Ballina Kulturë NËN DRITAT BOSTONIANE

NËN DRITAT BOSTONIANE

Tufalak poetik nga Amerika nga poeti Namik Selmani

Ështe bukur që të bësh një cikël me poezi nga Bostoni. Në të ka madhështi ka lirikë, ka mall, ka dritë, ka tinguj, ka trishtim detarësh, ka urime për udhëtarët e qiejve, ka dhe shumë shqiptarizëm.
Namik Selmani



1.-DREJT QIELLIT AMERIKAN

Eci me një bark metalik të stërmadh në tokë e oqeane,
Ku përralla bëhet e vërtetë nën këto re puplore
Dikush rrufit kafenë si në një klub të largët lagjeje.
Dikush dremit dhe dikush shpleks kujtimet që sharrohen.

Nuk ka dallandyshe e pëllumba të prekin krahët e celikta.
Nuk ka zogj që të të vijnë në xham si miq të vjetër,
Shkronjat e një libri të dehin më shumë se kaltërsia
Kur ti bëhesh kalorës a këmbësor i përjetshëm.

E të gjithë i merr pa pritur malli për pragjet e lënë pas
Për një duarzgjatje gjer kur sytë nuk shohin në qiell.
O, më jepni një pikë loti që në faqe lë vrragë,
T;u jap një simfoni, t;u jap në sy një tjetër diell!.

E të gjithë presin të heshtur castin kur dyert të hapen
Në një tokë ku yjet rrinë në sup bashkë në flamur.
Të tjera sy të presin, të tjera duar zgjaten.
Duke lënë një urim që rimbillet si lule në buzë.
24 prill 2016

2.- NË KISHËN E SHËN-GJERGJIT NË BOSTON
NOLIANE

Vjen një zë o nga Shën-Gjergji,
zgjohet fjala dhe kuvendi,
ma dredh trupi një këmbanë,
një kujtim ma sillka pranë!

Pa më celka lule shpirti
tek vaditet nga nderimi,
tërë drita, tërë hire
dritë të kuqe shqiptarie.

Dhe përhumbem thellë ëndrrës,
krahë të rinj ia jepkam këngës,
Me jep kënga frymë lirie,
gjoksi merr fllad krenarie.

Po kujtoj sot Bunën, Drinin
kujtoj Lanën dhe Shkumbinin,
kërkoj Vjosën, Lumëbardhin
më vijnë syve xixa stërralli.

Sjell të fala si pëllumba
shkoj me Nolin nëpër fusha,
prek këmbana shenjtërie
marr bekim të flas me yjet.

Marr bekim për ardhmërinë,
bashkë me Nolin zgjoj urtinë,
i them ditës : “Mirë se erdhe!”
në çdo rrugë e dëboj heshtjen.

 

 

3. PESHA E FJALËS

Ati ynë që je në qiell na jep fuqi
që të heshtim kur nuk kemi se çfarë të themi!
Faik Konica

Mos më fut në sinorët e mëkatit , o urtaku Faik Konica
para teje jemi gjithmonë nxënës të urtë fytyrëskuqur,
në uturima avionësh Bostonit ia marr një kurorë me drita,
ta vë në këtë pllakë mermeri me lule mbushur.

O Atë i mençur, zgjona nga vullkani i nxehtë i fjalës
kur lumenjtë e gjokseve mbysin ditëve tryeza,
kemi nevojë të heshtim qoftë dhe para përrallës,
kur të hedhin hapa në agimin me ëndrrën e freskët.

Na merr për dore në Livadhin e Urtësisë së Munguar,
dhe pse këmba e dora do të na gjakoset sërish,
E nisëm me gjak udhën e shqipes së ëmbëltuar,
e prapë na ndjek bekimi i shenjtë në prushërim.

Prishi tribunat e rreme që sytë na verbojnë,
që udhën e djemve na e mbushin me ferra!
Falna, o Atë i Shqipes në këtë kohë të pakohë
që dhe shkronjëshqipes kërkon t’i vërë lesa!

Boston. 16 prill 2016

4. UDHËTIM ME ËNDRRËN

Shkoj në botën gjuhëshumë, në doganat hijerënda
Malli zemrën ma bën furrë, brenda meje ndrizet kënga.

Flas me vete, flas me yje, shkronjëshqipja më gëzon
Sjell nga larg një fllad ndër pyje, sjell një gurrë që gurgullon.

Merrmë , o këngë me flatra malli, më ço larg –o në vendlindje
Ku kam thënë fjalë stërralli ku kam ndjerë ninullë lirie.

Merrmë, o shkronjë në supe zogu, bëmë sot pëllumb postjer!
Që të mbjell degë borziloku në një varr ku nëna fle.

Merrmë, o varg, më ço tek oda, të dëgjoj burrat me plisa.
Sa e vogël është bota kur vjen pranë shqiptaria!

