Ballina Diaspora PSE SADRI MEHAJ I HOTIT E BRAKTISI TAKIMIN ZYRTAR TË NEW YORKUT...

PSE SADRI MEHAJ I HOTIT E BRAKTISI TAKIMIN ZYRTAR TË NEW YORKUT ME MINISTRIN E DIASPORËS TË KOSOVËS ?

Ajo çka ndodhi më 5 shkurt 2018 në New York, me aq sa lexova te portali i ri “PlavaeGuciasot”, vërtet të befason, ishte në kufijtë e skandalozes, shprehimoi fytyrën reale të klasës së sotme politike shqiptare në siujdhesën ballkanike.

Pyetjes së atdhetarit Sadri Mehaj i Hotit: Çka ka bá  shteti i Kosovës për Rrugën Deçan-Plavë, pasi është prerë qe katër vite shiriti i Inaugurimit të fillimit të punimeve nga kryeministri i atëhershëm Hashim Thaçi e, në fakt, janë hapur vetëm 3 km rrugë ?!”, zv/kryeministri e ministri i Diasporës e Investimeve Strategjike të Kosovës, Dardan Gashi, që ka krye Universitet në Vjenë dhe për Komunikim, dialogoi me ironi duke u keqpërgjigj skuthnisht se ai nuk qënka kompetent të flasin për projekte infrastrukturore…!

   1.

Kurrë nuk mund ta kuptoj se si mundet Dardan Gashi të shprehet kështu, kësisoj, ndërkohë që ai, aktualisht, është Zëvendëskryeministër i shtetit të ri të Kosovës prej shtatorit 2017.

Dardan Gashi i sotëm në vitet 2011-’14 ishte një nga antarët e Qeverisë Thaçi, ishte ministër i Mjedisit e Planifikimit Hapësinor, çka do të thotë se ai e ka ngritë dorën para pesë viteve kur u mor vendimi i Qeverisë së Kosovës për fillimin e përfundimin e kësaj rruge me randësi gjeostrategjike. Pra, ai e ka njoft mirë projektin e saj, ka dhe miratimin e tij. Sikurse dhe të ministrit të atëhershëm të Infrastrukturës, Fehmi Mujota. Ndaj nuk mund të hiqet si “i paditun” rreth saj, nuk mund të thotë se nuk është kompetent të flasin rreth saj (!)

Ky zv/kryeminstër e minister i dyfishtë, aty në New York, nuk duhej të nxirrte yçkla e të hidhte vickla, por të jepte llogari para Diasporës Shqiptare në Amerikë.

E para: pse në mbi 3 vjet u hapën veç 3 km rrugë nacionale, nga këto vetëm gjysma e asfaltuar dhe në tanësinë e saj me disa të meta në parametrat e duhur ndërkombëtar të një rruge të tillë nacionale?!

E dyta: ku janë 50 milionë Euro të premtuara për rreth 5 vite për hapjen e kësaj rruge gjeo-strategjike ndërkombëtare?! Ju, si Qeveri, i rrudhët fondet aq shumë e aq keq sa do të duheshin dekada kohë me i përfundue 20 km të kësaj rruge gjeo-strategjike (!) Deputetja Time Kadriaj, tha këto ditë në Kuvendin e Kosovës, se këto fonde “s’do të mjaftonin as për vendosjen e shenjëzimit të saj me vija”!

E treta: përurimi i fillimit të punimeve u krye më 25 shtator 2014 kur Hashim Thaçi ishte kryeministër në detyrë, çka do të thotë se atëherit e keqpërdorët këtë event për nevojat tuaja politike qeveritare ma shumë se për interesat kombëtare të shqiptarëve në Kosovë e në Malin e Zi, si dhe në Shqipëri. Këtë e vertetoi koha deri më sot.

2.

