Ballina ED/OP Brukseli nuk ka vend për Pëllumb Xhufat…

Brukseli nuk ka vend për Pëllumb Xhufat…

Nga Sulejman GJANA

Para disa ditësh, Komuna e Skarbekut në Bruksel lajmëroi mbajtjen më 23 prill (të hënën), të një konference kushtuar Skënderbeut, me rastin e 550-vjetorit të vdekjes së Heroit tonë kombëtar. 

Në lajmërimin dhe ftesat e shpërndara bëhej me dije se ky aktivitet organizohej me mbështetjen e Ambasadës së Shqipërisë në Belgjikë dhe se konferencierët-panelistë të përzgjedhur nga ambasada do të ishin zotërinjtë Pëllumb Xhufi, Lek Pervizi e Safet Kryemadhi.

I kam lexuar me endje e i kam vlerësuar veprat dhe studimet e prof. Pëllumb Xhufit për historinë e vendit tonë në Mesjetë. Në mënyrë të veçantë kam vlerësuar qëndrimet dhe mbrojtjen që ai i bën si rrallëkush në Shqipëri çështjes Çame dhe interesit kombëtar në raport me fqinjët tanë jugorë. Ndaj jam trishtuar shpesh kur ai prej 2 dekadash është pozicionuar hapur si mbrojtës fanatik i historiografisë komuniste lidhur me LDB dhe po aq shpesh edhe si relativizues, justifikues e deri si mohues kokëfortë i krimeve të komunizimit që datojnë qysh nga themelimi i PKSH e deri në ditën e mbrame të diktaturës.

Veçanërisht debati që ai ka nisur, nxitur dhe vazhduar lidhur me kampin famëkeq të Tepelenës dhe krimet e konsumuara aty nga xhelatët komunistë, e ka pozicionuar Xhufin si apologjet të krimeve monstruoze dhe i gjakatarëve në fjalë, duke kompromentuar rëndë figurën e tij morale si historian dhe intelektual me profil të lartë, që guxon të injorojë, të shtrembërojë e të flakë deri edhe parimet e të vërtetat faktologjike.

Pikërisht në këtë kontekst dhe në kulmin e emocioneve që kanë shkaktuar qëndrimet dhe deklaratat e tij, ishte tejet sfiduese dhe arrogante përzgjedhja nga Tirana zyrtare e Xhufit si panelisti kryesor i konferencës së lartpërmendur, ku ky apologjet profesionist dhe pasionant do të referonte bash para ish viktimave të mbijetuar të krimeve e torturave të diktaturës dhe bijve të mërgatës antikomuniste të Brukselit.

Bijtë e kësaj mërgate, lindur dhe rritur në demokraci, madje në mes të kryeqytetit zyrtar të Europës ku duam ta integrojmë Shqipërinë, janë edukuar që të bashkëjetojnë me të ndryshmin dhe kundërshtarin e ideve. Ndaj ata që përkundën e përkundin djepat e bijve të tyre duke mëkuar e derdhur atdhedashuri por edhe urrejtje për sllavokomunizmin, në kushte normale do ta pranonin si panelist Xhufin edhepse ky, në shtëpinë e tij, prej dekadash përkundi dhe ende përkund djepat e stërnipave të Enver Hoxhës. Do të pranonin të bashkëbisedonin me medievalistin e shquar Xhufi për: çështjen tonë kombëtare të pazgjidhur; për autoktoninë antiko-mesjetare në trojet tona etnike; për të drejtat kombëtare e pronësore të mohuara në Greqi; për marrëveshjen e detit; për Zajednicën; për të drejtat kombëtare, njerëzore e pronësore të mohuara e të cunguara në pjesën veriore të Mitrovicës, në Maqedoni, Malin e Zi, Metohi, Sanxhak, në Luginë e në mbarë Serbinë.  

Sikur “këpucari” të qëndronte tek “këpuca”, sikurse këshilloi Napoleoni, do të pranonim të bashkëbisedonim me të për Skënderbe-Heroin e përbashkët, të cilit me fondet e grumbulluara anembanë botës nga emigracioni i vjetër antikomunist dhe peshën politike të merituar ia ngritëm përmendoren në mes të Brukselit 50 vjet më parë, bash në komunën e Skarbekut, në jubileun e 500-vjetorit të vdekjes.

Sikur të mos na lëndonte aq shumë, do të pranonim ta dëgjonim e të mos ia përmendnim akademikut Xhufi synimin e heshtur të Enverit për të na zhbërë nga shqiptarësia nëpërmjet shkombëtarizimit gradual me ndihmën e kohës, harresës së programuar e asaj biologjike, multikulturalizmit mbytës metropolitan dhe globalizmit asgjësues të identiteteve kombëtare.

