Agjencia Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim (TIKA) do të nisë punimet për restaurimin e pesë monumenteve osmane në Shqipëri, raporton Anadolu Agency (AA).
Në një deklaratë nga Zyra Koordinative e TIKA-s në Tiranë thuhet se agjencia në Shqipëri përpos ndihmës teknike dhe projekteve për bashkëpunim, kanë marrë përsipër edhe misionin e mbrojtjes së pasurive të përbashkëta historike dhe kulturore, mbrojtjen e tyre, gjallërimin dhe përcjelljen te brezat e rinj dhe se me projektet e filluara për restaurimin e xhamive, kjo organizatë vazhdon t’u dalë zot edhe monumenteve osmane.
Në deklaratë rikujtohet se tashmë ka përfunduar restaurimi i xhamisë në Kalanë e Prezës, Xhamisë Murat Bej në Krujë, Xhamisë së Nazireshës në Elbasan, Xhamisë Iljaz Bej Mirahori në Korçë dhe Xhamisë së Plumbit në Berat. Ndërkaq, brenda muajit mars do të nisin punimet për restaurimin e Xhamisë së Et’hem Beut në kryeqytetin e Tiranës, Xhamisë së Pazarit në Gjirokastër, Xhamisë Mbret në Berat dhe Teqesë Halveti dhe Xhamisë së Beqarëve në Berat.