Ballina ED/OP KUSH I UDHËHEQ INSTITUCIONET E SIGURISË TË KOSOVËS?

KUSH I UDHËHEQ INSTITUCIONET E SIGURISË TË KOSOVËS?

Sot, mbi imazhin dhe kredibilitetin e Kosovës si shtet demokratik ka rënë një hije e zezë. U arrestuan dhe u dëbuan nga Kosova 6 shtetas turq, në kundërshtim të hapur me kushtetutën e vendit dhe konventat ndërkombëtare.

Tre krerët më të lartë shtetërorë, Presidenti Thaçi, Kryeministri Haradinaj dhe Kryetari i Kuvendit Veseli, bënë të paditurin dhe u distancuan nga ky akt antiligjor. Është shumë e dyshimtë që asnjëri prej tyre të mos ketë patur informacion për këtë operacion. Por, edhe në rast se e marrim të mirëqenë faktin që nuk paskërkan patur dijeni, atëherë shtrohet pyetja: prej kujt kanë marrë urdhër Ministria e Brendshme, Agjensia Kosovare e Inteligjencës dhe Policia e Kosovës për të arrestuar dhë dëbuar nga Kosova 6 shtetas të pafajshëm turq? Mos vallë këtë urdhër e morën nga Presidenti i Turqisë, Rexhep Taip Erdogan? Nëse po, kjo do të thotë së institucionet e sigurisë të Kosovës nuk janë nën kontrollin e autoriteteve të vendit tonë, por të një autokrati të njohur, si Erdogani.

Në qoftë se Hashim Thaçi, Ramush Haradinaj dhe Kadri Veseli nuk i kryejnë detyrat kushtetuese e ligjore për të udhëhequr e kontrolluar institucionet kryesore të shtetit, me çfarë merren ata? Cfarë mund ë pritet prej tyre në përballimin e sfidave të vështira, me të cilat ballafaqohet Kosova, kur ata nuk janë në gjendje të kryejnë as detyrat më elementare në fushën e sigurisë?

Në gjykimin tim, ky është problemi më i rëndë, i cili meriton të diskutohet në Kuvendin e Kosovës, për të nxjerrë, në radhë të parë, përgjegjësinë e krerëve më të lartë shtetërorë, pastaj të zbritet në nivele të tjera, më të ulëta.

Dr. Islam LAUKA

Ish ambasador i Shqipërisë në Kosovë,

Drejtor i Institutit Shqiptar të Studimeve Politike

Prishtinë, 30 mars 2018