Përndryshe, ma hapët, ma troç: Dardan Gashi nuk mundet t’i justifikohet askujt e asnjiherë, as në kullën e Kryeministrisë në Prishtinë, as në “Royal Regency Hotel”, Yonkers – NY në Amerikë, se “nuk është kompetent për projekte infrastrukturore si Rruga Deçan-Plavë” (!).

Gjithkush e dinë se një Rrugë Ndërkombëtare si kjo Deçan-Plavë, nuk do të mundtte askush, as vet Kryeministri Thaçi, me ia pre shiritin e përurimit të fillimit të punimeve më 25 shtator 2014, për pa pasë leje me firmë e vulë dhe nga Ministria e Mjedisit e Planifikimit Hapësinor të Kosovës.

E, këso kohe, atëherit, Dardan Gashi ishte ministër i kësaj ministrie prej janarit 2011 e deri më 2014. Pra, domethanëse, ai në kuadrin e detyrës së tij e ka pá projektin e kësaj Rruge Ndërkombëtare Kosovë-Mali i Zi deri në detajet e praktikat ma të thjeshta e të vogla të saj.

Ministri i Mjedisit Dardan Gashi, prej kaherit, kishte njohuri të plota për krejt projektin e Rrugës panshqiptare Deçan-Plavë, pasi ai e vetpohon në memuare, kumtime e CV e tij se është marrë shumë me Parkun Kombëtar “Bjeshkët e Nemuna”, i shtrirë në mbi 62 mijë km2 në territorin e komunave Deçan, Junik, Gjakovë, Pejë, Istog, në këto anë të Rrafshit të Dukagjinit, nga ku trupon dhe Rruga Deçan-Plavë.

3.

 Ky Dardan Gashi, ministër aktual i “Qeverisë Haradinaj”, prej nga shtatori 2017, nuk duhej t’iu thoshte Diasporës Shqiptare në Amerikë, se nuk është kompetent me fol për Rrugën Deçan-Plavë. Pse?

Ai ka dijeni të plotë për rifinancimin e kësaj Rrugë në buxhetin e vitit 2018, pasi si antar qeverie i ka ra me e ngrit dorën e dakortësisë dhe atij.

Ai, D. Gashi, ndoshta nuk donte me ua çue lezmen prej në Amerikë, me ua prishë qejfin ish-kryeministrave Thaçi e Mustafa, të cilët i ulën investimet e planifikuara padrejtësisht e poshtalakisht, aq sa në vitin 2017 nga 300 mijë Euro “u ndanë vetëm 50 mijë Euro”, sipas Institutit GAP.

Them se zotnia e tij, D. Gashi e kishte për detyrë shtetërore, e kishte mision kombëtar e qytetar, ishte kompetent dhe e kishte kompetencë, t’iu thoshte edhe Shqiptarëve të Amerikës, se Qeveria Hajradinaj, për vitin 2018, ka planifikue dhe u miratuan në buxhetin e shtetit të Kosovës 2. 4 milionë Euro. Nuk janë pak. Kjo është meritë e vet kryeministrit Hardinaj e Qeverisë së tij, minus ministrin D. Gashi që nuk don me e vnue në dukje këtë fakt të ri tek bashkatdhetarët e tij mërgimtarë në Amerikë.

 Këto ditë ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj, tha në Kuvendin e Kosovës, se “Rruga do të përfundojnë brenda dy viteve, deri më 2019”, “Buxheti i kësaj rruge do të shtohet deri në 50 milionë Euro”. Ky është objektiv i ri i Qeverisë Haradinaj. Sic duket dhe pyetja, debati e qëndrimi i atdhetarit Sadri Mehaj i Hotit, publikimi i madh mediatik i këtij rasti sarkazmë e skandaloz të zv/kryeministrit e ministrit të Diasporës e Investimeve Strategjike të Kosovës, dha sadopak ndikimin e vet në thirrjen e një interperlance me ministrin e Infrastrukturës së Kosovës, në bamjen zyrtare e publike të këtyre hapave, shifrave, etj.

  4.

Dardan Gashi, njëherash, është dhe Ministër i Investimeve Strategjike të Kosovës.

