Ballina Kryesore KJO ËSHTË DHE KOHA E FLAMUR LUTFI HOXHËS

KJO ËSHTË DHE KOHA E FLAMUR LUTFI HOXHËS

1.

I riu bregdrinas, 23 vjeçari Flamur Lutfi Hoxha, i internuar politik në Porto-Romano, më 5 mars 1991, kah pesë e sydritës, në kërkim të ëndrrave, lirisë, ardhmërisë, u nis drejt Brindizit në Italinë fqinjë me anijen “Legend” të shtetit panamez të Amerikës Latine. Ajo kishte kapitenin grek. Ishte e tejmbushur plotepërplot me pesë mijë refugjatë politik shqiptarë e me tonelata çimento në trupin e saj lundrues. Ajo la mbrapa portin eksodal biblik të Durrësit, tue i dhanë nji goditje tejet të madhe [anshqiptare e ndërkombëtare diktaturës komuniste në Shqipëri. Në dy ditë, në mbi 23 orë rrugëtim sfidë e mbijetesë të kësaj anije legjendare në det të hapur, e mbingarkuar me miliarda qeliza e valë shprese njerëzore shqiptare drejt Perëndimit, i fektuen dhe katër delfinë, dy helikopterë italianë… dhe foto të saj banë xhiron e botës, asokohe, në kapërcyell të dy shekujve, në harkun e tri dekadave të derisotme.

Atje, në Itali, ky refugjat politik shqiptar i përvujtun nga rregjimi komunist, Flamuri i qytetit të Kukësit të Dy Drinave ishte e mbeti Flamur në virtyte, vlera, vlerësime, visare. Ai e kishte marrë Atdheun me vete në zemër, sy, hapa…E lumturoi jetën e vet me të nesërme meritë e mirësi. Krahas traditës genetike familjare ndër breza, përgjatë dy viteve në mërgim tue punue e kontribue me inteligjencë e përkushtim të veçantë vetjak përfitoi një kulturë të lartë menaxhimi si biznesmen bashkëkohor. Ai la atje emër të mirë e mori me vete përvojë të madhe.

I riu çerekshekullor, dinjitari Flamur Lutfi Hoxha, tue e dit’ se Dheu i Huaj nuk të bahet Atdhe, tue e pa se Shqipëria kishte nevojë dhe për dijet, arritjet e kontributet e tij të shumanshme e të vazhdueshme, në vitin 1993 rikthehet me avion në Tiranë – metropolin shqiptar si nji biznesmen me të ardhme, si Administrator e, njiherash – aksioner, i një firme shqiptaro-italiane tek NPV 2 (sot – UET). Pastaj, tue i matë forcat e parë mundësitë doli me biznes më veti, me emën e mbiemën të tij, me kompaninë e tij të Veshjeve/fason “Kler” Sh.p.k. – që nuk është vetëm një eksportuese e prodhimeve të saj, po edhe një “ambasadore” përfaqësuese e vlerave e arritjeve të Shqipërisë të sotme euro-atlantike.

2.

Dera e njohur e Xhemë Bicit, me tri mëhalla pasardhëse në Bicaj të Kukësit: Mustafajt (mëhalla e Gurit), Osmanaj (Osmanit), Canaj (Hasanit), në rremin genetik prej tek Ali (Hoxha) Mata, sipas dokumentave të kohës, i rendohen 25 hoxhë në katër barqe të saj. Një prej tyre është dhe Mulla Idriz Tahiri – stërgjyshi i Flamur Lutfi Hoxhës. Ky fakt ua ngjiti në kohëna mbiemnin e sotëm – Hoxha.

Atdhetari Mulla Idrizi (1880-1960) ishte njeri i ditun, hoxhë me shkollë. E thotë vet titulli i tij fetar “mulla”. Kjo i dha atij kulturë orientale, pasi Perandoria Otomane e Stambollit ishte një nga ma të mëdhatë e kohës, e cila në fazën e tretë të saj pati elementë të qytetërimit perëndimor.

