Studiuesi Luan Rama ka botuar librin: “Shqipëria dhe shqiptarët në tablotë e autorëve francezë të shekullit të XIX”, ku shqiptarët hynë gjerësisht në tablotë e piktorëve të huaj veçanërisht në vitet e para të shekullit XIX, kur pas Revolucionit francez e sidomos pas fitores së Revolucionit grek, një rradhë e madhe artistësh, shkrimtarësh, historianësh, arkeologësh etj., përshkuan Greqinë që të pikëtakonin jo vetëm heronjtë e kohëve të reja por dhe të shikonin rrënojat e vjetra të një qytetërimi të jashtëzakonshëm. Por në veçanti me artistët anglezë, italianë, gjermanë, zviceranë etj., të cilët trajtuan temën shqiptare, francezët ishin më të shumtët dhe më cilësorët. Shqiptarët u shfaqën në tablotë e tyre me profile e karaktere të ndryshme: herë në pozicione luftarake e herë në pamje të qeta meditimi, apo portrete të lira, ku secili nga piktorët ka shprehur origjinalitetin dhe stilin e tij piktural. Etydet mbi karakteret, tipat dhe kostumet shqiptare janë më të shumta sesa ato tablo që u bëjnë jehonë figurave apo ngjarjeve historike.
Pas fushatës së Napoleonit në Egjipt dhe tablove të pikturuara rreth figurës së Mehmet Ali Pashës, francezët filluan të përshkojnë viset e Shqipërisë dhe Greqisë.
Padyshim që Janina ishte një ndalesë tepër interesante, pasi takimi dhe miqësia me Ali Pashën e bënte udhëtimin e tyre më të sigurtë. Në vitin 1809 ishte Bajron me mikun e tij Hobhause, si dhe studjues e njerëz politikë si Thomas Hughes apo Edward Lear, Cockerelle dhe Joseph Cartwright, ishin ndër të paktët piktorë anglezë që sollën imazhet e Shqipërisë dhe të shqiptarëve.
Duke parë gjithë këto imazhe të sjella nga piktorët francezë të shekullit XIX, ajo që bie në sy në rradhë të parë është një lloj vitaliteti i karaktereve shqiptare të pikturuara nga artistët francezë gjatë këtij shekulli, karaktere që nuk janë krijuar thjesht nga imagjinata, por nga një pikëtakim i drejtpërdrejtë i tyre me këta personazhe të diasporës shqiptare.
Sigurisht, këto tablo që shohim në këtë libër, janë një pjesë e asaj krijimtarie të madhe të piktorëve francezë të shekullit XIX, të cilët, krahas ekzotizmit përmes figurave, kompozimeve, ngjyrave dhanë dhe dramacitetin, tragjizmin apo atë lirizëm të pakët që mund të ekzistonte në atmosferën e rëndë të një pushtimi perandorak. Nëse nuk do të ishte zhvilluar shkolla e orientalizmit ne nuk do t’i kishim sot këto tablo të piktorëve me famë botërore. Përveç kësaj, këta piktorë mundësuan që gjeneratat e sotme të mund të shikojnë si figura reale tipin shqiptar gjatë atij shekulli dhe dramën që ngjizte ai në vetvete. Ne s’do të mund ti imagjinonim si duhej figurat e suljotëve pa pikturat e Louis Dupré, i cili i piktakoi ata në vitin 1819; ne s’do të mund të imagjinonim figurat e arnautëve pa pikturat e J. L. Gérôme, mishërimin e luftës së Marko Boçarit pa tablotë e Delacroix, fytyrën e së resë shqiptare pa tablonë e Corot e cila u kthye në një tablo emblematike, ashtu siç u kthye dhe “Valltarët shqiptarë”.
Kur Dupré mbërriti në Korfuz një nga mbresat më të veçanta të tij ishin suljotët me pamjen hijerëndë dhe veshjen e tyre që spikaste në atë mjedis.
Si të gjithë artistët, Dupré kërkoi menjëherë t’i vizatonte ato figura epike dhe dramatike dhe ata nuk kundërshtuan edhe pse qëndrimi i tyre ishte hijerëndë, pasi dukej se kishin mbetur të braktisur nga bota, njerëz pa shtëpitë dhe tokën e tyre.
Një nga gjërat e shënuara ato ditë ishte rikthimi i tyre në Butrint, meqë pashai i kishte ftuar të shkonin në gjueti përgjatë liqenit dhe brigjeve të tij, të populluara me lloj-lloj shpezësh të egra. Madje, siç kujton Dupré, Aliu kishte vendosur rreth brigjeve nja 500-600 ushtarë të tij që të ulërinin e të trembnin shpezët në mënyrë që ato të ngriheshin në qiell dhe anglezët e Aliu t’i qëllonin me pushkët e tyre. Një spektakël i habitshëm dhe një zallamahi më vete…
“… Nga mesi i ditës, – shkruante Dupré, – skuadrilja jonë ishte vendosur në një pikë ku na sollën për të ngrënë, madje e shtruan në barkat tona… hanim në mënyrë madhështore me enë të sheshta, por që thuhej se pronari i tyre i parë kishte qenë Joachim Murat… Kjo e ngrënë mbi ujë, në shoqëri të vezirit më të fuqishëm të perandorisë dhe ku merrnin pjesë persona të kombeve, zakoneve e rangjeve të shumta, të ofronte një pamje jo pa interes. Nuk mund të mos admiroje me një kënaqësi të veçantë sigurinë dhe besimin e Ali Pashës në mes të asaj turme, ku duhej të gjendeshin shumë njerëz që kishin vuajtur nga tirania e tij e tmerrshme. Ja në çfarë shkalle nënshtrimi duhej të kishte rënë një popull, saqë një shtypës mizor nuk kishte frikë aspak nga urrejtja apo dëshpërimi i tyre i pashpresë! Meqë barka jonë gati e prekte atë të pashait, unë u vendosa në mënyrë që të mund ta vështroja mirë dhe që ai të mos më shikonte. Që nga takimi ynë i parë me Aliun, kërkoja me etje rastin që të kapja tiparet e tij dhe ai rast mu duk tepër i favorshëm. Ai kishte refuzuar t’i bëja portretin, por megjithatë unë guxova ta bëja. Edhe pse me nxitim, arrita ta vizatoj më mirë sesa shpresoja. Ndoshta duhet t’i them publikut se portreti dhe barka e Aliut janë në tablonë VIII të librit dhe se kopje të këtij vizatimi janë botuar tashmë në Francë e në Angli pa pëlqimin tim…”