Kjo është e mira për atë dhe e keqja e madhe për Kosovës, për Malin e Zi, për Shqipërinë, përderisa ky ministër Rrugën Ndërkombëtare Panshqiptare Deçan-Plavë nuk e sheh si një investim strategjik. Aq ma keq, se dhe në Amerikë nuk e quan veten kompetent me fol për këtë rrugë gjeostrategjike, që gati ka moshën e Dardan Gashit që hyn e del nëpër letrat e qeverive në Beograd, Prishtinë e Podgoricë.

Rruga Deçan-Plavë është pjesë e “Unazës Turistike të Alpeve”, nga brigjet e Drinit të Bardhë e të Bashkuar e Tuz deri në Plavë-Guci e Pejë, nëpër disa unaza të tilla përgjatë lumenjve të Moraçës, Cemit, Valbonës, etj. Thuhet se kjo rrugë e shkurton rreth 30 km lidhjen e Kosovës me Malin e Zi, sepse lidhja e Plavë-Gucisë me Kosovën, ka pasë e ka përgjithmonë randësi jetike për zhvillimin e ekonomisë e kulturës, për arsimimin, për lidhjet e gjakut të vjetra e të reja, për mos asimilimin nga shovinizmi serbë, malazez e boshnjak. Kurrkush nuk duhet me e harrue Plavë-Gucinë e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, të betejave historike të Nokshiqit e Pepajve, po as Plavë-Gucinë e ditunisë, pasi në kohë të afërt, Akademia e Shkencave e Arteve të Kosovës, Gucia vinte e dyta, pas Gjakovës, në numrin e akademikëve të saj.

Vet Hashim Thaçi, më 25 shtator 2014, në përurimin e fillimit të punimeve të Rrugës Deçan-Plavë, tha, ndër të tjera, se kjo rrugë ka randësi gjeostrategjike të gjithanshme sikurse autostrada që lidh Kosovën me Shqipërinë dhe ajo që lidh Prishtinën me Shkupin. Pra, sotpërsot, Kosova, shteti i ri i Kosovës, ka veç tri rrugë kryesore, prioritete të tij. Njana është krye: Autostrada “Ibrahim Rugova”. Tjetra është e do të bahet ma e mirë e ma e madhe dhe me fonde të Bashkimit Europian.Vetëm njana ka mbetë aty ku ishte në vitin 2014, tek shiriti i përurimit të fillimit të punimeve.

Edhe Dardan Gashi ka ecë nga ministër i Mjedisit e Planifikimit Hapësinor në Zëvendëskryeministër e ministër i Diasporës e Investimeve Strategjike të Kosovës po Rruga Deçan-Plavë ka mbet aty ku ishte, gati ashtu siç ishte më 2014.

Shumë tituj të mëdhenj zyrtar të trefishtë i ka dhanë kryeministri Ramush Haradinaj me të tjerët, si zv/kryeministër, ministër i Diasporës, ministër i Investimeve Strategjike të Kosovës, po në takimin zyrtar të Amerikës, Dardan Gashi u tregua “i vogël”, veçmas kur ra fjala për Rrugën Deçan-Plavë (!)

5.

Dardan Gashi si ministër i Diaporës së Kosovës, duhet të dijnë ndërgjegjshëm ose duhet ta mësojnë përdhunshëm  Shteti i vet e Diaspora se si të sillet me kulturë e me burrni me Diasporën në Amerikë e kudo tjetër, sepse akti i tij në New York është i paprecedent në politikat e Kosovës me Diasporën e vet dhe i tregon “cenet” e ekstremitetet e këtij ministri në fjalë dhe që të lenë pa fjalë…!