Po Mulla Idrizi kishte dhe një dyqan në Bicaj, në këtë vendbanim historik të Lumës e të Kukësit. Ai, aty, në Bicaj, e ushtroi detyrën e tij të klerikut deri në vitin 1957 dhe, pastaj, në qytetin e Kukësit të Vjetër deri më 1959. Ishte tregtar i vaktit, i breznive të tij. Bante tregti jo vetëm me Prizren, Pejë, Gjakovë, Plavë-Guci, po edhe me Shkodër, Ulqin, Lezhë, etj. Lidhjet me Bregdetin Adriatik të Mesëm ia rritën ma shumë kulturën perëndimore atij e familjes së vet të gjanë. Ai kishte thué për tregëti, dinte me i mbáth patkua asaj. Mujke me i ndejt tregëtisë në kambë e me i ecë në udhë. Ai mbeti njeri i mirë, i nderave e nderimeve të mëdha.

3.

Djali i tij, Haki Hoxha, i eci në ferkema. Edhe në atdhetari, në fe, në tregti. E kreu Medresenë. Punoi dhe në detyrën e “Mësuesit të Besimit” mysliman në shkollën e vendlindjes në Bicaj në vitet 1941-1942, sëbashku me Xhafer Korbin – kryemësues, Qamil Hoxhën (deri më 13 mars 1942 – kur u zëvendësue nga Rakip Domi i Topojanit) dhe Rifat Spahiun. Kjo shkollë u themelue me nismën e Hasan Prishtinës në vjeshtë 1914 dhe në 100 vjetorin e saj, u përmend për mirë edhe emni e puna e Haki Hoxhës.
Ky, i fismi, i ndritshmi, Haki Hoxha, ishte një patriot i mirë, me kulturë e veprimtari patriotike. Ai e njifte historinë e kombit, Eposin e Kreshnikëve, “Lahutën e Malcis” të Gjergj Fishtës, folklorin e krahinës… Ishte i dhanun pas librit e studimeve. Shpesh, në vite të Luftës së Dytë Botërore, ai vet dhe me shoqëninë e tij, në oda e kuvendime, e recitonte me pasion dhe “Hymnin e Flamurit” të Fishtës: “Mbi atë Flamur Perëndia / me dorë t’vet e ka shkrue: / për Shqiptarët do t’jetë Shqipnia / kush e prekt’ ai qoftë mallkue / Bini toskë e bini gegë / si dy rrfe që shkojnë t’u djegë…”/.
Ai, Haki Hoxha, u lidh dhe me LANÇl. në Bicaj qyshce në vitin 1943, i zgjedhur kryetar i Këshillit Nacionalçlirimtar për Lumen – me qendër në Bicaj. I kontribuoi aktivisht e lartësisht dhe rindërtimit të vendit pas luftës.

Klani sllavo-komunist në Kukës, në atë kohë, në kundërshtim me Ligjin (pasi qënia kryetar i këshillit nacionalçlirimtar në kohë lufte ishte me status njëlloj si partizan dhe përjashtoheshin nga shërbimi ushtarak) e dergojnë ushtar në Jergucat në Provokacionet e Gushtit ‘49 me Grekët, vetëm e vetëm për ta larguar nga Kukësi, me shumë shpresë se mos ngelej atje. Kjo për faktin se ishte potencialisht konkurent për organet e pushtetit.

Deri më 1975 është dekoruar nga Presidiumi i Kuvendit të Shqipërisë shtatë herë me motive të ndryshme, pa qënë asnjëherë i organizuar në parti, ndaj pikërisht dhe për këto ai u ba i padëshirueshëm për klanin sllavo-komunist të Kukësit.

