Ballina ED/OP LAMTUMIRË ÇAKORR, BELLUHË E KULLË!

LAMTUMIRË ÇAKORR, BELLUHË E KULLË!

 

 

Nga Dr. Islam LAUKA*  

 

Në prag të 10 vjetorit të pavarësisë së Kosovës, me 16 shkurt 2018, Presidenti, Hashim Thaçi, shpalli sihariqin e madh: nuk ka më pengesa për ratifikimin e Marrëveshjes së Demarkacionit me Malin e Zi. Deklarata e përbashkët, e firmosur nga ai dhe Presidenti malazez, Filip Vujanoviç, i jep fund ngërçit 3 vjeçar.

Kaq u desh që kasta pushtetore në Prishtinë të përfshihej në feste të dyfishtë dhe ta mbulonte me fjalë dashurie Podgoricën zyrtare, e cila, sipas saj, na paskërka ndihmuar, pa asnjë interes, në një moment kritik për ne. Thjesht na ka bërë një dhuratë, siç i bën fqinji fqinjit.

Komplimentet me fjalë dashurie patën filluar, që me 15 shkurt, gjatë vizitës së Kryeministrit Dushko Markoviç në Kosovë, i cili, në konferencën e shtypit me Kryeministrin Haradinaj, deklaroi se, megjithë se Mali i Zi e konsideron të mbyllur çështjen e demarkacionit, sepse e ka ratifikuar atë, ai është gati ta ndihmojë Kosovën, në mënyrë që edhe Prishtina t’i përmbyllë procedurat e ratifikimit.

Po çfarë përfaqëson në vetvete dokumenti i nënshkruar nga Presidenti Thaçi dhe nga Presidenti Vujanoviç? Asgjë më shumë se një deklaratë politike të vullnetit të mirë, që nuk prodhon asnjë efekt juridik ndërkombëtar, për pasojë, pa asnjë ndikim në marrëveshjen e 26 gushtit 2015, le më për ndryshimin e saj. Në mënyrë të figurshme, mund të thuhet që kjo Deklaratë është vera e vjetër e thartuar (Marrëveshja e mëparshme e Demarkacionit) që po përpiqen ta shesin në një ambalazh të ri. Edhe sikur Deklarata Thaçi- Vujanoviç të futet në proces ratifikimi në Kuvendin e Kosovës, në cilësinë e shtojcës (aneksit) të Marrëveshjes së Demarkacionit, përsëri nuk do të mund të klasifikohej si dokument juridik ndërkombëtar, deri sa ajo të mos i nënshtrohet procedurës së ratifikimit edhe në Mal të Zi.

Në thelb, teksti i Deklaratës nuk bën gjë tjetër veç përsërit disa dispozita të marrëveshjes së mëparshme, në mënyrë të veçantë, nenin e 9-të të saj, sipas të cilit, “mosmarrëveshjet eventuale midis dy vendeve zgjidhen në kanale diplomatike”. Edhe pika për krijimin e “Grupit të Përbashkët të Punës” për shënjimin e vijës së kufirit është një përsëritje e dispozitave që i përmban çdo marrëveshje kuadër për demarkacionin. Sepse shenjimi i kufirit, domethëne, vendosja e gurëve, shtyllave, piramidave dhe tabelave kufitare, nuk mund të bëhet pa grupe të përbashkëta pune. Ky është një process thjesht teknik, i cili, si rregull, ndërmerret në zbatim të marrëveshjeve politiko-juridike, të vendimeve të arbitrazhit, apo vendimeve të tjera që lidhen me përcaktimin (delimitimin) e kufirit, gjë që në rastin e Kosovës ka munguar, duke shkelur rëndë ligjin themeltar të shtetit – kushtetutën.

Duke qenë një process teknik, janë të paargumentura pretendimet se ky grup do të merret me rishikimin dhe korrigjimin e Demarkacionit me Malin e Zi. Korrigjimet që ai mund të bëjë do të jenë krejtësisht të papërfillshme, që lidhen vetëm me natyrën e terrenit, ku do të bëhet shenjimi i kufirit.

