Ballina ED/OP PRILLET E DHIMBSHËM POR TË LAVDISHËM NË ENCIKLOPEDINË SHQIPTARE TROPOJA OAZ...

PRILLET E DHIMBSHËM POR TË LAVDISHËM NË ENCIKLOPEDINË SHQIPTARE TROPOJA OAZ LIRIE

Nga Azgan HAKLAJ

Në 19 vjetorin e rënies së Komandant Veteranit Sali Çekajt në Betejën e Koshares.

E titullova keshtu këtë opinion timin sepse në historinë e Kombit Shqiptar, gjatë sagës së gjatë përmes kasandrash me sakrificë kristiane për mbijetesë, ka shumë prille të përgjakshme. Nuk e kam fjalën për romanin e gjeniut të letrave Shqipe Ismail Kadare “Prilli i thyer” por për prille luftrash e sakrificash në shekuj të shqiptarëve për liri, pavarsi e demokraci.

Kam shkruar për shkrirjen e akujve të janarit nga gjaku i derdhur dhe lotët e dhimbjes, për janarin tragjik të Gjergj Kastriotit ( Skenderbeut), Ismail Qemalit, Isa Boletinit, Ibrahim Rugovës, të renies heroike të trinomit të lirisë Zahir Pajaziti, Edmond Hoxha, Hakif Zenullahu.

Kam shkruar për janarin e Kongresit të lushnjes që çertifikoi e konsolidoi Shtetin Shqiptar.

Kam folur për Shkurtin e Kryengritjes së parë antikomuniste të udhëhequr nga vigani i bjeshkëve Prek Cali 73 vite më parë.

Për shkurtin e pavarsisë Kosovës që këtë vit shënoi 10 vjetorin.

Kam shkruar për marset e lavdishëm të Gjergj Kastriotit, të Prek Calit, të Jasharajve e Haradinajve, për marset si projektues të nëntorëve të pavarsisë.

Për nëntorët e pavarsisë të Gjergj Kastriotit dhe Ismail Qemalit.

Për nëntorin e UÇK-së.

Për dhjetorin e vitit 90- të Demokracisë.

Sot do të flas për prillin e Shtimes dhe Slivovës, të betejave legjendare të Ushtrisë së Lidhjes Shqiptare të Prizrenit kunder ushtrive turke.

Për prillin e Kryengritjes së Malsisë Madhe të udhëhequr nga Ded Gjon Luli, që kulmoi me ngritjen e Flamurit Kombëtar të Gjergj Kastriotit pas 500 vjetësh robëri në bjeshkët e Deçiçit në Bratilë me dt 6 prill 1911.

Për mars- prillin e masakrës së Tivarit.

Per 2 prillin, masakrën e diktaturës komuniste që vrau martirët e demokracisë në Shkodër.

Do të risjell në kujtesë prillet e përgjakshme të Koshares dhe Maznikut, ku ranë qindra deshmorë për të mbetur në memorien historike flakadan lirie.

Në kalendarin historik të Kombit Shqiptar nuk ka ditë, javë, muaj, vit që të mos jenë të shquar data të rendesishme të sakrificës sublime për liri e pavarësi, çlirim kombëtar e demokraci.

Me dt 18 prill të vitit 1881 Ushtria e Lidhjes Shqiptare e Prizrenit që këtë vit shenon 140 vjetorin e saj, u ndesh me ushtritë turke në Shtime dhe Slivovë.
Rreth 4000 luftëtarë, vullnetarë shqiptarë patën përballë 20 batalione të Armatës së Dervish Pashës me rreth 15000 ushtarë, officer të paisur me armatimin më të mirë të kohës. Betejat ishin të përgjakshme me heroizem të madh të shqiptarëve ndonse në kushte të pabarabarta, por qendrestar, të paepur e të pathyeshem deri në flijim për Atdheun.

Me dt 21 prillin Mic Sokoli i vuni gjoksin topit të sulltanit.
Luftimet ishin të tmerrshme e pati shumë të vrarë.