Që nga viti 1945 iu turravën e cakatavën si gërryes e shkyes, ia vunë në shpinë Sigurimin famëkeq të Shtetit, ishin shumë xheloz ndaj tij, pasi ai, Haki Hoxha, njihej personalisht me disa figura kryesore të Qeverisë, të cilët në kohën e luftës kishin qëndruar në shtëpinë e tij në Bicaj. Për 30 vjet ky klan çfarë nuk sajoi për këtë njeri atdhetar e qytetar me kult e kulturë të lartë, siç ishin: intriga, shpifje, provokacione deri sa më 1974 i mbushën një thes me akuza nga më të ndryshmet, duke prodhuar dëshmitarë, disa sish – njerëz me karakter të dobët, dhe arritën ta dënojnë atë me dënim kapital. Dëshmia e Penalitetit, e lëshuar nga organet e drejtësisë në kohën e Ramiz Alisë, shenjon:“Agjitacion e propogandë kundër Pushtetit Popullor dhe sabotim”(!)
Djali i tij, Lutfi Hoxha (babai i Flamurit), ndërvite, ishte në kërkim dinjitar, të pandalur, të paepur, për të drejtën e shkelur, prangosur e përgjakur ndaj të atit, Haki Hoxha.Ai u takua me personalitetet e drejtësisë si dhe me vet Ramiz Alinë në vitin 1986, të cilët i kanë thënë se është parë puna e tij dhe i kanë ra shumë nga akuzat (pas vdekjes). Shprehimisht, vet R. Alia – i ka thënë se “me këtë njeri (Hakiun) edhe mund të kemi bërë ndonjë gabim…”.

Ky, Haki Hoxha, ishte i traditës së vet në tregëti. Si i ati, Mulla Idrizi. I këndonte puna në duar. Kishte biznesin e vet derisa u vu në Këshillin Nacionalçlirimtar dhe të gjithë mallin e dyqanit e vuni në dispozicion të Luftës. Ai kreu disa detyra shtetërore në Kukës, ndër to dhe drejtor i Tregëtisë.

Prof. dr. Shefqet Hoxha, “Mësues i Popullit”, “Personalitet i Shquar i Qarkut të Kukësit”, kushërini i tij, më fjalathotë se “Haki Hoxha ishte shumë i zoti, i mirësjellshëm, bajemirë,…”. Ishte dhe i besës, më thotë shumkush ndër miqtë e mi kuksianë. Këtë e ka provue disa herë me të tjerët. Ai i nderonte shumë patriotët, luftëtarët e lirisë, si Muharrem Bajraktarin e shumë të tjerë.

Familja e martirit Haki Hoxha me disa breza në kullë, në disa dekada kohë, ka jetue në një nga vendet ma të bukura të botës, me një klimë të rrallë, me njerëz të mirë, aty ku bigohen Dy Drinat (i Bardhë, i Zi) në qytetin e Kukësit të Vjetër. Aty tek kinemaja e kishin kullën, biznesin, jetesën e vet deri në maj 1976.
Pas dy vitesh, më 1978, ky qytet u përmbyt nga liqeni i Fierzës, por dhe pas’ dy dekadash në Demokraci pasardhësit e tij nuk kanë marrë asnji shpërblim zyrtar, ligjor për pasuritë e veta të patundshme në atë vend.

Bahri Hoxha, ndër të parët nismëtarë të Partisë Demokratike në Durrës dhe në Tiranë, prej kohësh në Itali, kur më fliste në tetor 2014 për atdhetarin Haki Hoxha më dukej sikur hapej qielli e fjalët i rrezatonin dritën e shpirtit të tij të mirë për njeriun e vet të shquar e të rrallë.

4.

Lutfi Hoxha, baba i Flamurit, ia ka fillue herët punës si ndihmës-mjek veterinar në Kukës. Qyshce 17 vjeç. E donin të gjithë, se ishte i derës së mirë dhe i punës së mirë. Ai po i gëzohej jetës me prindër e fëmijë, po politika e mbrapshtë e kohës së djallit të kuq, klan-politika provinciale e zezë, donte me ia krasit’ degën e tij të palctë e të trungtë, me ia tharë përgjakshëm rrënjët e tij atnore, me ia ndal hovin atij e breznive të mapasme. Qafirat e frymës ideologjike e praktike moskovite i ranë në qafë të atit të tij, Haki Hoxhës, me plot tepri, mbrapshti, shëmti, padrejtësi. E morën në qafë Haki Hoxhën pa pasë fajësi ekstreme të provuar e dëshmuar realisht. Kulshedra e kuqe komuniste vrastare donte patjetër gjakun e tij, kërkonte ekzekutim kriminal maksimal për një njeri të meritave të mëdha atdhetare e ndërtimtare për vendin. Ndaj tij, ma e shumta masë mund të merrej kjo: t’i hiqej e drejta për të drejtuar në atë post shtetëror, po jo e drejta e Zotit dhe e robit për të jetuar jetën e vet, në vendin e vet.