Përndryshe, atë e ndjekin nga pas pyetje si këto të Sadri Mehajt tek portali “PlavaeGuciasot”: – Vallë për çka vjen Minstri i Diasporës kur nuk i dëgjon hallet tona?! Po, a dinë ky zotëri, se aty ku ai është sot ministër i Kosovës, ka ardhur edhe falë punës së Diasporës dhe të kontributeve të këtyre njerëzve që ky i ironizon sot?! Vallë, këta ministra a kanë në trupin, mendjen e shpirtin e tyre farë atdhetarie apo janë njerëz klubesh dhe gjak shitur…?!!!”

Diaspora e Amerikës e mirëprêt Dardan Gashin si një nga zv/kryeministrat e ministër i Diasporës e Investimeve Strategjike të Kosovës, pasi atij personalisht kur hyn e del në takime ndodh që nuk ia dijnë as emrin real, si në takimin me drejtues të shkollave shqipe “Alba Life” në New York (4 shkurt 2018) dhe, nji ditë ma pas, në gazetën dygjuhëshe elektronike e print “Illyria”- e vetmja gazetë shqiptaro-amerikane, si dhe në shkrime në gazetat elektronike “Tribuna Shqiptare” në Kanada, “Voal Online” në Zvicër, etj.. e cilësojnë “Dritan Gashi”!

6.

Në fakt në kohën kur lindi Dardan Gashi në Kosovë, Josif B. Tito në Beograd i kishte rá “vizë të kuqe” Rrugës Deçan-Plavë, e cila ishte fut në planin 5-vjeçar 1971-’75, sëbashku me dy rrugët e tjera: Prizren-Tetovë (drejt Maqedonisë) dhe Gjilan-Preshevë (me Serbinë Jugore-Kosovën Lindore). Nga të tria rrugët e Kosovës, atëherit, vetëm Rruga Deçan-Plavë nuk u hap se Tito thoshte: “nuk do të ndërtojmë rrugë me u lidh me Shqipërinë”, sepse rruga kalonte përskej kufinit vrri-bjeshkë me Tropojën.

E, prej asokohe, në mbi katër dekada, as Tito e as Millosheviqi, asnji nga ministrat e tyre sado kundërshqiptar tregoheshin, as këta të sotmit–Vuçiqi në Beograd e Gjukanoviqi me Markoviqin në Podgoricë e ministrat e tyre, nuk kanë folë kësisoj si Dardan Gashi – nji herë zv/kryeministër e dy herë ministër i Shtetit të ri të Kosovës! Asnjë prej tyre nuk ka thanë se nuk janë kompetent, përkundrazi në çdo ditë të jetës së vet, deri më sot, kanë shfrytëzue çdo kompetencë të tyre për të mos e lejue hapjen e Rrugës nacionale Deçan-Plavë.

 As Popi Sava Janjiq i Manastirit të Deçanit, nuk flet si ky Dardan Gashi – ministri i Kosovës së re të pasluftës, përkundrazi Popi me veladonin ortodoks sllav, tregohet gjithnji kompetent sepse e ka pengue këtë rrugë ndërkombëtare, që e lidh Kosovën me Malin e Zi, si dhe me Shqipërinë në vendkalimin kufitar e doganor të pritshëm të Qafë Vranicë (Plavë) e Çerem (Tropojë).

Vetëm në një takim, organizuar para disa viteve, me nismen e ambasadorit amerikan Kristofer Dell, me Përfaqësuesin Special të BE në Kosovë, sllovenin Samuel Zhbogar, kryeministrin Hashim Thaçi e kryekomunarin e Deçanit, Rasim Selmanaj (tani deputet i Kuvendit të Kosovës), Popi i Manastirit të Deçanit u detyrue me hesht atypëraty, po tevona e deri tashti e sabotoi këtë rrugë duke i detyrue Shqiptarët me e devijue projektin fillestar, me ia zgjat kilometrat, me ia rritë koston e investimit të ndërtimit të saj. Kjo cështje lipset t’i kalojnë prokurorisë e gjyqësorit të Kosovës.

