Ballina Kryesore DREJT GLLOGJANIT…

DREJT GLLOGJANIT…

Reportazh nga Rajmonda MALEÇKA

Nga Tiranë për në Gllogjan, rruga është e gjatë. Është një rrugë që nga fusha shtegëton luginave, maleve, fushave prap, maleve prap, e kështu për disa orë. Të kesh në krah një të moshuar, ai fillon e të flet për kohën e tij, për kohën e të parëve që e ka dëgjuar nga të tjerët, për shtigjet e vështira nëpër të cilat bëhej kjo rrugë, të flet për kohën dhe njerëzit, për historinë dhe sakrificën njerëzore.

Më ka ndodhur mua dhe të tjerëve, që kanë shtegëtuar nëpër stinë të vështira në rrugën më të gjatë ndër shqiptarët, rruga nga Tiranë në Kosovë e të përfshihemi në biseda me të njohurit dhe të panjohurit, të cilat lidhen me një thelb ekzistencial, atë të mbijetesës së shqiptarëve me dashurinë për njëri-tjetrin, ata të Shqipërisë dhe ata të Kosovës, të shqiptarëve në Malin e Zi dhe në Maqedoni. Është një bisedë komplekse e cila pas viteve “90-të bëhej e hapur dhe pa frikë, e kështu historitë rridhnin për njerëz, ngjarje, për dhimbje dhe gëzime që koha kishte rezervuar për njerëzit nga dy anët që kishte krijuar largësi të mëdha dhe pse kufiri mes shqiptarëve ishte vendosur.

Në këto udhëtime kanë rrjedhur me dhjetra histori dhe opinione në gazeta dhe shënime shkrimtarësh, gazetarësh, turistëve të huaj, njerëzve të apasionuar pas maleve dhe njerëzve që jetojnë në këto hapësira, për politikanë dhe heronj, për martirë dhe udheheqës shqiptarë dhe të huaj, në një lloj kuptimi në këtë rrugë ka udhëtuar përmes vështirësive, terrenit të ashpër dhe humnerorë, befasive të motit dhe vështirësive të tjera një botë e vërtetë shqiptare. Kanë udhëtuar politikane, patriot, tregëtarë, njerëz në hall, kanë udhëtuar njerëz të thjeshtë. Kjo rrugë, që tashmë është “muzeale” ka përpirë sytë e mallit të qindra mijra shqiptarëve nga trojet etnike, të cilët mezi e kanë pritur lirinë dhe kohën për të shkuar dhe ardhur tek njëri- tjetri.

Në të vërtetë kjo histori ka qenë e trishtë në kufinjtë e një shekulli, në vitet dhe dekadat e të cilit u shënuan ngjarje të shumta, ndarje të njerëzve që kanë vdekur dhe kanë lindur, pasi kufiri i 1912-’14 ka ndarë familje, gjak e gjini, krushqi e krahina në mënyrën më të dhimbshme dhe më të pamëshirshme mes etnitetit shqiptarë. Ka qenë i trishtueshëm për shkakun e diversionit ideologjik në të dy anët e kufirit, ka qenë i trishtueshëm për shkak të armiqësisë që u përpoqën të mbjellim mes njerëzve të një familje, një trugu dhe një etnie shtetet totalitare andej dhe këndej. E kështu historitë njerëzore, që vijnë nga luftërat e hershme që nga koha e shekullit të viteve 1800, më pas ata të viteve 1900, vijnë në kujtesën e udhëtarit që merr rrugën nga Tiranë për të shkuar ë Kosovë, qoftë i ri apo i moshuar, qoftë i shkolluar apo jo i shkolluar, qoftë nënë apo grua. Është një, meditimi i thellë i pleksur jo vetëm tek shqiptarët e Shqipërisë, që ndajnë kufirin me vëllezërit e tyre në një vijë gjatësore të gjatë, por dhe për shqiptarët e përtej kufirit, të cilët vijnë në Shqipëri me një emocion të dallueshëm vëllazërorë. Në një lëvizje të përherëshme, gati njëzetë vjeçare, kam pasur rastin të udhëtoj me njerëzit, me historitë, me dhimbjet, me emocionet, me një histori të jashtëzakonshme njerëzore të nisur njëqind vjet më parë e që sot në vitin 2018 vijon në një përmasë dhe në një dimension tjetër emocional, të shprehur në qindra mundësi dhe forma që ka komunikimi njerëzorë.