Natyrisht që apologjetit akademik, prej finikërie e jo prej tute, nuk do t’ia ndërmendnim faktin se nga pasuritë e konfiskuara në atdhe pas LDB nga lufta e klasave dhe nga fitimet kolosale prej punës së papaguar në kampe e burgje, deri në “kursimet” shtazarake të ushqimit dhe kushteve të “jetesës”, Enveri dhe regjimi i tij nuk kursyen asnjë shpenzim për asgjësimin sitematik të nacionalistëve antikomunistë që përbënin dhe përbejnë shtresën e shëndoshtë të ish-të përndjekurve dhe burgosurve politikë; shtresë në të cilën emigracioni i vjetër politik e ka identifikuar dhe e identifikon vetvetën si pjesë e pandarë e saj.

Çuditërisht dhe me shkujdesje të habitshme, me aktivitetin e programuar Tirana zyrtare sërish e sfidoi dhe e ofendoi mërgatën antikomuniste që jeton prej dekadash në Bruksel teksa bash pa u shuar debati ngjethës, i vendosi Pëllumb Xhufit në krah një ish-të përndjekur si Lek Pervizi (?). Dhe për këtë u sajua kjo tribunë në Bruksel, prej ku akademikut do t’i jepej mundësia për t’u kumtuar të gjithë kundërshtarëve të vet në Shqipëri se “mua më njeh Brukseli dhe nuk pyes për ju”, se “ju jeni fanatikë të pandreqshëm”, se “në krah më rri nëpër konferenca një ish-i internuar i kampit të Tepelenës dhe ai nuk ka asnjë problem me mua, pasi e di që nuk gënjej”, etj., etj.. 

Mirëpo, me sa duket, qeveria shqiptare (që ende i përdor ambasadat për llogari politike) i kishte bërë hesapet pa hanxhinë, teksa harroi se Europa demokratike është ndërtuar edhe mbi bazën e vlerave e parimeve më të larta morale e njerëzore. Dhe si një prej parimeve të tilla të shenjta spikat injorimi i negacionistëve të vuajtjeve të komuniteteve, racave e popullsive të pafajshme, krahas injorimit të të pa-penduarve, apologjetëve të diktaturave dhe glorifikuesve të krimeve e kriminelëve.

Fatkeqësisht, në Shqipëri këto kategori individësh vazhdojnë të vlerësohen. Dhe kjo ndodh jo vetëm sepse trashëgimia komuniste është akoma e fortë (dikush mund të thotë se gjithçka ka qenë e planifikuar me “Katovicën” për të mbërritur në këtë ditë), por sepse morali dhe etika janë nocione të pakuptimta për shumëkënd…, por edhe ngaqë vlerat dhe parimet europiane konsiderohen ende si të huaja nga politikanët dhe aparaçikët tanë të djeshëm e të sotëm.

Mbi të gjitha ky zvetënim i frikshëm moral ndodh sepse pas ’90-ës sistemi i ndërtuar mbi “rrënojat” e komunizimit ka prodhuar një politikë monstruoze me dy fytyra, që ka jetësuar realitetin absurd ku viktimat dëmshpërblehen dhe xhelatët jetojnë të lirë, mbajnë titujt, dekoratat dhe madje edhe hierarkohen në administratë, krahas lejimit të glorifikimit të veprës së tyre gjakatare dhe mohimit të krimeve nën diktaturë. Sintetizuar të gjitha këto në sloganin “bashkëvuajtës-bashkëfajtor”.

Mirëpo për fat të mirë, gjërat funksionojnë ndryshe jashtë “bahçes me lule”.

Në vendet e qytetëruara, parimet janë parime, krimet janë krime dhe mohuesit e krimeve e glorifikuesit e xhelatëve nuk kanë vend.

Në Europë, për shembull, edhe pse shkrimtari francez Seline (Louis-Ferdinand Céline) është pa dyshim një prej autorëve më novatorë të letërsisë franceze të shek. XX, ai nuk studiohet nëpër gjimnaze sepse, ndonëse ishte antikomunist i thekur, ishte edhe antisemit dhe apologjet i holokaustit ndaj jahudive.

E njëjta gjë vlen në SHBA për kineastin 85-vjeçar Roman Polanski, që u arratis në vitin 1977 prej vendit vet, ku nuk mund të shkelë më pa u dënuar për krimet prej pedofili, pavarësisht se është një prej kineastëve bashkëkohorë më të vlerësuar.