Po përse po fryhet kaq shumë kjo Deklaratë, duke u paraqitur si çelësi magjik që u hap rrugë realizimit të interesave të të dy palëve, Malit të Zi dhe Kosovës, që bën të mundur ratifikimin e Demarkacionit, liberalizimin e vizave, afrimin me Europën etj. etj.? Për t’iu përgjigjur kësaj pyetjeje duhet analizuar se kush është realisht i interesuar që Demarkacioni të kalojë.

Nuk është e vështirë për t’u kuptuar që listën e të interesuarve e kryeson Presidenti Hashim Thaçi, i cili e ka nënshkruar Marrëveshjen e Demarkacionit me Malin e Zi me 26 gusht 2015, në cilësinë e Ministrit të Punëve të Jashtme dhe Zv.Kryeministrit. Ratifikimin e Demarkacionit Thaçi e ka kthyer në një kauzë politike personale. Mosratifikimi do ta kompromentonte politikisht, ndërsa ratifikimi do të perceptohej si sukses personal i tij. Momenti i dytë që e bën Thaçin si të interesuarin kryesor dhe të drejtpërdrejtë është goditja që mori reputacioni i Presidentit tek aleatët strategjikë, lidhur me qëndrimin e tij ndaj nismës së 43 deputetëve të Kuvendit të Kosovës për shfuqizimin e Gjykatës Speciale. Protagonizmi i tepruar i ditëve të fundit për ratifikimin, me çdo kusht të Demarkacionit, nuk është gjë tjetër veç përpjekje për t’u rehabilituar në sytë e ndërkombëtarëve.

I interesuari tjetër, duket të jetë, Kryeministri Ramush Haradinaj. Në ndryshim prej Thaçit, sa ishte në opozitë, për dy vjet rresht, Haradinaj e pati kthyer në kauzë politike, personale e partiake, mosratifikimin e Demarkacionit. Kjo kauzë e drejtë e solli atë në pushtet. Tani, në majë të pushtetit, ai e ndjen se sa erëra të forta fryjnë, nga jashtë e nga brenda, midis të tjerash, edhe për Demarkacionin. Midis qëndresës përballë erërave të forta, në mbrojtje të kauzës së mëparshmë opozitare dhe kolltukut kryeministror, Haradinaj bëri zgjedhjen e tij në favor të kolltukut. Vlerësimi i tij për Deklaratën Thaçi – Vujanoviç, si një arritje e madhe e të gjithë vendit, dëshmon se te ky dokument, Haradinaj sheh një instrument, nëpërmjet të cilit, ai mund të braktisë kauzën e Çakorrit, duke ruajtur disi fytyrën. Ashtu si në rastin e Thaçit, edhe reputacioni i Haradinajt, u prek nga qëndrimi i tij lidhur me nismën për shfuqizimin e Gjykatës Speciale. Në gjykimin e tij, ratifikimi i Demarkacionit do ta rehabilitonte edhe atë në sytë e ndërkombëtarëve.

Këto interesa të ngushta bëjnë që kundërshtarët e dikurshëm politikë, Hashim Thaçi dhe Ramush Haradinaj, të bashkohen në përpjekjet e tyre për ta paraqitur Deklaratën Thaçi – Vujanoviç, si një dokument çudibërës që kënaq edhe Prishtinën, edhe Podgoricën. Si i tillë, ai i hap rrugë ratifikimit të Marrëveshjes sw Demarkacionit. Në të vërtetë nuk kemi të bëjmë më kurrfarë dokumenti çudibërës, por më përpjekjen e radhës për mashtrim, të komandantëve të zvetënuar nga pushteti, me qëllim të fshehjes të tjetërsimit të territorit të Kosovës, në vijën Çakorr – Belluhë – Kullë, në favor të Malit të Zi. Më e ndershme dhe më e moralshme për Thaçin e Haradinajn do të ishte që t’i flisnin hapur opinionit: jemi nën presion të fortë ndërkombëtar dhe nuk kemi kaçik për ta përballuar, ndaj po tërhiqemi. Ose, jemi nën presion të fortë, nga brenda, për t’i hapur rrugë liberalizimit të vizave dhe jemi të detyruar ta ratifikojmë Marrëveshjen e Demarkacionit, duke qenë të ndërgjegjshëm se humbim territor, por fitojmë lëvizjen e lirë. Por nderi dhe morali janë kategori që veprojnë kur vendimmarrësit janë të çliruar nga interesat e ngushta personale apo të klanit të tyre të ngushtë. Në të kundërt, mbetet mashtrimi i opinionit, të cilit, në rastin e Demarkacionit, i janë drejtuar, pa sukses, Presidenti Thaçi dhe Kryeministri Haradinaj.

