Ballina Aktualitet VATRA përshëndet miratimin e ligjit për gjuhët e bashkësive etnike në parlemintin...

VATRA përshëndet miratimin e ligjit për gjuhët e bashkësive etnike në parlemintin e Maqedonisë

– Deklaratë e Federatës Panshqiptare të Amerikës “VATRA”-THE HEARTH-

 

Nju Jork, 15 Mars 2018-  Federata Panshqiptare e Amerikës “Vatra”-The Hearth- përshëndet votimin dhe miratimin në Parlamentin e Maqedonisë me 64 vota të Ligjit për përdorimin zyrtar të gjuhëve të bashkësive etnike, me 14 Mars 2018.

Ligji njeh zyrtarisht gjuhën shqipe si gjuhën e dytë në Maqedoni dhe zyrtarizon përdorimin e saj në nivelin lokal dhe qendror të pushtetit. Kjo përbën një arritje historike për shqiptarët që jetojnë në Maqedoni.

Vatra e ndoqi me shumë vëmendje eçurinë dhe kalvarin e  projekt-ligjit, që nga refuzimi i Presidentit Ivanov për dekretimin e tij dhe rikthimin në Parlament dhe shfaq brengosjen e saj për tensionet e krijuara nga opozita maqedonse, nga VMRO, lideri i saj, Hristijan Miçkoski, nga ish Kryeministri Gruevski, që tentuan të pengojnë risjelljen e këtij Ligji në Parlament dhe krijuan tension për mosvotimin e tij, ç’ka tregon se Opozita dhe kreu i saj, ende nuk janë distancuar nga politika e vjetër, tensionet, përçarjet,dhe grindjet etnike që mbolli regjimi i Sllobodan Millosheviçit në Ish Jugosllavi…

Federata Panshqiptare e Amerikës”VATRA” e vlerëson si akt civilizimi deklarimin e Kryeministrit Zoran Zaev se: “Me përparimin e të drejtave për përdorimin e gjuhëve nuk humb askush, por mundësohen kushte për komunikim më të mirë ndërmjet qytetarëve dhe institucioneve.Komunikimi i papenguar i qytetarëve është përfitim civilizues.”

Vatra i apelon Presidentit Gjorge Ivanov që të dekretojë sa më parë Ligjin që garanton një të drejtë kushtetuse të mohuar deri tani për qytetarët shqiptarë, që janë elementë shtetformues në Maqedoni. Deklaratat e tij pas votimit në Parlament, nuk i bëjnë mirë Maqedonisë dhe rajonit, që aspiron Bashkimin Europian.

Vatra përgëzon faktorin politik shqiptar që u gjet i bashkuar në këtë çast historik, ku gjuha shqipe, zyrtarizohet në Parlament.