Haki Idriz Hoxhën e burgosen, e keqtrajtuan, i dhanë dënim kapital. E pushkatuan në shtator të vitit 1975. Vetëm në vitet e Demokracisë iu gjet varri në një gropë kolektive dhe u rivarros nga të vetët e shteti demokratik me nderime merite. Kulshedra e kuqe komuniste me pushkatimin e Haki Hoxhës të burgosur, këtë njeri shpirtgjanë e punëmadh, ia “pushkatoi” nja pesë muaj ma përpara familjen e tij të madhe duke i larguar fillimisht krejt trungun e tij familjar nga të gjitha llojet e punëve, përveç kazmes.

Më 10 maj 1976 i internuan në Kepin e Rodonit, në fshatin Shetaj. Në këtë aksion politik morën pjesë gjithato forca policie e shtetërore. Ishin 8 skoda me rimorkio për transportin e tyne. Haki Hoxhës ia interrnuan familjarisht të katër vllaznit: Hamdia, Hysnia, Zaimi e Fadili dhe katër djemtë e tij: Lutfia (baba i Flamurit), Hasani, Bahria e Naimi dhe vajzën e vetme, Hatijen. Të gjithë njerëz të nderuar, aspak fajtor. Po rregjimi enverist në bazë e qendër donte me iu ba dënim kolektiv politik. Me i shpall “kulakë”. Me i internue nga vendlindja e vet, Kukësi, tue i çue me qindra kilometra larg, përtej maleve, luginave e lumenjve, në Kepin e Rodonit. Gjithçka u krye sipas modelit të Stalinit, sipas Rusisë bolshevike, armiku historik i Shqipërisë Etnike.

Asokohe të internimit, mendjedituri e zemërmiri Lutfi Hoxha trokiti fort e shpesh në të gjitha dyert e shtetit për padrejtësinë që i banë babës së tij, Haki Hoxhës, duke e dënue me vdekje. Ai, Lutfiu, tashma kishte statusin e “kulakut”, po mbart’te në vetvete fuqinë e të drejtës, forcën e arsyes, ndjenjën e shpresës. Ai u interesua si djali për babën e vet tek shteti komunist që e njihte për “Babë” Stalinin. Askush nuk vuri dorën në zemër, vetëm gishtin në këmbëz…e persekutimin politik, ekonomik e shoqëror në internim.

5.

Në një nga skodat me rimorkio që po i çonte më 10 maj 1976 drejt internimit në Shetaj, Kepin e Rodonit ishte dhe familja e Lutfi Hoxhës. Ai vet, me tre fëmijët e tij. Kishte me veti djalin e vetëm: Flamurin, që e morën nga bangot e shkollës në Kukësin e Vjetër, 8 – vjecar, nxanës shembullor, në të dytën klasë të fillores. Kishte me veti dy çikat: Thëllenxa e Drita, ndërsa Elida e Brisilda kanë lindur në internim. Gruan e tij, Sherifen, një zonjë grua, malësore bashkëkohore e vërtetë, e nderuar, për hakmarrje e persekutim familjar, ia dënuan me pesë vjet burg për dëmtim të pasurisë socialiste (!) Të pesë emrat e fëmijëve janë bashkëkohorë, modern, të bukur. Shprehin kulturën e Lutfiut, qytetarinë e tij e të familjes.