Me dt 21 prill për shkak të epërsisë së armikut ushtria e lidhjes terhiqet.
Me dt 22 dhe 23 prill zhvilluan ndeshje në Dukel dhe Suharekë për të penguar ushtritë osmane të hynin në Prizren.

Në maj u bënë përleshjet e fundit në thellësi të Rrafshit të Dukagjinit.
Shqiptarët vazhduan rezistencën me kuvende e kryengritje, për liri e pavarsi, e do të veçoj Lidhjen e Pejës me besa besë të Haxhi Zekës, kryengritjet e viteve 1908-1909-1910-1911. Në Kuvendin e Junikut të vitit të 21-25 Maj të vitit 1912 u hartua platforma e Kryengritjes së Pergjithshme që u finalizua me shpalljen e pavarsisë së Shqipërisë në Vlorën e Ismail Qemalit me 28 nëntor 1912.

Këshilli Kombëtar që doli nga zgjedhjet e dt 5 mars filloi punimet me dt 21 prill 1921. Ai përbëhej nga 78 deputet. Statuti i Lushnjes që njihet në histori si statuti I Shtetit Shqiptar e shnderroi këtë akt në kushtetutë të mirëfilltë. Ky keshill kombëtar mori emrin parlament.

7 prilli është dita e pushtimit fashist. Shqiptarët u perpoqën në menyrë sporadike por nuk i rezistuan Romës së Musolinit. U deshën vite lufte për të çliruar Shqipërinë.
Pas përfundimit të luftës Dytë Botërore shqiptarët edhe pse u çliruan mbetën të ndarë përsëri, e ranë në kthetrat e komunizmit gjakatarë.

Ne mars- prillin 1945 ndodhi masakra mizore e Tivarit.

Platforma e këtij veprimi çnjerzorë e lëvizjes nacionalçlirimtare të Jugosllavisë u ba projekti famëkeq i Çubriolloviçit 7 mars 1937 dhe 3 Nëntorit 1944. Ky projekt i spastrimit etnik gjeti zbatim me zhdukje e shperngulje të shqiptarëve dhe zëvendësimi i tyre me kolonë serbë. Masakra e Drenicës ishte prologu i masakres së Tivarit.
Në muajt mars- prill u ba mobilizimi i dhunshëm i rekrutëve në të gjitha qytetet e Kosovës për ti nisur në frontin e Sremit e të Adriatikut. Shumicën i përqendruan në qytetin e Prizrenit dhe i çarmatosën se ju thanë do ju armatosim në Kroaci e Slloveni.
Kolonat e para u nisën me 24-27 mars dhe të dytat me 19- 24 prill 1945.
Enver Hoxha, babai shpirtëror i Edi Ramës lejoi shqiptarët të mobilizuar me dhunë, pa armë në dorë të kalojnë në rrugën e vdekjes apo Golgota Shqiptare siç e ka quajtur Zekiria Cana rrugëtimin e tmerrshëm Prizren-Kukës-Pukë-Shkodër -Tivar- Dubrovnik -Rjekë. Xhelatët e Aleksandër Rankoviçit janë shquar për krimet e tyre kundër mijra shqiptarëve të rekrutuar dhunshëm, nga Kukesi në Ulqin.

Me dt 31 mars dhe 1 prill filloi kasaphana e përgjakshme. Ata janë rrethuar nga të gjitha anët në Tivar nga ushtarët malazezë dhe janë qelluar në menyrë të pamëshirshme me breshëritë vdekjeprurëse të armëve ku mbetën të vrarë mijra vetë.
Asnjë penë nuk mund ta përshkruaj saktë këtë masakër barbare dhe numrin e të vrarëve. Enver Hoxha në vend që të denonconte këtë masakër dekoroi skenaristët dhe regjizorët e saj, binomin Tito- Rankoviç.