Njerëzit në shoqërinë njerëzore janë shtresuar masa dhe në raporte të caktuara, në përjetime dhe kominikime të ndryshme, por ajo që mbetet në këtë rast është se sot as nuk të pengon koha, as largësia dhe as rrethanat e tjera për të shkuar në Kosovë, apo për të ardhur në Tiranë. Ditë që i kanë pritur etërit, por i jetojmë ne sot.

Sado të ecin kohët, sado të kesh njohur njerëz nga trojet, sado të kesh njohur histori familjare, krahinash, kullash apo njerëzish në Kosovë apo në trojet e tjera shqiptare, gjithmonë, të godet fort ideja fillestare sa herë që thua:- Do të shkoj në Prekaz, do të shkoj në Prizren, do të shkoj në Shkodër, do të shkoj në Vlorë apo do të shkoj në Krujë, do të shkojë në Gllogjan apo gjetkë! Instinktivisht një gjendje e thellë shpirtërore njerëzore, merr një “trajtë” vlimi dhe befasie. Nuk shkohet në një vend të zakonshëm, as në Prekaz, as në Prizren, as në Krujë, as në Shkodër dhe as në Gllogjan.

Me dashje apo pa dashje, në ndërgjegje fillon të të shfaqet kujtesa historike, historitë, njerëzit, ngjarjet, motivet, tradita, këngët, zakonet, pra një kompleks gjërash, ashtu siç ka rrjedhur jeta jonë nga shekujt dhe siç rrjedh dhe sot e kësaj dite.
Në të vërtetë sado të njohësh apo mos të njohësh shtegëtimin e rrugëve, njerëzve, automjeteve, nga rrjedhin lumenjtë, ku shpalosen bjeshkët me pyjet e magjishme, asnjëherë nuk mund t’i shmangesh meditimit, pyetjeve pafund që ia bën të njohurit apo të panjohurit, vetes dhe kohës:-Si ka rrjedhur koha në këto anë?- Si është mbajtur jeta, kultura, historia, si është krijuar vetëdija historike, marrëdhëniet me botën dhe veten, mitet, këngët, zakonet, epet, filozofia e bashkëjetesës me të vjetrën dhe me të renë, me rregullin e rreptë të jetës, me komunitetin, i cili për shkaqe të njohura historike në veri, ka qenë shumë i konsuliduar.

Sa më shumë shtegëton, sa më në thellësi të bjeshkëve depërton, po kaq më shumë meditimi kërkon të zgjerojë dëshirën për të ditur, por dhe për të jetuar vërtetë një gjendje prej malësori apo malësoreje. Rruga e Kombit shtegëton në një thellësi të vërtetë malesh, luginash, honesh, ku siç besojnë ndryshe veriorët jetojnë zanat e maleve, erërat, stanet, fshatra të vegjël, që jetojnë në sqetulla të mëdha të natyrës. Kësaj rruge, tashmë udhëton një shpirt i gjerë kombëtarë, të moshuar, të rinj, fëmijë, njerëz të gëzuar që shkojnë në dasma, njerëz të trishtuar që shkojnë në vdekje, udhëtojnë biznesmenë, mallra, këngë, libra, histori, shkrimtarë e poetë, udhëheqës politik, pra udhëton një botë komplekse shqiptare. Udhëton historia në miniaturën e librave, udhëton lufta e fundit, e ata luftëtarët e lirisë, të gjallë apo në hapësirën e qiejve shqiptarë kanë një prani të përherëshme në këtë udhëtim, të cilët i mbajnë të mbuluara plagët e luftës, dhimbjet e nënëve e motrave, mbajnë kujtimet, duket se udhëtojnë disa mijra të rënë dhe të luftës së fundit.

Nga Tirana drejt Kosovës nuk ka një vend apo një bjeshkë, një fshat apo një lumë, një krua apo një shtëpi që nuk ka një histori. Që nga 1878, kur në Prizren do të mbahej Lidhja Shqiptare e Prizrenit, e më pas në fillim të viteve 1900, kur copëtimi i trojeve kishte një nga çmimet më të shtrenjta në historinë e popullit më të vjetër autokton të Ballkanit. Është një histori e rëndësishme, një nyje që lidhet fort me historinë shqiptare, e cila ka udhëtuar jo vetëm me njerëzit, por dhe me ngjarjet, me kujtimet, këngët dhe sakrificat e shumë shqiptarëve, të cilët e kanë risjellë në vëmendjen tonë në forma dhe në raste të ndryshme. Nuk ka histori më të plotë martirizmi se historia jonë, të cilët e kanë ushqyer vazhdimisht martirtë e saj, heronjtë e saj, pasi shqiptartë në të dy anët e kufirit, kurrë nuk e harruan njëri- tjetrin.