Atje, në rrethina të Durrësit: në Shetaj të Kepit të Rodonit (dy vjet), në Perlat të Sukthit (tre vjet), në Bisht-Pallë apo Porto Romano (1982-1990), në këtë internim politik 1976-1990, mes rrethatimeve vija-kuqe, përballë trysnive ideo-politike të kohës komuniste, larg vendlindjes së vet, Hoxhajt e Bicajve e të Kukësit të Vjetër përjetuan një realitet ndryshe, të ri, të egër, të papamë. Ishte Shqipëria Tjetër – ishte “Shteti i të Internuarëve e i të Përndjekurëve Politikë” nga rregjimi komunist enverian, moskovit, i pashoq në llojin e vet. Në truallin gjeo-politik të Shqipërisë, “Blloku i Udhëheqjes” në Tiranë, krahas shtetit të “njerëzve me biografi të mirë” kishte krijue plot “shtete” të tillë në rrethe të ndryshme, shtete “të njerëzve me biografi të keqe” që ishin fut’ në “klon” e plan shënjestër me rrethatim nga politika e klanet e saj, etj. I kam pasë parë e njoftë disa nga këto “oaze politike” të “Shtetit të njerëzve me biografi të keqe”, po di të them se ma të lira ishin kafshët në Parkun “Kruger” me 28 mijë km2 në Afrikën e Jugut se sa këta të internuar e të persekutuar politik në vendin tim.

Të gjithë Hoxhajt e Bicajve e Kukësit të Vjetër në ato vite të internimit pa kokërr faji dhe majemale me sakrifica, dhimbje të madhe e dinjitet të lartë luftonin për bukën e gojës, për mbijetesë. Me i shkrue ato duhen si i thonë fjalës “netë dimni” apo, ndryshe – volume librash. Atje punonin të gjithë: i madh e i vogël. Në këto 14 vite internimi e persekutimi politik punonte dhe Flamur Hoxha, që u sakrifikua tepër herët, që e la rininë e vet në to, që u burrërua parakohe. Ai e gëzoi rininë e vet vetëm gjatë e pas Lëvizjes së Dhjetorit ’90, kur ishte dy vjet refugjat politik në Itali dhe kur u kthye 25 vjeçar në Shqipërinë e vet dhe e ngriti “perandorinë” e biznesit të tij në Tiranë.

6.

Flamur Lutfi Hoxha ka një inteligjencë natyrore – të lindur, krejt genetike – të trashëguar nga të parët e vet në brezni të trungut të ngushtë e të gjanë familjar.
Edhe në shkollë ishte shembull i rrallë, ndonëse nuk i rá kurrnjiherë me e krye arsimimin plotor në një vendbanim të vetëm. Ai u shkollue me shumë përkushtim e mjaft sakrifica Në çdo dy-tre vjet ndrro’ shkollë e shoqëri. Ende pa mbarue klasën e dytë në qytetin e Kukësit të Vjetër, më 10 maj 1976, e internuan në Shetaj të Kepit të Rodonit, ku atje kreu të tretën e të katërten klasë, tue përmbyll arsimin fillor. Në Perlat-Kullë të Sukthit ia nisi arsimit 8-vjeçar, ku bani tri vite jetë e tri klasë (V-VII). Në Porto Romano e mbaroi të tetën klasë.

E përfundoi shkollën e mesme të ndërtimit në Shkozet (1982-‘86) me rezultate të shkëlqyera. E fitoi kategorinë e pestë si murator. Punoi dallueshëm në Ndërmarrjen Bujqësore të Spitallës (1986-’88), në sektorin e ndërtimit, derisa e çuan ushtar (1988-1990) në repartin e xhenjos në ishullin e Sazanit në Vlorë.

