Ballina ED/OP ENVERISTËT E VJETËR E TË RINJ PO PËRÇAJNË PAQEN SOCIALE DHE UNITETIN...

ENVERISTËT E VJETËR E TË RINJ PO PËRÇAJNË PAQEN SOCIALE DHE UNITETIN KOMBËTAR


 -Deklaratë për shtyp e Institutit të Studimeve të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit (ISKK)-

Instituti i Studimeve të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit (ISKK) me anën e kësaj deklarate për shtyp shpreh indinjatën dhe qëndrimin e tij, lidhur me sulmin fyes e denigrues, që historiani i mesjetës, z. Pëllumb Xhufi u bëri ish-të përndjekurve politikë në veçanti, dhe ndërgjegjes së shëndetshme qytetare në përgjithësi, duke mohuar të vërtetat kriminale që përjetuan të internuarit e kampit komunist të përqendrimit në Tepelenë.

Në këtë sulm të përllogaritur e të paramenduar në emisionin “Arena” të Televizionit “Ora News” (më 28, 03. 2018), z. Xhufi zbehu, vuri në dyshim e mohoi regjimin genocidial brenda këtij kampi që ka ekzistuar në periudhën 1949-1953. Xhufi vuri në dyshim dhe mohoi të vërtetat tragjike të këtij kampi mortor përqendrimi:

a) së pari, duke e përligjur alibinë e tij, se Kampi i Internimit në Tepelenë u ngrit si reagim i shtetit shqiptar ndaj familjeve të mëdha të Veriut, si reaksion ndaj asaj, se pjesëtarët e këtyre familjeve ishin arratisur në Jugosllavi dhe kërcënonin ekzistencën e shtetit me kalimin e kufirit dhe aktet terroriste të “sponsorizuara nga Jugosllavia”, duke u mbështetur nga dy baza, një në Prizren e një në Ulqin. Z. Xhufi këtë akuzë nuk e mbështeti në asnjë dokument, por në ca pleq, që i paskëshin thënë, thëniet e supozuara të të cilëve duhen besuar, si e vetmja referencë shkencore e historianit. Kjo, sipas historianit mesjetar, përligj koncentrimin genocidial të familjeve të tyre dhe tok me drejtuesin e emisionit “Arena” shpikën akuzën tjetër, se gjoja të afërmit e këtyre familjeve kanë vrarë në inkursionet e tyre brenda kufirit 1000 ushtarë e policë, duke iu referuar një interviste të studiuesit dhe ish-kryetarit të SHISH, z. Irakli Koçollari, dhënë gazetarit Roland Qafoku, po në “Ora News (6. 09. 2016). Çuditërisht në këtë intervistë z. Koçollari nuk thotë asgjë të ngjashme me mendimin e z. Xhufi. Me mungesë dokumentash, me mungesë referencash, me manipulim thëniesh dhe spekulime të ulëta, z. Xhufi ndërton njëherësh alibinë e fajësisë dhe ri-deklasimin e viktimave fatkeqe të kampit mortor të Tepelenës, krejt në frymën e PPSH-së dhe diktatorit, sikundërse ka qenë e është nxënës i devotshëm i tyre.

b) së dyti, duke mohuar kushtet ekstreme në kamp, ku përkundër punës cfilitëse skllavëruese me nga 16 orë, përkundër urisë (me racion prej 550 gram bukë misri të papjekur mirë), përkundër të ftohtit, mungesës së rrobave, ilaçeve, përkundër epidemive, dhunimeve e përdhunive, që na vijnë përmes dëshmive të dhëna OKB-së nga të arratisurit prej këtij kampi që nga ajo kohë (1955), si dhe prej qindra dëshmi të gjalla që kemi mbledhur nga të mbijetuarit – z. Xhufi, deklaron se Tepelena nuk ishte më i keq se kampet e tjera, ai ishte një kamp me “ndërtesa solide, me tulla të ngritura, shumë të rregullta”. Z. Xhufi refuzoi ta krahasonte Tepelenën me Aushvicin, pavarësisht nga shkalla përpjestimore e zvogëlimit, duke shtuar, se krahasuar me Aushvicin, Tepelena ishte “një kamp pushimi”. Në lidhje me këtë pikë sqarojmë, se nazistët i dërgonin hebrenjtë e Aushvicit në gaz e krematorium, ndërsa komunistët e Xhufit jo, ata parapëlqenin t’i vdisnin bashkatdhetarët e tyre ngapak e përditë, me punë rraskapitëse, me uri ulëritëse, me të ftohtë, uri, epidemi, aq sa për një natë vdiqën nga epidemia e dizanterisë 64 foshnja. Gjithashtu nuk duhet harruar një hollësi e papërfillshme për oreksin estetik dhe etiko-moral të z. Xhufi në gjithë këtë krahasim: nazistët vërtet i vrisnin hebrejtë, por ama nuk i përdhunonin femrat hebraike, ndërsa komunistët e Xhufit po, (sa e pahijshme kjo për moralin komunist!), i përdhunonin bashkëatdhetaret e tyre të pambrojtura midis atij mjerimi. Se kështu thonë (jo burimet shqiptare, se atyre s’u beson z. Xhufi), po e thotë troç dokumenti i CIA-s.