Kukësi është një qytet meditimi. Është një qytet në kuptimin më të plotë të fjalës. Me të shënohet një nga sakrificat më të mëdha të popullit shqiptarë, që rrallë gjendet dhe në historinë tonë kombëtare. Në vitin 1999 është qyteti i vogël i veriut të Shqipërisë, por me zemrën më të madhe në botë, qyteti me sakrificën më sublime të Rendit Botërorë. Një derë e madhe e hapur për një milonë shqiptarë të larguar me forcë nga shtëpitë e tyre në Kosovë. Një “NOBEL” për paqen, që nuk ka nevojë për dekoratë dhe motivacion të asnjë jurie ndërkombëtare. Një qytet që vazhdon të jetojë në krenarinë e tij historike, që bashkë me Hasin e Tropojën, qenë nga shtëpitë e sigurta të luftës dhe UÇK-së. Kukësi, Hasi dhe Tropoja i dhanë dhe djemtë e tyre për luftën e fundit çlirimtare të Kosovës kundër pushtuesit të vjetër dhe të ri njëkohësisht.

Sapo kalon Kukësin, në kujtesën që të lidh me tokën e Kosovës janë tri “karakolle” historike dhe pse në të gjithë hapësirën e Kosovës ka një dhimbje historike të shtrirë në çdo qytet, në çdo krahinë, në çdo fshat dhe me gjasë në çdo shtëpi. Është Prizreni, “Kulla e Jasharëve” dhe “Kulla e Haradinajve”. Janë tri simbolika të cilat janë ushqyer me njerëz të dijes dhe guximit njerëzorë, me trimëri dhe vetëdijë historike, janë ushqyer me martirë nga të gjithë brezat. Në këtë marrëdhënie që krijojnë tri simbolikat, tri kuptimet e mëdha që lidhen me një marrëdhënie krenarie e burrërie, të evidentuar që nga Kënga Kreshnike me Mujë e Halil, me Ajkunë e me Omer, janë të rënët e një shekulli, janë të rënët në masakra që nga Reçaku e në çdo pëllëmbë të tokës shqiptare, janë qindra sokola shqiptarë që erdhën nga ana e anës, nga çdo vend i globit për të lënë gjakun e djersën në tokën e shenjtë të Kosovës.

Ja, Prizreni. Përjetësisht aty. Si një karakoll, si një kështjellë dhe një tempull i shenjtë për kujtesën tone kombëtare. Duket si një masë e gjerë ngjarjesh, burra të ditur dhe trima që shkojnë dhe vijnë për të imponuar perandorinë më të madhe të kohës, Perandorinë Otomane, për t’i lejuar shqiptartë të kishin shtetin e tyre. Qyteti antik duket si një dëshmi ideale e lirisë, si një udhërrëfim i mençur i rrugës nëpër të cilën na është dashur të shkojmë. E në njëqind vjetët e luftës për mbijetesë, të gjithë ngjarjet dhe heronjtë e shqiptarëve, dukej se kokën e kanë të kthyer nga Prizreni.

Lidhja Shqiptare e Prizrenit është një nga ngjarjet më të rëndësishme, më madhoret, më udhëtaret e para të çështjes sonë kombëtare. Është një nga momentet më legjitime, më të zgjuarat, me ndërgjegjen madhore të burrave dhe njerëzve të ditur, të cilët kuptuan se sa të rrezikuar ishin trojet, njerëzit dhe e ardhmja e tyre, që kuptuan aktualitetin dhe të ardhmen e Perandorisë Osmane, e cili i kishte pushtuar trojet për pesë shekuj, kuptuan se ngrehina otomane po binte e bashkë me të po groposej dhe kombi shqiptarë, të cilin do ta shqyenin copa- copa lukunitë ballkanike dhe ato jashtë ballkanike, por ajo që është më e rëndësishme, është akti i parë zyrtarë dhe i dakordësuar i shqiptarëve për shtetin dhe kombin e tyre. E kështu, qyteti i lashtë Prizreni nuk mund të anashkalohet kurrë. Nga Morina në Prizren ka lapidare, lugina, bjeshkë, fshatra, rrugica dhe shtigje ku lapidaret e vjetër dhe të rinj të kujtesës së luftës gjallojnë dhe të kthehen si ca udhëtarë që të çojnë drejt Selisë ku u mbajt Lidhja.
Prizreni nuk mund të anashkalohet qoftë për shkak të lashtësisë, qoftë për shkak të kulturës, të dijes, arkitekturës dhe historisë së vet dhe të Shqipërisë.

