Ballina Kosova PSE SHMANGEN DISA TË VËRTETA TË 24 MARSIT 1998

PSE SHMANGEN DISA TË VËRTETA TË 24 MARSIT 1998

Nga Adem LUSHAJ – Deçan:

Kam përcjell me vëmendje të madhe dokumentarin që I kushtohet ngjarjes së 24 marsi të vitit 1998. Padyshim qëndresa e familjes së Hilmi Haradinaj atë ditë, është rast për studim, sepse me një trimëri dhe mençuri që pak kush mund të bëj, kanë arrit të përballojnë ato forca policore dhe ushtarake, sikur të jepnin me kuptuar se e tërë Serbia kishte ardhur atë ditë. Kjo është një betejë që s’duhet kurrë për të harruar. Mirëpo, nuk mund të kuptoj arsyen e devijimit dhe mos përmendjes së të vërtetës për dy raste për të cilat jam njohës I mirë se çfarë ka ngjarë.

Pse nuk përmendet ikja e drejtorit dhe mësuesve të shkollës, të cilët ishin mu nga Gllogjani, dhe ti lënë nxënësit në mëshirën e zotit dhe përkujdesit të dy mësimdhënësve, Lumnije dhe Bekim Avdijaj, dhe punëtorit teknik, Beqir Dervishaj, të cilët ishin shndërruar edhe nënë, edhe babë, edhe ruajtës të dhjetëra nxënësve të shkollës së Gllogjanit. Mu në praninë dhe para syve të këtyre nxënësve, nga snajperistët janë vrarë Gazmend dhe Agron Mehmetaj, këtë e tregojnë nxënësit, mësimdhënësit dhe disa prindër që ishin aty të zënë rob, nga forcat serbe. Pse nuk përmendet fare mundimi i mësimdhënësve me fëmijët e Gllogjanit dhe Shaptejt, të cilët sapo ka rënë muzgu, nëpër thera dhe fshehje tjera, kanë ikur nga shkolla ku ishin të zënë dhe janë futur në shtëpinë time, për tu strehuar dhe për tu ushqyer, pasi tërë ditën kishin mbet pa bukë dhe ujë, çka për ata, ajo natë ishte nata më e gjatë, sepse nga frika, as gjumi nuk i zinte, por as mundësia për ti strehuar, mbi 100 persona, nuk ishte e mjaftueshme. Mu nga panika që kishte rrokur disa prindër nga Gllogjani, pasi kishin parë djem të UÇK të armatosur, nga droja për ndonjë përleshje tjetër me forcat serbe, jemi detyruar që nxënësit të marrin rrugën për në “Kishën e Novosellës” së Gjakovës, ku përsëri nga ata nxënës, nuk janë ndarë dy mësimdhënësit dhe punëtori teknik i shkollës.

Shmangie nga e vërteta tjetër është rasti i gjetjes së kufomës të Himë Haradinaj, një djalosh i cili jepte të kuptonte që s’kishte as 12 vjet, shumë i ri dukej, por me pushkë në dorë ka gjetur edhe vdekjen, nga snajpesist serb, në vendin e quajtur Suka e Biteshit. Këtu të vërteten e di vetëm bashkëvendësi i tij që ishte me të, edhe në momentin e plagosjes. Së pari, sa mund të dimë, kufomën e ka gjetur apo ka lajmëruar për vdekjen e tij, është gazetari Nuhi Bytyqi, para se ta gjejnë fshatarët e fshatit Shaptej, në mesin e të cilëve isha edhe unë. Të nesërmen e komunikimit të lajmit se Himë Haradinaj është gjeturi vrarë, aktivistë të LDK-së, Sali dhe Osmon Cacaj, Curr Mazrekaj, Mon Selmonaj, Muhamet Haderxhonaj,….janë munduar që me kërkime nëpër malet e Shaptej, të gjejnë kufomën e këtij djaloshi. Mirëpo, pasi kanë kërkuar kot se koti, kanë kërkuar ndihmën nga ne, që me bashkëfshatar, të bëjmë kërkimin dhe gjetjen e kufomës, çka kemi arritur ta bëjmë këtë, mu nga ana ime, që më pas kam njoftuar edhe të tjerët që ishin të shpërndarë nëpër male, në kërkim të kufomës, pasi që asnjë person nga Gllogjani, nuk na janë bashkëngjitur, arsyet i dinë vetëm ata. Duhet theksuar, se në afërsi të trupit të Himës, i cili dukej qartë se nga plaga e marrë, kishte gjetur edhe vdekjen, ishin dy bomba dhe një pushkë.Po ashtu, pos dy djemve nga Gllogjani, askush nuk është bashkëngjitur për bartjen e kufomës, çka me një traktor të Beqir Arifit, Sadri dhe Hasan Lushaj, si dhe të tjerë, që s’më kujtohen, kanë dërguar kufomën në Gllogjan, ku kishin ardhur edhe aktivist të LDK-së, Drejtave të Njeriut dhe të tjerë nga Deçani, çka trupi i Himës është varrosur natën, me nderime të UÇK-së.