Me dt 24 prill me dekretin 48 nga Presidiumi i Kuvendit Popullor caktohet dt 25 prill dita e forcave kufitare dhe shqiptarët mbetën të ndarë me mur berlinez.
Pikërisht me 31 mars 2018 Edi Rama vendosi traun Rrugës së Kombit mbi themelet e Golgotës Shqiptare. Rrembimet e protestuesve në mesnatë nga shteti maskë dhe burgosjet e tyre politike të dyshes Rama Xhafa të kujtojnë Gestapon e Hitlerit.

2 prilli i vitit 1991 është prilli i përgjakshëm i demokracisë. Falangat e Kuçdrës komuniste që po jepte shpirt realizuan masakrën e Shkodrës. U përgjak Shkodra, djepi kulturës, dijes dhe demokracisë. Mbetën në fushën e nderit, pishtarët e demokracisë Arben Broci, Nazmi Kryeziu, Besnik Ceka, Bujar Bishanaku. Urdhëruesi i masakrës së 2 prillit Gramoz Ruçi sot është Kryetar i Parlamentit të Shqipërisë.

Sa herë të flas për prillin e Betejës së Koshares kam prapë për të thanë.

Me dt 9 prill filloi kjo betejë homerike që shembi kufirin mes shqiptarëve.

Me dt 11 ra njeri prej hartuesve të platformës së operacionit shigjeta, poeti dramaturgu, i pari që shembi piramidën, Komandant Katana Agim Ramadani.

Me 16 prill në malet e Maznikut ranë në një betejë tjeter të UÇK-së me ushtrinë gjakatare serbe herojtë e Kombit tonë Shkelzen Haradinaj, Fatmir Nimanaj, Luan Nimanaj, Hasim Halilaj.

Në të njëjtën ditë ra heroikisht në Koshare Fadil Maloku,

Po keto ditë të prillit 13 vite me parë u vra mizorisht deshmori i Atdheut Enver Haradinaj. Kjo vrasje barbare siç e ka cilësuar Presidenti Rugova kishte si qellim destabilizimin e Kosovës. Dita e varrimit u shpall ditë zie nga Presidenti Rugova dhe u denua nga kryeministri Kosumi, kryeministri Nano, partitë politike në Kosovë dhe mbarë opinioni publik në hapsirën shqiptare.

19 vite më parë si sot në Betejën e Koshares ra njeri prej hartuesve të operacionit shigjeta figura poliedrike shumë dimensionale, juristi, politikani, intelektuali, oficeri gueril Komandant Veterani, Sali Çekaj që bëri gjithça mundi për çlirimin e Kosovës.

Vepra e tij u derdh në bronx dhe në këngë:

“Më ka rritë nëna n’zhguna veku

Ma thonë emrin Sali Çeku

I thonë Sali Çeku trimit veteran

I kendon dyfeku një kendim dardan

Jo nuk e ndal hapin ky kollos i Kombit

Jo nuk e ndal vrapin ka bekim prej Zotit.”

Atë ditë u plagos djaloshi nga Shkupi Nuhi Tahiri i cili mori plagë të rënda dhe iu nenshtrue 9 operacioneve por fatmirësisht mbijetoi.

Në inagurimin e shtatores së Sali Çekajt në Deçanin legjendarë Presidenti Rugova në pershëndetjen e tij vlersoi lart rolin dhe kontributin e Sali Çekajt.

Rugova çmoi shumë mbështetjen e Tropojës për çlirimin e Kosovës. Ai tha se Tropoja në shekuj ka qenë djep i patriotizmi dhe nacionalizmit.
Në shekuj mbeti kështjellë e pamposhtur, barrikadë e invadorëve të ndryshëm. Tropoja është Oaz lirie.

Ai vleresoi Betejën e Koshares dhe thyrjen e kufirit. “Kosova ka liri se pati Koshare, Ka Koshare se pati Tropojë” tha Presidenti

Beteja e Koshares është unike, simotër e Betejës Spartane të Termopileve përballë ushtrive perse të Kserksit.

Nderim per herojtë e gjallë dhe të vdekur të kësaj beteje, 114 deshmorët e saj prehen në lendinat e Koshares.

Lavdi deshmorëve të Atdheut.