Për të shkuar deri në Gllogjan ka rrugë dhe shtigje të shumta, fshatra, qytete, krahina, bjeshkë e fusha, kodra e kulla, por ajo që është vërtetë interesnate në këto udhëtime ka një fenomen interesant historik. Nga qyteti në qytet, nga fshati në fshat dhe nga krahina në krahinë në Kosovën e ditëve tona, në rrugëtim të shoqërojnë dhjetra memorial të luftës së fundit. Është një tokë dhe kohë e ”mbjellë” me një sakrificë sublimne për lirinë. Të rinjtë shqiptarë i kanë bërë kurban jetën e re tokës së Kosovës.
Sapo të shkon në mendje se po shkon drejt Gllogjanit, në kujtesë të shfaqet kulla e pamposhtur e Haradinajve. Gllogjani i gjithi ka qenë një front lufte, por 24 marsi në çdo vit, që nga 1998, ka një raport të fortë reflektimi, ka një kthim në kohë, për ta bërë luftën e UÇK-së, më reale, më të qartë, më të kuptueshme dhe më komunikuese. 24 marsi është dita e Gllogjanit, është moment pët të shkuar tek Kulla e Haradinajve, tek epopeja e Haradinajve për të komunikuar, për të kujtuar dhe për të parë rrugëtimin e mbijetesës së lirisë. Kulla e Haradinajve dhe legjenda e Gllogjanit, një legjendë që e kanë ushqyer dhe dhjetra familje e luftëtarë të tjerë lirie është një realitet interesant, ku të gjallët dhe të vdekurit, të moshuarit dhe të rinjtë, dhimbja dhe gëzimi janë bashkë. Aty është historia, është beteja e parë frontale në Dukagjin. Shteti serb ka sulmuar Gllogjanin, në shinjestër të të cilit ka qenë familja Haradinaj.

Beteja e Gllogjanit dhe e Kullës së Haradinajve është e njohur. Pervëç humbjes së luftëtarëve Gazmend Mehmetaj, Himë Haradinajt dhe Agron Mehmetaj, në horizontin e luftës për çlirimin e Kosovës ndriu njeriu epokal Ramush Haradinaj. Ramush Haradinaj shkëlqente si një shpresë e madhe për atë që po ndodhte në Kosovë, përkundër mizorisë sllavo-serbe, e cila dhe në këtë rast përveç të zënit rob të disa fshatarëve të Gllogjanit, kishte kërkuar të përdorëte nxënësit e shkollës “Hasan Prishtina” si një mur lëvizjeje, për të iu shmangur përplasjes fatale me luftëtarët dhe rezistencën e banorëve të Gllogjanit. Në luftën më të rëndësishme të historisë së Kosovës, Kulla e Haradinajve do të shndërrohej në një nga bazët e rëndësishme të saj.

Sa herë flitet për Kullën e Haradinajve, detyrishmisht duhet të flitet për familjen Haradinaj, e cila është dhe mbetet një gurthemeli në të cilën i rritën dhe edukuan luftëtarët e njohur të gjallë dhe jo të gjallë Ramush Haradinaj, Luan Haradinaj, Shkelzen Haradinaj, Daut Haradinaj, Enver Haradinaj.

Ramush Haradinaj që në ditët e para të luftës, jo vetëm pse shquhej për cilësitë e një luftëtari të aftë për të përballuar çdo kundërshtarë, por një nga tiparet më të rëndësishme të një prijësi qe marrja e përgjegjësive të mëdha, për gjegjësinë e luftës, përgjegjësinë për të marrë luftime të shumta me luftëtarët e tij, të cilët ishin djemtë më të mirë të Dukagjinit dhe të Kosovës.

Epopeja e Gllogjanit, nxori në pah një kompaktësi të jashtëzakonshme të një populli që ishte i përgatitur për luftë. Ramush Haradinaj dhe shumë të tjerë kishin ardhur nga Zvicra, ku përveç edukatës familjare, rrëfimeve dhe përballjes me urrejtjen dhe totalitarizmin serb në vendlindje, në emigracion kishte mësuar dhe kishte përafruar qëllimin e vet për lirinë me shumë bashkëkombas të tjerë, të cilët ishin bërë bashkë nën kauzën e lirisë së vendit të tyre Kosovës, pavarësisht preferencave politike. Kudo ishte gjendur, Ramush Haradinaj, familja e tij, bashkëluftëtarët e tij kishin një informim të madh për ç’ndodhte në Kosovë.