5 .NË KULLËN MË TË LARTË TË BOSTONIT

Nga kjo kullë prek si me pëllëmbë Bostonin magjik
Nuk kam frikë nëse do më ndalin drita semaforësh.
Qielli është afër e i prek me dorë kaltërsinë.
Pëllumbat bardhoshë luajnë me puplat e dëborës.

Këtu dëgjoj këmbanat që ditën ma shenjtërojnë
Me sy përpij avionët e anijet si pulëbardha.
Pallatet duken si kukulla që ecin dorë më dorë.
Ëndrra bëhet dritë e fortë që më ndrin në maja.

Këtu jam Anteu që ia merrkam pa iso këngës
Jam gjenerali që spaletat i ka thellë tek vetja.
Të ishit me mua të tjera flatra do ia vinit ëndrrës
Të tjera këngë të pathëna do merrni në shkrepa.

Jam në Tokën e Zotit mes djersës të punës.
Jam lulishtar që sjell nderim nga mbarë bota
Këtu dua ta largoj në hon krismën e pushkës.
Në emër të një ditë ku flet vetëm MIRËNJOHJA.

Këtu kujtoj stanet e livadhet në vendlindje
Ca fëmijë e qengja që ecin drejt lojës engjëllore
Këtu prek agimin e Jonit dhe Tomorit me vargje mitike
Në një sinor magje ku dhe përralla dorëzohet.

6. MANEKINËT E VETRINAVE

Duke udhëtuar në supermarketet e Bostonit
Ashtu të ngrirë
Dëgjojnë njerëz anonimë që japin e marrin dollarë
Nën drita verbimi
Që kurrë nuk shuhen asnjë minutë, asnjë ditë
Të dashuruar
Me këtë botë që nxiton si në agimin e parë
Me një buzëeqeshje
Të montuar mes reklamave në vetrinat me dritë.

Ua ndërrojmë
Të gjithë veshjet sa herë vjen e ikën stina
U vëmë
Këpucë kapele, fustane me ngjyra, kravata.
Na mbeten në sy
Teksa ngjitemi e zbresim nxitimthi nga makina.
Mes dollarëve
Që hyjnë me një “Thank you” të pambarimtë në arka.

Mbase garojnë
me vetveten në kërkim të një zemre a të një shpirti.
Mbase garojnë
dhe me ne në garën që po e humbim pak nga pak
Ata
Manekinët, na shohin tek thinjemi vit pas viti
E një pikë loti
nuk derdhin kur një ditë na dërgojnë në varr.

E dollarët
Sërish ndërrohen në vetrina e në rrugët që s’mbarohen.
Me kafe,
makina, lule, avionë, celularë që blihen e shiten.
O botë manekinësh
Tek ti ditët si një një mokër rrotullohen!
Drejt një fundi
që është fillimi i një ëndrre që pret rilindjen

7. LETËR NGA BOSTONI

Mikut tim Fuat Memeli

Më jep një pranverë magjike Devolli, miku im
Më dërgo një Sinicë ku të prek lulet e mollës
Ylberi i lumturisë na fton në udhët pa mbarim
Po kurrë nuk matet me madhështinë e sofrës.

Na bëri pjesë të një deti vallesh në Devoll
Të lodrojmë mbi fustanella e të dehemi nga kënga.
Me rakinë e fortë urimet një nga një t;i numurojmë
E të bëhemi kalorës të rinj kur të na vijë ëndrra.

Më jep një vjeshtë me dasma të bëhem krykrushk
E të rilind sërish si Sfinksi tek fjala jote e mencur
Na morën oqeanet e qiejt me retë si shtëllungë
Na vunë në lakun e jetës së kësaj bote të ndezur.

Më jep një poce Devolli të pi verën e papirë
Ta rrufisim si Khajami a si kapedanët në vallë
Dhe shoh shpirtin ku do celë trëndafili erëmirë.
Si do më bëhet fjala si kopësht me manushaqe.

E të gdhijmë lumturisht mbi flatra engjëllore serenade
Bota e stërmadhe të na duket sa një kitarë Korce
Do dëbojmë pshertimat në shpatet e kohës në theqafje
T’i japim miqësisë kurorë margaritari dripëplote.

Boston, 20 prill 2016

8. NËN  DRITAT BOSTONIANE
Në vend të një letre malli për viset e mia


Dashkam sonte dritë Tirane
Që lodron nëpër rrugica
Shushurimë që vjen prej Lane
Në agim ku më puth drita.

Dashkam sonte lule Dajti
Me urime të mbush sofra
Do zgjoj lulet te livadhi
Të mjaltos udhët te bota.

Dashkam sot fllad prej Osumi
T’ia vë këngës oqean.
Si fëmijë u bëka burri
kur për vatrën zgjoka mall.