Flamur Lutfi Hoxha kishte një dëshirë të pazakontë për të ndjekë arsimin e lartë, në një nga universitetet e Shqipërisë, të merrte dhe specializim pasuniversitar, po i nxirrnin pengesë arsyet politike…Ai shpesh thoshte diçka tejet të veçantë: “O Zot, më hiq pesë vite jetë, vetëm më jep pesë vite shkollë të lartë!”. E, kjo dëshirë e zemrës dhe mendjes iu plotësua në vitin 1990 kur fitoi konkursin për në Fakultet Ekonomik në Tiranë, po iu ndërpre nga ikja si refugjat politik në Itali. E fitoi në Itali ndjekjen e fakultetit, por edhe aty e ndërpreu për t’iu dedikuar punës dhe ndihmës së familjes në Shqipëri. Pas kthimit në Atdhe, brenda dy viteve kreu ditën Fakultetin Juridik në Universitetin e Shkodrës. Tani është master i shkencave juridike. Ëndrra e rrallë iu ba realitet në vitet e demokracisë së re shqiptare.

Siç kishte Flamuri një dëshirë të madhe për studimet universitare, edhe i ati, Lutfia, kishte një dhimbje të madhe njerëzore, një tragjedi brenda vetëvetës, të cilën e pati shprehë ndonjëherë dhe në sy të djalit të tij të vetëm: “Kam vdekë që ditën kur ma morën babën!”… Pra, që kur rregjimi komunist ia arrestoi, burgosi, dënoi e pushkatoi të atin, Haki Hoxha. Dhimbja e gjakut ishte kaq e madhe. Thirrja e gjakut ishte kaq e fortë. Ai, tek dhimbja e palctë e quante veten “vdektarë i gjallë”, ndërsa tek mbijetesa në internime ishte një gjallnik sfidant i rrallë. Ai, burri i mirë, Lutfia, në vitet e demokracisë jetoi rilindjen e tij, një jetë të dytë, të paimagjinueshme, të pakrahasueshme.
Flamur Hoxha, u lind më 20 mars 1968, u rrit djalë e burrë i mirë për babë, prindër e motrat, për gruan Emiren, për tre fëmijët e tij me talent rrezatues e me emra bashkëkohorë: Kleidi, Erta, Enjo.Tre fëmijët e tij po ecin mirë në rrugët e jetës së tyre, me lumturime e lartësime, me vlera e merita. Kanë kujt t’i ngjajnë, e kanë shembullin me veti, babën e tyne, breznitë e tyne të maparshme. Kleid Hoxha në Konkursin ASEF të kolegjeve turke në Shqipëri u vlerësue me Madalje Ari dhe kur ishte në klasën e nantë, në Konkursin Ndërkombëtar ISWEEEP në Teksas të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në maj 2015 përfaqësoi Shqipërinë dhe mori atje Medalje Bronzi. Tani, Klaidi, i ndjek suksesshëm studimet në Amerikë.

Ai, gjatë viteve në Itali dhe veçmas pas ngritjes me ecuri të mbarë të biznesit të tij në Shqipëri, u përkujdes që i ati, Lutfia, të rrinte larg shqetësimeve të përditshmërisë së biznesit. Ai duhej vetëm të jetonte jetën, të ishte sa ma i lumtur në moshën e tretë, derisa ndrroi jetë më 24 janar 2013, para kater vitesh. Flamuri e shihte babën e tij edhe si shok të shpirtit, si vlla të zemrës.

7.

Kryehere, prej nga viti 1993, Flamur Lutfi Hoxha e ngriti biznesin e tij në një zonë preferenciale të Tiranës, skej Unazës, tek NPV 2 (sot UET).
Kur shkonin aty klientë nga kryeqyteti e rrethe të Shqipërisë për të marrë rroba nuk thoshin: – Ku është Flamuri i NPV-së?, po ndryshe, shpirtërisht, realisht: – Ku është Flamuri i PD-së?

Ata, asokohe, e neve sot, kemi të drejtë të themi: “Flamuri i PD-së”, pasi ishte e mbetet i tillë. Jo vetëm Flamuri i PD-së, po një ndër të shumtit Flamurtarë të PD-së, prejce nga themelimi i saj, në të gjithë hapat e vështirë e të mirë të saj. Ai është njeri i heshtur, me një heshtje filozofike, burrënore, qytetare, klasike, biblike. Njeri pa hije, plot me dritë. I flet vet puna. Ai nuk është militant i ekstremit, ndonëse i militon veprimtaria demokratike rranjë e majë. Ai është sot një nga Senatorët e PD-së.