Në vetëdijën e Kosovës dhe Gllogjanit, të familjes Haradinaj dhe Ramush Haradinaj kishte një njohje të madhe për ç’ka kishte ndodhur dhe ndodhte. Në kujtesën dhe idealin e luftëtarëve ishin të afërmit dhe personalitete të burgosur, njerëz të zhdukur nga pushteti i errët i pushtuesit, ishin Jusuf Gërvallë dhe legjenda e vrasjes së tij me shokët, ishte mësuesi Halil Geci, një vrasje që mori përmasa kombëtare, ishin ngjarje të tjera luftarake dhe të rezistencës popllore.

Ashtu siç ndodh në histori epokale, historia e Gllogjani, Kulla e Haradinajve lidhte fort me thelbin historik jo vetëm të Dukagjinit, por të gjithë Kosovës, pasi ajo ka jetuar dhe ka pasur lidhje të vazhdueshme me të gjithë ngjarjet që kanë ndodhur para, gjatë dhe pas luftës. Sado të kalojnë kohët, në çdo 24 mars në Gllogjan dhe në Kullën e Haradinajve, me Bacë Hilmiun, Ramushin, luftëtarët e tjerë, njerëzit e tjerë do të flitet për emigracionin, shokët e idealit atdhetarë, do të flitet për Adem Jasharin, Zahir Pajazitin, për Femi Lladrovcin, Abedin Rexhën, Bekim Berishën, Bedri Shala, për Luan Haradinaj, Daut Haradinaj, Himë Haradinaj, për Lah Brahimaj, për Mujë Krasniqin, për Shkëlzen Haradinaj, për Enverin e Frashërin, pra flitet për luftën në ditët e lirisë.
Më 24 mars vijnë të gjithë. Gjithë dukagjinasit, kudo janë shkojnë në Gllogjan, shkojnë tek Kryekulla e Dukagjinit, Kulla e Haradinajve. Është një zakon i vjetër, që iu pëlqen të gjithëve. Vjen Ramush Haradinaj, krye-luftëtari i gjithë betejave të Kosovës në luftë dhe në paqe. Është një rast unikal në botën e qytetëruar përballja e Haradinaj në Gjyqin Ndërkombëtarë të Hagës, që për shkak të akuzave sllavo- serbe, iu kërkua të mbronte dhe të legjitimonte luftën më epike, luftën më dinjitoze, luftën më emblematike të Rendit të Ri Botërorë. Dy herë në Hagë, dy herë kryeministri i Kosovës, por përherë një luftëtarë i paepur i kauzës së lirisë, Ramush Haradinaj vjen në Gllogjan, aty ku plekset rinia me burrërinë, familja me dinjitetin personal, aty ky bisedat dhe kujtimet për lirinë kanë kuptimin e madh.

24 marsi është një reflektim i mrekullueshëm i luftës dhe lirisë, i burrërisë, i familjes dhe individit. Është historia e sintetizuar në një sukses të fituar me sakrifica të shqiptarëve dhe gjithë Kosovës. Ramush Haradinaj sot është kryeministri i vendit, por gjëja më e rëndësishme në këtë fakt është se në thelbin e tij qëndron vendlindja e tij, kulla e tij, Gllogjani dhe Dukagjini. Dhe këtë vit ne shkuam në Gllogjan, si çdo vit tjetër. Kishin ardhur shumë, luftëtarët, të rënët, të rinj e të reja, kishin ardhur vizitorë të rinj. Kishin ardhur nga të gjitha trojet shqiptare, e hijeshonte vendin Baci Rifat Jashari, Bekim Jashari, Ramiz Lladrovci, Sami Lushtaku, Jetullah Lushtaku, Xhevahir Geci, Rexhep Selimi, Shefqet Musliu, Lah Brahimaj, Fatmir Limaj, Nasim e Agron Haradinaj, Bashkim Ramosaj, Avdyl Mushkolaj, Xhavit Jashari, Fadil Shurdha, Adem Grabovci, Safete Hadergjonaj, Ali Geci, Drita Krasniqi, Safete Shala, Arif Vladi e Ilir Shaqiri, i bëri të gjithë bashkë 24 mars dje dhe sot. Dhe në çdo 24 mars në Gllogjan duket se shkruhet një libër i ri. Historitë dhe kujtimet e bëjnë gjithmonë e më të prekshëm realitetin atdhetarë të Dukagjinit dhe Kosovës.

Gllogjan, 24 mars 2018