Nuk ka dyshim se përfituesi më i madh nga ratifikimi i Marrëveshjes së Demarkacionit do të jetë Mali i Zi: ai do të përfitojë rreth 80km2 territor, që, historikisht, i ka takuar Kosovës. Që me vendimet e Kongresit të Berlinit, Qafa e Çakorrit është njohur si pikë kufitare mes Malit të Zi dhe territoreve që atëherë njiheshin si shqiptare në Perandorinë Osmane. Edhe në kohën e sundimit të Austro-Hungarisë, në këto anë, gjatë Luftës së Parë Botërore, Qafa e Çakorrit është njohur si pikë kufitare. Pa folur për periudhën 1945-1989 kur ky territor është kontrolluar plotësisht nga Kosova. Faktet historike, kujtesa kolektive me tregimet, këngët epike, këngët e djepit, varret e të rënëve- të gjitha dëshmojnë me një zë: Qafa e Çakorrit, Belluha, Kulla e Zhlepit kanë qenë dhe janë tokë shqiptare, jo malazeze. Këtë e di shumë mirë Podgorica zyrtare. Kjo është arsyeja që Presidenti dhe Kryeministri malazez, u treguan aq bujarë, në ndihmën e tyre ndaj Prishtinës, duke u përpjekur që të heqin çdo pengesë, në mënyrë që atyre t’u dhurohen territore që nuk u takojnë.

Deklarata Thaçi – Vujanoviç, ishte gozhda e fundit në arkivolin ku sot po dergjen Çakorri, Belluha dhe Kulla. Homazhet do të bëhen në Kuvendin e Kosovës, ditët e ardhshme.

Lamtumirë Çakorr, Belluhë e Kullë.

Lamtumirat e mëparshme nga territoret tona i kemi bërë nën dhunën dhe ditkatin e të fortëve – fqinjëve grabitqarë apo Fuqive të Mëdha cinike. Dhe, me të drejtë, fajin për copëtimin e tokave tona, ua kemi lënë atyre. Po tani, kujt t’i qahemi e kë të fajësojmë? Në po i çbëjmë tërritoret tona me miratim të udhëheqësve tane e të Kuvendit tonë.

Aktori dhe poeti i njohur Çun Lajci, me dhimbje të thellë, ngushëlloi veten për humbjen e radhës të trojeve amtare, “Zoti m’lasht shnosh!”. As ne të tjerëve që u përpoqëm, por që nuk mundëm t’i mbrojmë Çakorrin, Belluhën e Kullën, nuk na mbetet gjë tjetër veç t’u kërkojmë atyre ndjesë që nuk ishim të aftë t’i mbrojmë dhe të ngushëllojmë njëri tjetrin: Zoti na lashtë shëndosh!

Lamtumirë Çakorr, Belluhë e Kullë! U prehshi në paqe nw Mal të Zi. E di që është urim i idhët dhe i parealizueshem. Sepse paqe për ju, në Mal të Zi, nuk do të ketë. Ashtu siç jam i bindur që afti juaj ka për t’i zënë ata që ju shitën, për hir të interesave të tyre te pista.

Lamtumirë!

—————-

*Autori është doktor i shkencave politike, ish ambasadori i parë i Shqipërisë në Kosovë, president i Qendres Shqiptare të Studimeve Amerikane e Britanike në Tiranë, drejtor i Institutit Shqiptar të Studimeve Politike.