Flamur Lutfi Hoxha e kishte fitue konkursin për Fakultetin Ekonomik në Tiranë, ndaj prej 20 dhjetorit 1990, me statusin e studentit, hyri aktivisht në Lëvizjen e Dhjetorit ’90, përkrah liderit Azem Hajdari e demokratëve të parë të Shqipërisë së Re dekteri tek ata ma të rinjtë si gjimnazisti i përkushtuar Lulzim Basha, kryetari i sotëm i PD-së, i Opozitës në Shqipëri.

Kësokohe, Flamuri, ky Student i Dhjetorit, ishte i ri, 22 vjeçar. Demokracinë e solli me vete. E kishte në shpirtin e tij, në jetën e tij, në ëndrrat e idealet e tij. Demokracinë nuk e gjeti rrugës dhe as nuk ia dha ndokush rrugës. As nuk e la rrugës.
Flamur Hoxha është krijuesi i seksionit të parë të Partisë Demokratike në Bisht-Pallë – së bashku me xhaxhain e tij, Bahriun, më 25 dhjetor 1990, ende pa u krijuar dega e PD në Durrës dhe ndër të parat seksione në Shqipëri, vecmas për zonat rurale. Ai, atëherit, është zgjedhur sekretar i atij seksioni. Pra, është ndër të parët veprimtarë demokratë të zgjedhur në forume drejtuese të bazës të Partisë Demokratike.
Ai, më 24 dhjetor 1990, antarësohet në Partinë Demokratike të Shqipërisë, sëbashku me axhën e tij, Bahri Hoxha, tashti në Itali. Kështu, kësisoj, është e mbetet ndër demokratët e parë të Shqipërisë.

Ai ndejti veprimtar solid në Lëvizjen Studentore në Tiranë, në Qytetin “Studenti”- deri më 15 janar 1991, pjesmarrës aktiv në të gjitha mitingjet, grevat e demonstrat e saj. I tillë ishte dhe në Durrës, në vendbanimin e tij. Ai, si veprimtar i PD-së, lëvizte shpesh jo vetëm në Durrës e Tiranë, por edhe në rrethe të tjera të Shqipërisë, derisa iku refugjat politik në Itali. Pra, ishte ndër të parët e PD-së. Ndër themeluesit e themeltarët e saj. Nuk luajti astenjiherë nga istikami. Mbeti ndër vite e dekada një nga emblemat e shumta të saj.

Gjithandej të flasin me vlerësime të larta për njeriun e mire e të shquar Flamur Lutfi Hoxha, si kryetari i Partisë Demokratike e i Opozitës Shqiptare, z. Lulzim Basha, një nga emrat e njohur të Partisë Demokratike, ish-deputeti e ish-ministri Jemin Gjana, në përfaqësi diplomatike të huaja në Shqipëri, në forume e institucione të biznesit në Shqipëri e në Europë, në rrethe e takime poetike, edhe të djathtë, edhe të majtë, edhe ata që nuk janë të ndonjë partie, etj.

8.

Flamur Hoxha është vet një “barometër” i demokracisë, me jetën e veprimtaritë e tij, si prind, si qytetar, si demokrat, si biznesmen. I shkolluar – jurist. I kulturuar me gjuhë të huaja: italisht, anglisht. Me njohje dhe ndërkombëtare. Njeri nderues ndaj të tjerëve dhe i nderuar nga të tjerët. I sheh në sy njerëzit. Si një shqiptar atdhetar i vijës së parë, pasi jeta dhe rrënjët e tij genetike e banë patriot të flaktë, bashkëkohor. I traditës dhe modern. Si e ka emnin është dhe vet: Flamurtar. Kjo është Demokracia. Të tillë duhen demokratët e sodit, ata të vërtetit, të pathyeshëm, të pakthyeshëm.
Biznesmeni punëpastër, Flamur Hoxha, prej majit të vitit 1992, është president e administrator i firmës së Veshjeve-fason “Kler” Sh.p.k. me seli në Autostradën Tiranë-Durrës. Në këtë shoqëri të konfeksioneve ka një personel rreth 300 punëtorësh dhe me kapacitet vjetor rreth 600 mijë këmisha, bluza, etj.. Kryen eksport të këtyre prodhimeve cilësore në tregun e Bashkimit Europian, por dhe në Zvicër, në Federatën Ruse e shtete të tjera europiane. Ai është një nga pionerët e parë të kësaj sipërmarrjeje në Shqipëri.
Në katër vite, nga 2008 në 2012, ishte President i Fasonëve të Shqipërisë, e thënë ndryshe: i Dhomës Kombëtare të Veshjeve (Industrisë tekstile). Gjatë kësaj kohe, për katër vjet, ishte Antar i Këshillit Konsultativ të Biznesit në Ministrinë e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjitikës të Shqipërisë.

