Ballina Kulturë Tri peisazhe në udhëtim…

Tri peisazhe në udhëtim…

Nga poeti Hamit ALIAJ – Mjeshtër i Madh

1. VETËTIMË E BELBËR

Ku janë djemtë e marsit,
Vajzat e prillit,ku ?

Flet vetmevete njeriu i pahënë
Që veron pa verë
E pa dimër dimëron

Nata-cigane e re
Kapërcen lumin
Me defin e hënës në duar

Një vetëtime i merret goja
Dhe e belbër zbret
Marsit të gjinjve tu

2. KU SHKOJNË KËTA LUMENJ

Vetmi e gjatë e perëndive të vjetra
Të cilat askush s’i takoi kurrë

Ku shkojnë këta lumenj nëpër natë
Me vdekjen e tyre në gji ?

Çdo verë drurët lëshojnë hije të re
Sepse çdo vit,të tjera janë gjethet

Ndërsa hijet e njerëzve,
Ah,hijet e frikshme të njerëzve
Të njëjta gjithë jetën …

3. NJË ZË QAN NETËVE NË MAL

Gratë u bënë defa të shkyem
Nën ritmin e të cilave nuk kërcen askush
E burrat si lahuta të vjetra

Një i vdekur i bie kitarës
E këngë të tejbotshme këndon

Një zë i panjohur qan çdo natë në mal..