“Bashkëvuajtës dhe bashkëfajtorë!”? Kurrën e kurrës…

“Kur të gjithë janë fajtorë, askush nuk është më i tillë”, – thotë Hana Arendt. Sipas saj, “nuk ka fajësi kolektive apo pafajësi kolektive. Fajësia dhe pafajësia kanë kuptim vetëm nëqoftëse u personalizohen dhe u mveshen individëve…”.

“Pranimi spontan i përgjegjësisë kolektive – shkruan Arendt – dëshmon një konfuzion moral mjaft të rrezikshëm, që fatkeqësisht vërehet në shoqëritë post-totalitare”.

E si mund të ketë përgjegjësi kolektive nëse pranojmë a priori mekanizmin tmerrues të krimit gjenocidal që Arendt na zbulon, teksa thekson: “Nyja morale e krimeve monstruoze konsistonte në urdhëresën: Ti do të vrasësh jo armikun tënd, por njerëz të pafajshëm, që as potencialisht nuk ishin të rrezikshëm, dhe do t’i vrasësh jo nga domosdoshmëria…”.

Diktaturat kudo ku u jetësuan, përfshirë edhe Shqipërinë, duhet të konsiderohen si më i madhi rrezik, që kërcënon me rrënim total jo vetëm entitetin tonë politik, por edhe mbijetesën shpirtërore dhe substancën tonë morale. Këto sisteme çnjerëzore bazohen mbi shkërmoqjen e hallkave jetike që e lidhin njeriun me disa pika reference morale.

Hajdegeri na mëson se “Diktaturat kanë vetëm një armik: vetë Lirinë…, domethënë të Vërtetën, akademizmin, universitetet, vendet e kërkimit të lirë, artet dhe letërsinë, pasi ato na bëjnë të depërtojmë në trojet e panjohura të shpirtit, ku gjithçka që është eksperiencë, gjithçka që piqet përmes përsosjes intelektuale, tek çdo qenie njerëzore na udhëheq kah ndërgjegjia për të qenë vetvetja”.

Ndaj jo më kot Hitleri deklaronte se do t’i largonte njerëzit nga ajo humnerë që quhet ndërgjegje.

Hegeli kishte të drejtë kur shkruante se “një komunitet politik nuk mund të ndërtohet pa krijuar më parë një komunitet moral”.

Monteskjë kërkonte krijimin doemos të qytetarit në gjirin e njerëzve dhe kishte të drejtë kur shkruante se “Njeriu mund të vdesë një ditë, por qytetari duhet të mbetet dhe doemos do të mbetet”.

Tashmë, në pasdiktaturë, ne shqiptarët duhet të krijojmë institucionin e Drejtësisë bazuar mbi “Të Drejtën” dhe “Lirinë”, sepse drejtësia është e lidhur pazgjidhshmërisht me lirinë.

“Një popull që nuk arrin të bashkojë Lirinë me Drejtësinë është i humbur në gjithçka”, – shkruante Kamy.

Niçja na mëson se: “Njeriu ka nevojë ta shikojë historinë në mënyrën kritike, dhe ta vendosë atë (pra historinë) nën drejtësinë”.

Nëse pranojmë se historia është historia e njerëzimit dhe se nuk është tjetër veçse turravrapi i tij drejt lirisë (Hegeli)… nëse pranojmë edhe se veprimet e sjelljet janë forma e jashtme e moralit, – natyrshëm arrijmë në përfundimin se edhe demokracia ka nevojë dhe nuk mund të kuptohet pa moralin dhe moralizimin.

Kishin të drejtë filozofët grekë kur nënvizonin se Demokracia është ballafaqim të kundërtash dhe debat i përditshëm, teksa krahas Qytetit-(polis) ekziston edhe Konflikti-(Polemos), çka gjithashtu i jep të drejtë Kroçes kur shkruan se: Moraliteti nuk është tjetër veçse lufta kundër të Keqes…

Prandaj, për t’i qëndruar besnik vlerave dhe parimeve tona të larta morale e qytetare, ne djemtë e mërgatës antikomuniste të Belgjikës bëmë të mundur që Komuna e Skarbekut në Bruksel të anullojë konferencën e planifikuar me datë 23 prill, ku Pëllumb Xhufi nuk është i pranueshëm as prej nesh as prej zyrtarëve vendas që mishërojnë pikërisht vlera dhe parime, pavarësisht se unë personalisht vazhdoj ta vlerësoj atë për kontributet prej historiani mesjetar dhe si një mbrojtës i mirë i çështjes Çame.

Sepse në fundore kujtojmë se edhe shejtani ishte i zgjuar, i ditur dhe adhurues i madh por Zoti e mallkoi dhe e bëri lahnet për shkak të mohimit që ai i bëri të vërtetës si dhe për shkak të mendjemadhësisë dhe arrogancës vet.