Ballina Aktualitet SIKUR TË ISHTE NJË FAKULTET TURIZMI NË GUCI

SIKUR TË ISHTE NJË FAKULTET TURIZMI NË GUCI

 

Nga Sokol  SELIMAJ – Amerikë

 

Gucia është një komunë në Alpe, nën shtetin e Malit të Zi, e cila sëbashku me komunën tjetër të Plavës vlerësohet si një nga krahinat natyrore turistike ma të bukura të rajonit të Ballkanit dhe të kontinentit europian.

Aty gjenden dy qytete të vjetra urbane e administrative komunare si Plava e Gucia, me male alpine, sheu e lumenj, liqeni i Plavës, shpella, pyje, florë e faunë të pasur, rrugë makine, etj.

Gjithashtu, nga Plava e Gucia mundesh me komunikua edhe me zona të tjera turistike të Malit të Zi, të Shqipërisë e të Kosovës, përgatë lumenjve të Limit, Drinit të Bardhë e Drinit të Bashkuar, Vermoshit e Valbonës, pasi është pjesë e kësaj si po i thonë ndryshe: “unazë turistike”. Njëkohësisht, ndoshta, mund të lidhet edhe me vise të tjera turistike të afërta në Malin e Zi, në Bosnje-Hercegovinë, në Serbi – zonën Sanxhak-Tregu i Ri.

Aty, sidomos në kohën e verës, në muajt korrik e gusht, i mbi dyfishohet popullsia, sikurse Nju Jorkut për Krishtlindje, pasi emigrantët nga Amerika e Europa i kalojnë pushimet në vendlindje. Përveç kësaj, në Guci dhe në Plavë, muajve të verës, por edhe në stinët e tjera të vitit, vijnë turistë ditorë apo disa-ditorë.

Pra, në Guci dhe në Plavë, frekuentohet turizmi alpin i gjelbër (në vrri e në bjeshkë) dhe i bardhë (shoqërua edhe me sporte dimërore), si dhe disa lloje të tjera turizmi, pasi këto dy treva ofrojnë mundësira të mëdha me objektet natyrore, historike, kulturore, fetare të veçanta, me “turizmin kulinar” (pije e gatime të traditës), me alpinizimin e skitë, me gjuetinë e peshkimin, etj.

Të gjitha këto më shtyjnë të mendoj dhe t’ua drejtojë si kërkesë qeverive të Malit të Zi, të Shqipërisë e të Kosovës që të ngrejnë në qytetin e Gucisë një Fakultet Turizmi për shqiptarët e këtyre tre shteteve ballkanike. Ngritja e këtij Fakulteti do të ishte me interes rajonal dhe ma e mira e punës sikur të ishte një bashkëpunim i përbashkët i këtyre tri shteteve ballkanike.

Në këtë Fakultet Turizmi mund të ndiqnin studimet e larta jo vetëm shqiptarët etnikë të Plavë-Gucisë, por edhe nga komuna të afërta në Malin e Zi si Rrozhaja me rrethina, etj., si edhe nga Rrafshi i Dukagjinit të Kosovës si Deçani, Peja, Juniku, Gjakova, etj.; nga Shqipëria si nga Tropoja, nga Malësia e Madhe (njësia administrative Kelmend, etj.), nga Shkodra (Shala e Shoshi, etj.).

Në këtë Fakultet Turizmi, ndoshta, do të ishte me interes sikur të përfshiheshin në ngritjen e financimin e tij edhe shtete të afërta me qytetin e Gucisë si Bosnje-Hercegovina për Hercegovinën, etj. apo Serbia për Sanxhakun-Tregu i Ri, me të cilat Plavë-Gucia ka lidhje të moçme e të reja. Ky Fakultet Turizmi mund të ishte dhe disa gjuhësh, si Shqip, Anglisht, Malazeze, Boshnjake, etj.  Në se do të ngrihet shpejt e të funksionojnë mirë një Fakultet i tillë Turizmi në qytetin e Gucisë, një fakultet disa etnish e disa gjuhësh, atëherit kjo duhet të kryhet edhe në bashkëpunim institucional edhe me financime me Bashkimin Europian, etj.

Ngritja e Fakultetit të Turizimit në qytetin e Gucisë, koftë edhe si filial i një Universiteti Ballkanik si, për shembull, i Universitetit Shtetëror të Tiranës, etj. do ta zhvillonte shumë krahinën e Plavë-Gucisë me rrethina, do ta bante turizmin alpin të gjelbër e të bardhë, etj. më produktiv dhe më cilësor. Numri i studentëve dhe i turistëve do të kishte rritje nga viti në vit.

Këto të gjitha i shoh si kërkesë e shpejtë dhe si mundësi e madhe zhvillimi, pasi edhe unë jam banor i krahinës së Plavë-Gucisë, i lindur e rritur aty, por prej dekadash kam punua e punoi në restorantet në Amerikë, e kam biznes timin privat, që ia çmoj vlerat dhe ia di rëndësinë turizmit të shumanshëm edhe në Alpe, në vendlindjen time.