Ballina Histori BETEJA E KOSHARES SHEMBI MURIN E BERLINIT MES SHQIPTARËVE

BETEJA E KOSHARES SHEMBI MURIN E BERLINIT MES SHQIPTARËVE

Nga AZGAN HAKLAJ

Në këtë betejë të përgjakshme në Rrasën e Zogut, në Majën e Gllavës, më dt 14 prill 1999, ra heroikisht në istikam djaloshi nga Tetova, Mujdin Aliu.

Ranë në betejë trimat, Bashkim Idrizi, Fisnik Salihu, Kosimi e Korabi.

Lufta e UÇK-së kishte si qëllim çlirimin e Kosovës, por nga të gjithë shqiptarët konceptohej si luftë për çlirim e bashkim kombëtar. Aty u rreshtuan bijtë dhe bijat më të mirë të Kombit Shqiptar.

Ata i treguan botës se janë dalëzotës të Atdheut.

Beteja e Koshares bëri jehonë të madhe në shumë vende të botës dhe e dha mesazhin e bashkimit, të dashurisë për Atdheun, si mbrohet dhe si flijohesh për lirinë.

Edhe pse të pakët në numër, me armatim simbolik, përballë një armiku numerikisht të madh, me armatim të rëndë e të sofistikuar, arritën ta mundin dhe të shembin “Murin Kinez” mes shqiptarëve, të vendosur padrejtsisht një shekull më parë.

Në rradhët e UÇK-së ishin rreshtuar edhe djalëria e Iliridës, nga Shkupi, Tetova, Kumanova, Dibra,  Struga, Gostivari e Kërçova, të bindur se shumë shpejt do të luftonin për çlirimin e trojeve të Iliridës nga regjimi i egër sllavo-maqedon.

Mes ketyre heronjëve spartanë ishte dhe Mujdin Aliu nga Poroj i Tetovës, vëllai i vetëm i dy motrave.

Babai tij, Qerimi, ishte arrestuar disa herë nga policia mizore dhe dënuar nga shteti barbar maqedonas, kështu që familjarisht ishin të motivuar për rezistencën me të gjitha mjetet deri në sakrificën sublime.

Mujdin Aliu iu bashkua rradhëve të UÇK-së të Zonës Operative të Rrafshit të Dukagjinit, në tetor të vitit 1998, pjesë e Njësitit “Skënderbeu”.

Në pranverën e vitit 1999 u bë pjesë e formacioneve luftarake të Brigadës 138 “Agim Ramadani”.

Gjithmonë ishte në vijën e parë të luftimeve në Rrasën e Koshares, ku ndodhej kështjella e pamposhtur e UÇK-së.

Me dt 14 prill 1999 ra në Majën e Gllavës për të mbetur lulëkuqe e Koshares, zë bilbili i bjeshkës, simbol i shembjes së kufirit, shqiponjë e monopateve të lirisë, palë e Flamurit Kombëtar, burim frymëzimi për liri i UÇK-së dhe shqiptarëve të Maqedonisë në Luftën e vitit 2001 dhe Brigadës 112, që mbajti emrin e tij, Mujin Aliu.

Trimat e Koshares në fillim varroseshin në qytetin e Bajram Currit, sepse Tropoja ishte mbështetja kryesore e kësaj lufte, ashtu siç kishte qenë në shekuj arenë betejash për çlirim, por edhe për shkak se ishte afër.

Heronjtë në fillim preheshin në qytetin e Bacë Bajramit, por amaneti i Mujdin Aliut ishte të varrosej në vendlindje.

Pas një udhëtimi të gjatë e të vështirë, më në fund, me 18 prill 1999, zgalemi i lirisë, i mbështjellë me Flamurin Kombëtar, mbërrin për t’u prehur përgjithmonë në vendlindje, në Poroj të Tetovës.

Tashmë ai i përket Pavdeksisë.

Çdo vit përkujtohet me nder e respekt për veprën e tij sublime që dha jetën për çlirim kombëtar.

Kjo vepër është përjetësuar në këngë nga zëri i spikatur i Mjeshtrit të Madh, Ilir Shaqiri:

“Po na thërret Kosova, shpirti po na djeg.
Nisen për Koshare shqipet me dy fletë.
Asgjë në botë s’desha më shumë se lirinë.
Shqipe nga Poroja, jam Mujdin Aliu.
Jam djalë nga Tetova, më ka thirrë Atdheu.
Vetë Adem Jashari, gjaku i Skënderbeut”.