Do zgjoj vjeshtat plot me dasma
Në një breg, në oqean.
Të gdhij netët me kitara
Në një zemër djegur zjarr.

Nënë dritat bostoniane
Një nga një ndez drita malli
Zgjoj lirikat lasgushiane
Më të shtrenjta se thesari.

Pika loti gjoksit fsheh
Kur dëgjoj zëra, sirena
Fjala bëhet det i thellë
Kur përcjell zëra në breza.

Po zgjoj këngët udhë pas udhe,
Larg, nga shtigje Camërie
Amanetet mbaj mbi supe
Si një trastë që kurrë s’hidhet.

9. AH, MOJ LARGËSI!

Largësia më hapi bujarisht portën e lotit të nxehtë.
Po nuk dua të më shohësh me sytë e mëshirës.
Ca pika shiu do njomë pupla zogjsh nënë strehë
Mallkimi pa emër do më mbesë mes gjoksit e brinjës.

Më kot do kërkoj në çantë një shami mëndafshi.
A ca letra me parfum të vëna në një pako, në radhë
Lëre lotin ta fshijë dita e dielli, lulja dhe flladi
Lëri t’i futë kjo jetë në Muze e në sirtarë!

E sërish mos më quaj të marrë a fëmjë të vogël.
Kur mund të zbresë një lotë në qerpikë e në faqe
Merr një pikë e mbille në zemrën e brengosur!
Mbille në livadhin e kujtesës si manushaqe!

Vrite me kërbaç të hekurt këtë kuçedër largësie
Mos u lodh e mos i fshij bulat e djersës
E kur të vijë sërish ditë me ngjyrë kaltërsie
Bëhu Arkitekte e pagabuar e mallit dhe kujtesës.

10. FOTOT E EMIGRANTËVE

Në mjaft familje emigrantësh sheh foto të vendlindjes
Fotot e emigrantëve janë si mollë e dardhë e ëmbëltuar
Janë si kroi i largët ujëkristal që ende për ty curgon.
Janë pika loti që derdhen nga sytë e ty të menduar
Janë eho pa fund që treten si grurë i bluar në gjoks.

Fotot e emigrantëve janë si letra të padërguara malli
Është rizgjimi i dashurisë së parë që të skuq sërish
Është kënga e parë që këndove një një shpat mali
Është një ninullë nëne me fjalët si rrezet në agim.

Aty është dialogu me vitet që kurrë më s;kthehen.
Janë njerëzit që flenë larg, diku, mes varreve të trishta.
Aty cel jargavani, zambaku, trëndafili e luledelet
Aty zgjohet ëndrra e parë me krahët e brishta.

Aty janë pengjet që ditët me trishtim t;i mbushën
Si të ishin trastë që të mbeti nëpër vite jete mbi supe.
Për fjalën e pathënë që na thau zemrën e buzën
Dridhet dora mbi fletë e faqja bëhet lulëkuqe.

Boston, 23 prill 2016

11. MBRËMJET E BOSTONIT

Në mbrëmjet e Bostonit marr pa fund aromë të freskët shqiptarie
Teksa Noli meshon shqip mes tingujve paqësore të këmbanave
Konica më kujton urtinë e heshtjes para marrisë së dhimbshme
E peshën e fjalës ta vë në një kandar pa zinxhirët e prangave.

Dritëzojnë avionët e vihen në radhë gjithë gjuhët e botës
Shkojnë e vijnë pa njohur stinimin e dallandysheve në kthim
Një flamur me yje garon me qiejt si fitimtari mes kurorës
E në horizonte të largët shkojnë e vijnë ëndrrat që thurohen shqip

Këpus ca fije bari e lule kuqëlore te pragu i nënës t’i mbjell
Një ditë t’ua vë në duar e në zemër dashurisë më të re.
O mbrëmje merrmi rrudhat e përcillja oqeanit dallgërreptë
E shpirt nga shpirti i Amerikës jepmë në gjoks e në hapin që hedh.

Këtu këpus flizët e ligësisë që më dhanë ca shpresa të vrara
E nis të shtroj ca udhë që më baltosën pa fund këmbën e shpirtin
E ulem në gjunjë ballëdjersitur nga lodhja e shtigjeve të largëta
E prek një qiell me shaminë kaltërore pa menduar errësimin

Këtu marr një grusht dheu të mbjell fidanë buzëqeshesh
Nipi e mbesa të gazmojnë me to në ditëlindjet që vijnë
E ulem të nxjerr një torbë ëndrrash që aq klithshëm m’u tretën
E nis një këngë ku fjalët më ngatërrohen në buzën e mpirë.

*Shteti i Masaçusesit ku Bostoni është kryeqyteti i tij quhet ndryshe edhe “Shpirti i Amerikës”