Popi Sava Janiq kurrnjiherë nuk tha e nuk thotë si Dardan Gashi, se “nuk jam kompetent për Rrugën Deçan-Plavë”, përkundrazi ai nuk linte gurë pa lëvizur dhe takonte gjithata ambasadorë të huaj në Prishtinë e gjetkë për të penguar e sabotuar këtë rrugë që kalonte me projekt nëpër territorin e sotëm të Manastirit të Deçanit, që shkonte drejt krahinës etnike shqiptare, historike, kulturore e turistike të Plavë-Gucisë. Ky Pop sllav ishte nga ata që e krijoj ndër vite mjergullnajën e problematikën se “Ndërkombëtarët po pengojnë Rrugën Deçan-Plavë” !

Dardan Gashi i ka emër e mbiemër të dy fiseve të mëdha iliro-shqiptare, është dy herë ministër e një herë zv/kryeministër i Kosovës, mbi të gjitha është shqiptar i Dardanisë Antike e Moderne, ndaj duhet të flasin pa ia nda për Rrugën Deçan-Plavë, të cilën as Bashkimi Europian nuk e fut në projektet e veta infrastrukturore, sepse vet BE ka ra nën ndikimin sllavo-lindor në lidhje me Kosovën. A e di pse? Asnjë rrugë autostradore nacionale e ndërkombëtare nuk e ka financue për lidhjen e Kosovës me Malin e Zi dhe me Shqipërinë, po veç në ato rrugë autostradore që e lidhin Kosovën me Serbinë e me Maqedoninë, në ato që e lidhin Serbinë me Malin e Zi, në ato që e lidhin Maqedoninë me Bullgarinë, etj.

7.

Në atë takim zyrtar të 5 shkurtit 2018 në New York ishte i pranishëm dhe Ministri i Shtetit për Diasporën, Pandeli Majko – ministër i Qeverisë “Rama 2” në Shqipëri, i cili gjatë pyetjeve e debatit të Sadri Mehajt – si përfaqësues i atyshëm i Batalionit “Atlantiku” me ministrin Dardan Gashi, ndërhyri duke thënë: “Ne, Shqipëria, e kemi kryer punën tonë dhe e kemi lidhur Plavë-Gucinë me Shqipërinë”. Prapë, dhe ministri Majko nuk ishte i saktë, nuk foli aq drejtë. Pse? Nuk është vetëm Çështja e Rrugës Shkodër…-Vermosh-Guci-Plavë, e cila u krye pas mbi një dekade punë që meriton përgëzime atdhetarie. Çështja është dhe Rruga Deçan-Plavë si një Rrugë gjeostrategjikë që i lidh tre shtete, jo vetëm Kosovën me Malin e Zi, por dhe me Shqipërinë me anë të Bjeshkëve të Bekuara (Nemuna), me anë të kalimit kufitar e doganor të Plavës me Tropojën. Duhet të interesohet dhe kryministri aktual Edi Rama sa ish kryeministri Sali Berisha. Gjithashtu, duhet të hapet pika kufitare e doganore Vranicë-Çerem (Plavë-Tropojë), për të cilën ka një marrëveshje zyrtare të kahershme mes dy kryministrave Berisha e Gjukanoviq. Punë të mëdha na presin, përderisa jetojmë, deri kur të vdesim!

Aty, në atë takim të 5 shkurtit 2018, ishte e pranishme dhe Konsullja e Përgjithshme e Kosovës, Teuta Sahatçia, ish politikane e deputete e LDK të Kosovës, e cila – sipas portalit “Plavaeguciasot”, paska thanë përgjatë debatit, tue i dal në krah ministrit Dardan Gashi, “ne jemi për kulturë dhe fëmijët shqiptarë këtu në Diasporë”. Me sa duket Konsulles së Përgjithshme Sahatcia nuk i punojka mirë “sahati” për këto çështje të veçanta, si Rruga Deçan-Plavë. Në se kjo e ul rolin e një zv/kryeministri e ministri të Diasporës e Investimeve Strategjike të Kosovës në një “zyrtar i lartë shërbimi konsullor” në Amerikë, atëhere kjo është çështje e saj, e MPJ, Qeverisë e Presidentit të Kosovës. Sigurisht, Teuta Sahatçia është nja nga politikanet e diplomatet ma të mirëinformuara për çështje e praktika të djehit e sodit të Rrugës Deçan-Plavë, dhe nëse ajo do të mbetet tek karrikja e dyert e Konsullatës në New York kjo është çështje e saj, po kur bahet pjesë në debat për këtë rrugë ndërkombëtare panshqiptare nuk duhet t’i reduktojnë, as anashkalojnë, as të bien nga lartësia e përgjegjësisë kombëtare shqiptare.

