Ballina Kryesore GJITHÇKA ËSHTË SA NJË MËNGJES

GJITHÇKA ËSHTË SA NJË MËNGJES

Nga  Valbona HYKA – Poete nga Tropoja

Kur hisja e diellit që ishte veç imja të perëndojë,
Kur hëna mos të formësohet më në shikimin tim,
Kur vesa të kthehet në avull por jo më në vesë,
Kur rruga para meje të jetë e gjatë dhe pa rikthim,
Kur fjalët të mbarojnë nga fryma ime,
Kur lapsi të mbetet mbi letër në pritje pafund,
Kur kembët e duart,syte,mos të kthehen më pas,
Kur unë të jem nisur në rrugën frymore,
Mos më thoni kthehu prapë.
Se atje më presin mallet e djegura të zhuritura të përflakura,
Më presin t’ua sjell lajmet nga bota e të gjallëve.
Mos m’a ndaloni rrugën,mos ma mjegulloni shikimin
Me vaje e pergjërime.
Se unë mes dy udhëve s’mund të mbes,
Se unë se ndal dot fluturimin e frymës sime,
Se mjaft kam ecur në këmbë,
Mjaft kam shkelur në balten e tokës,
E prej saj shumë herë jam baltosur,
Ku padashur kalova në shtegun e gabuar.
Mos m’a ndalni fluturimin e frymës sime,
Se është marramendje,ëndërr pa zgjim,
Se është bukur këtu lart mbi retë e bardha,
Kur të gjithëve ju shikoj me syrin magjik të qiellit,
Me shikimin e shpirtit.
U shoh kur bini e ngriheni,
Tek vraponi si të çmendur për të kapur të pakapshmen,
U shoh tek eksperimentoni mbi fatin tuaj,
Dhe mundohem t’ju them:
-Gjithçka që keni përpara,është sa një mëngjes,
Sa një perkëdhelje diellore,sa një tingull pranverorë,
Gjithçka zgjatë sa avullimi i një vese.
Mundohem t’ju them,
por zëri im,derdhet ne honet e hapesirave,
Dhe kthehet në një Yll..!