, është e doemosdoshme edhe sot, sidomos përballë kërcënimeve dhe lakmive historike të putinëve dhe erdoganëve të kësaj bote, ndaj trojeve shqiptare.

            Nevojat janë të mëdha, por fatkeqsisht, as komuniteti shqiptaro-amerikan sot nuk është më i organizuar siç ishte gjatë periudhës së krizave të viteve 80-ta e 90-ta, në kohën kur Mira Ricardel shërbente si ndërlidhse me shqiptaro-amerikanët.  Por sot, fatbardhësisht Shqipëria dhe Kosova nuk janë ato shtete të viteve 80-e 90. Sot këto dy shtete janë të lira dhe të pavarura, me ambasadat e tyre në Washington dhe me ambasada amerikane në Tiranë dhe në Prishtinë. U takon dy shteteve shqiptare që të organizojnë më mirë lobimin pro-shqiptar në Washington dhe të kultivojnë marrëdhëniet në një nivel më të lartë midis dy kombeve tona. Komuniteti shqiptaro-amerikan mund të ndihmojë në këtë pikë, por janë Tirana dhe Prishtina zyrtare që duhet të bëjnë miqë të rid he të rujanë miqtë e vjetër të shqiptarëve në Washington.  As shpërndarja e abetareve në komunitetin shqiptaro-amerikan nga ministritë e reja të diasporës në Tiranë dhe në Prishtinë dhe as dalja në fotografi 80-mijë dollarëshe të udhëheqsve shqiptarë nga të dy anët e kufirit shqiptaro-shqiptar, nuk do të ushtrojnë influencën e dikurshme të lobimit të komunitetit shqiptaro-amerikan në kryeqytetin e Shteteve të Bashkuara dhe as nuk do të sigurojnë mbështetjen jetike të Washingtonit zyrtar për interesat e kombit shqiptar, sot as në të ardhmen.  Nevojitet pra, një angazhim më serioz nga Shqipëria dhe nga Kosova për një lobim transparent bazuar në standardet amerikane, në mbështetje të interesave kombëtare dhe jo për promovimin e interesave të politikanëve të ditës, ose të partive që ata përfaqësojnë.

_____________________

Fotot:

Mira Ricardel / Haxhi Dauti me Zëvëndës ministren e Tregëtisë, Mira Ricardel tani e emëruar si Zëvëndës Drejtoreshë e Këshillit të Sigurimit Kombëtar/ Autori Mark Shkreli.