Ballina Aktualitet INSTAT: Rritet me 12.5% numri i shtetasve të huaj që hyjnë në...

INSTAT: Rritet me 12.5% numri i shtetasve të huaj që hyjnë në Shqipëri

Shqipëria po bëhet gjithnjë e më shumë një vend i preferuar për të huajt, si për turizëm ashtu dhe për vizita pune, apo për biznes, madje edhe për shërbime mjekësore. Sipas statistikave të INSTAT, në tre muajt e parë të vitit kanë hyrë 677 mijë shtetas të huaj, me një rritje prej 12.5% në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë.Në vend të parë vijojnë të qëndrojnë shtetasit nga Kosova, të cilët pas “braktisjes” së vitit të kaluar, i janë rikthyer sërish shtetit amë. Sipas INSTAT, në tre muajt e parë të vitit kanë hyrë 226 mijë shtetas nga ky vend, me një rritje prej rreth 12%. Megjithatë, vendosja e pritshme e tarifës prej 5 euro për vetura për kalimin e rrugës, pritet të ketë një ndikim negativ në fluksin e lëvizjeve nga Kosova. Kjo tarifë u zbatua për pak ditë në prill, por u pezullua pas ankesave të banorëve të Kukësit dhe pritet të rifillojë sërish, ku vetëm për banorët e zonës do të ketë reduktim.

Në Shqipëri kanë hyrë rreth 61 mijë shtetas greke në janar-mars, me një rritje prej gati 19% me bazë vjetore.

Në vend të tretë janë maqedonasit, me rritje 14% për tre mujorin, por që i dedikohet kryesisht janarit, pasi në shkurt dhe mars numri i tyre ka qenë në rënie.

Një tjetër tendencë është rritja e hyrjeve nga shtetasit e Malit të Zi. Ata kanë filluar të preferojnë Shqipërinë., duke u renditur të katërtit, me rreth 75 mijë hyrje, por që i dedikohet janarit, pasi në shkurt e mars ata kanë rezultuar me rënie.

Për Italianët, Shqipëria fqinjë është “zbulimi” i radhës, pasi që vitin e kaluar u konstatua një rritje e fluksit të tyre, e nxitur edhe nga mediat përtej detit që shkruan për bukuritë e natyrës dhe plazheve shqiptare. Edhe këtë vit numri i tyre pritet të jetë i lartë, pasi ka hyrë dh agjencia Alpi Tours. Sipas operatorëve turistikë, preferencat e italianëve janë për jugun e vendit. Për tre muajt e parë të vitit, në Shqipëri kanë hyrë 56 mijë shtetas italianë, me rritje prej 12.3%.

Për shtetasit e tjerë hyrjet kanë qenë më të ulëta sesa 10 mijë. Anglezët, amerikanët, zviceranët, gjermanët polakët kanë ardhur në rritje. Gjermanët kanë shënuar dhe rritjen më të madhe në përqindje, me rreth 19%, por në numër mbeten të pakët (rreth 9,500).

Në sezonin e verës pritet që turistët e huaj të shënojnë sërish rritje. Hotelet kanë raportuar se ata janë prenotuar tashmë, ku kryesorët janë sërish polakët, ka rritje të ukrainase dhe risi këtë vit janë nordikët, që kanë rezervuar në Durrës, përmes agjencisë Apollo.