c) së treti, z. Xhufi vuri në dyshim, shpuri drejt pabesueshmërisë numrin e shifrave të fëmijëve të vdekur (300) dhe nuk e kuptoj si mund ta bëjë këtë një historian, pa pasur një studim apo referencë. Për moralin e njerëzve si z. Xhufi në këtë tragjedi, mjafton të ndërmendim fjalët e F.M. Dostojevskit : “Madje as lumturia më e madhe e botës nuk do t’ia vlente çmimin e një loti në faqet e një fëmije të pafajshëm».

d) së katërti, z. Xhufi përdori manipulueshëm një nga dy dokumentat e CIA-s. Gjithësej janë dy dokumenta të CIA-s, tashmë të deklasifikuar e të aksesueshëm, por Xhufit dhe drejtuesit të emisionit u interesoi fort t’i referoheshin (qëllimisht) vetëm njërit. Ne i kemi të dy dokumentat e CIA-s, njëri i vitit 1951 dhe i dyti, mban datën 29 maj 1953. Nuk është zor ta kuptosh, se pse z. Xhufi iu përmbajt dokumentit të dytë, të vitit 1953, pasi aty deklarohet, se në kapin e Tepelenës vuajnë dënimin 1000 deri 1300 persona, ndërsa në dokumentin e parë, të vitit 1951, raportohet se në kamp ka 3600 të internuar.

Në dokumentin e CIA-s të vitit 1951 thuhet: “…Ka 3600 të internuar në kampin e Tepelenës, i cili është ngritur në fillim të vitit 1949 dhe është më i madhi dhe më i vjetri në Shqipëri, dhe 2000 në kampin e Bedenit në Kavajë. Rreth 70 përqind e të internuarve në tepelenë janë gra dhe fëmijë. Shaklla më e lartë e vdekshmërisë ështe mes fëmijëve”.

Ndërsa në dokumentin e CIA-s të vitit 1954 thuhet: “Në kampin e përqendrimit të Tepelenës mbahen rreth 1000 deri në 1300 persona, më së shumti familje të njerëzve që janë arratisur në Jugosllavi. ….”

Pse nuk u ndal dhe tek dokumenti i dytë z, Xhufi? Pra, nëse në fillim kanë qenë 3600 të internuar, pse mbetën më 1953 rreth 1000 – 1300 frymë? Ku të kenë shkuar vallë? Në ndonjë kamp pushimi? Mes këtyre 2600 -2300 të internuarve, që paskan firasur, mos ndoshta, rastësisht, gjenden aty dhe ata 300 e kusur fëmijë të vdekur në kamp, që z. Xhufi i trembet ta besojë?

Për të gjitha këto që vërejtëm e të tjera, pa llogaritur cinizmin dhe mungesën njerëzore katastrofike të gjindshmërisë ndaj tragjedisë së kampit të Tepelenës, pa llogaritur sulmin mbi institucionet, bashkinë e Tepelenës dhe mediave, ISKK i bën thirrje opinionit qytetar, institucioneve dhe formumeve mediatike, të mos jenë indiferentë nga këto fyerje e kërcënime, të mbrojmë standardet tona të lirive demokratike, t’i kundërpërgjigjemi në mënyrë dinjitoze, si njerëz intelektualisht të lirë, revanshit enverist, që kërkon të na rikthejë edhe njëherë në izolacionin stalinist të komunizmit.

Nisur nga precedentët e shpeshtë që kanë ngjarë gjatë dhjetvjeçarit të fundit me ngjalljen e nostalgjisë recidiviste të veglave e trashëgimisë së diktaturës komuniste, ISKK shtron nevojën urgjente për të hartuar e propozuar një Projekt-Ligj të mirëmenduar, i cili të përfshijë hiç më pak e hiç më shumë nga ato sa kanë bërë tashmë sshoqëritë ish-komuniste të BE. Me miratimin e një ligji të tillë gjendet një zgjidhje universale për çdo kundravajtje ligjore. Dhe askush nuk mund të guxojë të përbaltë kujtimin e sakrificave, as të prekë dinjitetin e pjesës më të martizuar të Shqipërisë.

Vetëm një ligj i tillë mund ta ndryshojë thelbësisht edhe gjendjen me anën e një dekomunistizimi organik të të gjithë shoqërisë dhe institucioneve, duke nisur nga kurrikulat shkollore e duke mbaruar me pastrimin e hapësirës publike nga simbolet e propaganda komuniste. Vetëm një ligj i tillë do t’i jepë fund mashtrimit, manipulimit dhe spekulimit të trashëgimisë enveriste.

Për ISKK,

Drejtori Ekzekutiv Agron TUFA

 

Tiranë, 31. 03. 2018