8.

Zv/kryeministri e ministri i Kosovës, Dardan Gashi, të vetmen pushkë që e ka qitë në Kosovë është ajo në një rast gëzimi në kullen e Fatmir Limajt, për çka desh e rrezikoi dhe karriken e posteve të tij.

Ndërsa Sadri Mehaj i Hotit të Plavë-Gucisë, si luftëtar i Batalionit “Atlantiku”, u nis nga Amerika e shkoi të luftojë për Lirinë e Pavarësinë e Kosovës, me armë të lehta e të randa, në frontin e parë të luftës, me trimni të rrallë. Gjithashtu, ai – sëbashku me vllaznit e tij, kanë dhanë kontribute financiare për Luftën e Kosovës.

Kur Sadri Mehaj i Hotit, para se të nisej në Luftën e Kosovës, i jepte intervistë një gazete amerikane se do të jap dhe jetën për Kosovën, Ju, Dardan Gashi, siç shkruajnë portale e thonë diaspora e Vjenës, ku kreve studime të larta universitare e detyra shtetërore, nuk keni pasë sjellje e qëndime aq të mira ndaj Luftës së Kosovës…! Këto ma mirë se kurrkush i din vet ministri i Kosovës, që nuk dashka me folë para shqiptarëve të Amerikës për Rrugën panshqiptare Deçan-Plavë.

Sigurisht, nuk e di dhe as nuk më intereson se me çka dhe sa ka kontribue zyrtari i lartë i Kosovës, Dardan Gashi, në dhe për vendlindjen e tij, po është e dekumentuar në media shqiptare, malazeze e amerikane kontributi financiar i Sadri Mehajt me vllaznit e tij në vendlindjen e tyre – ngritjen e një hoteli në qytetin e Gucisë, “City Hotel”, dhe të një kulle afër Krojeve të Vuthajve (ndryshe: Krojet e Ali Pashë Gucisë), që në tanësinë e vet iu kanë kushtue mbi një milionë dollarë amerikanë.

Sadri Mehaj i Hotit është i burgosur politik nga rregjimi i Titos, ka krye mbi tre vite burg politik në burgjet malazeze e serbe, kur ishte nxanës shkolle, kur ishte me grupin e djalosharëve plaavëgucias “Besa”, për faktin se donin me e ngrit në Plavë-Guci në nji ditë feste Flamurin Kombëtar Shqiptar.

 Sadri Mehaj ishte një shoqërues i aftë e besnik, “bodyguard”, i dr. Ibrahim Rugovës në vizita të tij në Amerikë dhe ishte me armë krahut për Kosovën dardane përkrah gjeneralit Fatmir Limaj në Pashtrik, të cilin e vlerësonte si njeri të mirë e të zotin në atë luftë të madhe. Sadri Mehaj i Hotit është njeri i madh i punës së përditshme, biznesmen i fortë e pa mburrje, fistar i madh, humanist i dallueshëm, patriot i përjetshëm.

Ti thashë gjitha këto o Dardan Gashi – zv/kryeministër e ministër i Kosovës, se duhet me e ditë me ka flet dhe si flet, veçmas kur të tjerët, si Sadri Mehaj i Hotit, të dvet për Rrugën Deçan-Plavë.