Flamur L. Hoxha, njëherash, prej janarit 2008, është edhe pronar/administrator i firmës së ndërtimit “FB-ART” Sh.p.k në rrugën “Muhamet Gjollesha” në Tiranë, e cila merret me ndërtim ambiente banimi, industrial, etj.

Gjithashtu, prejce nga viti 2016, është pronar-administrator i ndërmarrjes “Kler Italia” S.R.L. në Bari të Italisë fqinjë, e ka manifaturën objekt prodhimi e tregtimi të saj me rrjet agjentësh të shitjeve në të gjithë botën.

Ai ia ban hyzmetin biznesit të vet. Me të gjitha forcat e kapacitetet. Mirësisht. Përditë e lartësisht.

9.

Ai, i veçanti Flamur Hoxha, është i dhanun fort e shumë dhe pas sportit. Një sportdashës i mirë. Njëherash, ndërvite (2009-2013), ishte një nga financuesit dallimtar të ekipit të futbollit “Kukësi” dhe, ndërkohë, një ndër drejtuesit e tij. Ky ekip bregdrinas i kategorisë Superiore (Superligës), doli kampion i Shqipërisë, për çka merita i përket edhe Flamur Lutfi Hoxhës.

Ai, Flamur Hoxha, ka dekada i larguar nga Kukësi i Dy Drinave, por ka dhanë investime dhe për letërsinë e kulturën shqiptare. Në dy vitet e fundit është financues edhe i revistës letrare “illz” (yll), revistë elitare e Tiranës, ma e mira revistë letrare panshqiptare në botim. Ai, gjithashtu, ka financue libra historik me randësi të veçantë kombëtare panshqiptare, veprimtari kulturore e sportive lokale e kombëtare, shoqërinë civile, etj. Ky humanist, gjatë aktivitetit të tij privat, ka ndihmue njerëz në nevojë e ecuri jete dhe kontribue për përmirësim të kushteve e mundësive në institucione të arsimit, sportit, etj.

Biznesmeni i veprimtarimit kombëtar e qytetar, Kadri Morina, më thotë se Këshilli i Biznesit në Kukës i ka dhanë Flamur Hoxhës në vitin 2014 Çmimin “Pjetër Bogdani”. Të tjerë më dijenojnë se Bashkia e qytetit të Kukësit e ka nderue me titullin “Mirënjohja e Qytetit”, është shpall një nga “Pesë Personalitetet e vitit 2013” në Kukës, etj..

Flamur Lutfi Hoxha është dhe një nga antarët e Senatit të Qendrës Shqiptare të Studimeve Amerikane e Britanike, përndryshe: senator i saj.

Tani Flamur Lutfi Hoxha ishte kandidati për deputet i Partisë Demokratike të Shqipërisë në Bashkinë e Kamzës. I 15-ti në listen e PD për Qarkun e Tiranës.

Ishte kandidati për deputet që fitoi ma shumë vota ndër të gjithë kandidatët e Opozitës në Shqipëri.  E solli Koha. Kjo është Koha Shqiptare, dhe koha e Flamur Hoxhës. Këto janë Lartësi të Kohës Shqiptare, janë lartësi dhe të Flamur Hoxhës…

Nga Ramiz LUSHAJ