Ballina Aktualitet NUK KA PRANGA PËR MILIONA SHQIPTARË QË KALOJNË RRUGËS SË KOMBIT

NUK KA PRANGA PËR MILIONA SHQIPTARË QË KALOJNË RRUGËS SË KOMBIT


-Deklaratë për mediat dhe opinionin publik Shqiptar nga z. Azgan HAKLAJ – Mjeshtër i Madh, ish-deputet i Tropojës në Kuvendin e Shqipërisë, ish-kryetar i degës të PD të Tropojës dhe ish- nënkryetar i Këshillit të Qarkut të Kukësit, president i Unionit Artistik të Kombit Shqiptar –

Jam i detyruar të bëj këtë deklaratë për mbarë opinionin publik, mediat dhe përfaqësitë diplomatike të akredituara në Republikën e Shqipërisë.

Të nderuar bashkëkombas të mi, shkëlqesi ambasadorë dhe përfaqësues të shoqërisë civile dhe të shoqatave për mbrojtjen e lirive dhe të drejtave të njeriut.

Si i persekutuar politik në diktaturë dhe i burgosur politik në demokraci, si drejtues një dekadë i Partisë Demokratike në Tropojë, deputet i saj i zgjedhur ndonëse i burgosur politik, pushtetar lokal i Qarkut Kukës, gjithashtu prej mëse 15 vjetësh anëtar i Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike të Shqipërisë, dhe President i Unioni Artistik të Kombit Shqiptar deklaroj si më poshtë:

-Regjimi revashist i instaluar me dhunë e terror në vitin 97 dha pasardhësit e tyre të ardhur në pushtet me paratë e krimit, drogës, bandave dhe trafiqeve nën siglën e Rilindjes kanë ushtruar një dhunë e terror të egër ndaj meje dhe familjes time në vitet 97 – 2005, me burgosje politike dhe disa atentate politike ndaj meje dhe familjes time.

Çuditërisht edhe sot Kryeministri Rama dhe segmentet e shtetit dhe të mediave të kapura prej tij, me kanë shpallur person në kërkim kur në fakt unë jam qytetar i lirë dhe i pa implikuar në asnjë precedent që përbën vepër penale apo administrative dhe po ushtroj detyrën time në shërbim të artit dhe kulturës kombëtare si qytetar i lirë në Tiranë.

Nuk kam asgjë personale me Kryeministrin uzurpator të pushtetit, por jam i vendosur në betejën dhe kauzën time për mbrojtjen e vlerave të demokracisë, integrimit të Shqipërisë në strukturat Euro-Atlantike dhe të mbrojtjes së interesave kombtare, të cilat Kryeministri Edi Rama i ka shitur si dikur Esat Pashë Toptani, në këmbim të mbajtjes së pushtetit të tij dhe bandave kriminale që e kanë sjellur në pushtet.

E kam akuzuar publikisht për shndërrimin e Shqipërisë në Kolumbi të Evropës, për tradhtinë ndaj Çështjes Çame, për marrëveshjen e fshehtë e mafioze të shitjes së detit, për dhunën e burgosjet e njerëzve të thjeshtë e simpatizantëve të opozitës.

Kam denoncuar kursin e tij politik antikombtar, dhe marrëveshjet e tij të fshehta me Vuçiçin, Erdoganin dhe Putinin për ndarjen e Kosovës, tregun e përbashkët Ballkanik, si projekt të Serbisë së Madhe.

Kam denoncuar publikisht sulmet e tij të egra ndaj simboleve kombëtare dhe elitës intelektuale kombëtare, Akademisë së Shkencave, Universitetit të Tiranës dhe së fundmi ndaj Teatrit Kombëtar.

 Me dt 31 mars bëra një shkrim kundër piramidave që ngriti në Rrugën e Kombit. Kundër traut pa alternativë si një e drejtë themelore e kushtetuese e lëvizjes së lirë të qytetarëve shqiptarë në hapsirën mbarëkombëtare. Kundër taksës së dyfishtë, duke i bërë thirrje qytetarëve shqiptarë për mosbindje civile, e drejtë themelore që i njihet opozitës të çdo vendi demokratik, si hap i fundit për të ndalur revanshin e një qeverie despotike, antipopullore e antikombtare.

Pushteti lokal i Kukësit, Hasit ,Tropojës organizuan me dt 31 mars një protestë paqësore kundër traut të Ramës pa alternativë dhe taksës së dyfishtë.

Mijëra qytetarë të qarkut Kukës e Kosovës i thanë Jo taksidarit Rama.

E ndjeva si obligim, si qytetar i këtij vendi, por dhe si ish pushtetar lokal dhe ish deputet e përfaqësues i mijra artistëve të Kombit Shqiptar dhe mora pjesë në këtë protestë legjitime e paqësore.

Papritmas qytetarët paqësorë u sulmuan dhunshëm nga trupat speciale.

Bëra ç’është e mundur në kontakt të vazhdueshëm me drejtuesit e policisë, dhe qytetarët për të rikthyer qetësinë por fatkeqësisht skenari i Edi Ramës dhe Xhafajt ishte dhuna, anatemimi i protestuesve, si vandalë e barbarë.

E gjithë veprimtaria ime paqësore e legale dhe në shërbim të ruajtjes së rendit dhe qetësisë për të shmangur konfrontimin e transmetuar nga mediat e pa censuruara të Sulltan Ramës, u çertifikua nga dyshja Rama- Xhafa nëpërmjet mediave të tyre si person në kërkim, kur në fakt unë jam qytetar i lirë.

Ky vendim eshtë hakmarrje ndaj meje për opozitarizmin tim ndaj qeverisë Kuislinge që ka blerë pushtetin me paratë e drogës dhe po e mban me dhunë e duke shitur gjithçka nga pasuritë kombëtare, deri dhe Sovranitetin Kombëtar.

Dhuna e egër e barbare, etiketimi i protestuesve paqësorë si vandalë e barbarë dhe arrestimi i tyre me metodat e sigurimit të shtetit tregoj se Rama e ka kaluar vijën e kuqe.

Tashmë ai do të përballet me mosbindjen civile si vendim politik të opozitës dhe në rast të këmbënguljes tij për ta kaluar këtë barrierë të fundit fjalën do ta ketë populli i lirë e sovran.

Një portal pranë qeverisë na kercënonte me turrën e druve të Xhordano Brunos. Unë po i përgjigjem duke perifrazuar Ajnshtajnin e madh: Jam gati të shkoj vetë vullnetarisht në burg për të mbrojtur liritë e të drejtat e njeriut dhe dinjitetin njerëzor.

I kujtoj kryeministrit se nuk ka pranga për miliona shqiptarë që kalojnë Rrugës së Kombit.
Ata janë të vendosur t’i heqin trarët dhe barrierat mes tyre, ta rrezojnë Ramën e bandën e tij nga pushteti e ta çojnë para drejtësisë.

Tiranit Rama po i kujtoj dy vargje të Hymnit Kombtar të Francës , Atdheut të lirisë,: “Përpara bijtë e Atdheut, lavdia na thërret” dhe Hymnin tonë Kombëtar:

“Rreth flamurit të përbashkuar

Me një deshirë e një qëllim

Të gjithë atje duke u betuar

Ta lidhim besën për shpëtim.”

Edvin Rama ju i shpallët luftë mbarë Kombit, por shqiptarët të bashkuar rreth Flamurit Kuq e Zi do ta tregojnë vendin që meriton pikërisht në Vitin e Jubileut të Heroit të tyre Kombëtar.