Mos kujto se Sadri Mehaj i Hotit të gjeti Ty rrugëve të New Yorkut, apo të doli “në pritë” tek ai hotel i New Yorkut, për me të dvetë për Rrugën Deçan-Plavë. Jo dhe jo. Sadri Mehaj i Hotit e ka folë shqiptarisht me të gjithë liderët e Kosovës e të Shqipërisë çështjen e hapjes të Rrugës ndërkombëtare panshqiptare Deçan-Plavë. Dvete Hashim Thaçin, dvete Ramush Haradinaj, dvete Fatmir Limaj…sa herë iu ka folë Sadri Mehaj i Hotit për Rrugën Deçan-Plavë në këto dy dekadat e fundit dhe ti, o ministri Gashi, pritoje e nuk doje ta thoje një fjalë të vetme në atë takim zyrtar të New Yorkut.

Sadri Mehaj i Hotit me të Batalionit “Atlantiku” ka marrë udhë deri në Tiranë me e takue Presidentin e Shqipërisë, Bamir Topi, dhe ia kanë parashtruar kërkesën për Rrugën Deçan-Plavë, ku iu ka premtue atëherit dhe s’ka ba gja kurrnjiherë. Edhe me 5 shkurt 2018, Sadri Mehaj i Hotit ishte si një nder përfaqësuesit e Batalionit “Atlantiku” kur të dveti për Rrugën Deçan-Plavë dhe ti fole keq e ma keq, e ti nuk iu the kurrgja, e ti ministri Dardan Gashi nuk mund të bajsh kurrgja, etj.

Sadri Mehaj i Hotit ka shkrue kaherit për Rrugën Deçan-Plavë, si për rrugën e shtëpisë së tij, të jetës së tij. Ka shkrue tek gazeta shqiptaro-amerikane “Illyria” në New York, më 30 prill-3 maj 2010, faqe 1 e 19, me titull “Pa ndërtimin e Rrugës Deçan-Plavë-Guci-Shkodër nuk mund të flasim për një integrim të Shqiptarëve në Ballkan”. E, pat ba jehonë atëherë. E, prapë mirë paska ba që ka shkruejt për Ty, shkrimin “Ministrat e Diasporës dhe Diaspora”, pas atij takimit zyrtar të 5 shkurtit 2018 në New York, botue në portalin “PlavaeGuciasot” e gjithandej, për çka dhe i përshendeta miqësisht. Aty, mes rradhëve të shkrimit replikë, mësova se pse Sadri Mehaj i Hotit e braktisi atë takim në New York, pasi e thotë qartas, vetë ai: “Duke parë se Ministrit të Diasporës të Kosovës po i pengojnë pyetjet dhe hallet që ka Diaspora Shqiptare, vendosa për të mos ua prishur “disponimin e mirë” atyre që vijnë deri në Amerikë me para të popullit për të shitur mend e besa dhe zhvatur Diasporën, vendosa të largohem nga Takimi zyrtar, sepse nuk mundesha të rrija si dekor dhe me u rrah shuplaka fjalëve kote”. E ka ba mire Sadri Mehaj i Hotit, se me të tilla përgjigje e qëndrime, zv/kryeministri e ministri i Diasporës e Investimeve Strategjike të Kosovës, Dardan Gashi, shkel mbi kauzën e Ramush Haradinajt për Rrugën Deçan-Plavë, e nëpërkambë këtë kauzë të kryeminsitrit të tij. Dardan Gashi, si i ardhur në këtë postë të trefishtë nga e kalkuluara dhe e shúara “Lista Rugova”, me një sjellje të tillë e përbaltë keqas dhe emrin e madh të liderit historik Ibrahim Rugova, ia fyen vizionet, misionet e kauzat e tij për Amerikën e Shqiptarët e saj, për lidhjet infrastrukturore të shqiptarëve në Ballkan me autostrada si “Udha e Kombit” dhe kjo Rruga  ndërkombëtare Deçan-Plavë.

 

Nga Ramiz LUSHAJ